E premte, 3 Maj, 2024

Fëmijët, më të rrezikuarit nga izolimi i Covid-19

Askush nuk është imun ndaj stresit që vjen nga karantinimi në një kohë pandemie, dhe cdo gjë tjetër që mund të vi bashkë me të. Sidoqoftë, fëmijët mund të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku të veçantë. Duke jetuar në një univers që tashmë është jashtë kontrollit të tyre, ata mund të tronditen veçanërisht kur të vërtetat në të cilat ata mbështeten, rutinat e tyre, përditshmëria me të cilën janë të mësuar, bëhen copë-copë.

Autore: Blinera Aliti

Një nga masat më të rëndësishme të zbatuara gjatë pandemisë COVID-19 për të ruajtur shëndetin publik kanë qenë periudhat e zgjatura të izolimit ku e tërë popullësia është këshilluar të qëndrojnë në shtëpi me familjet e tyre, të mos dalin jashtë përveç rasteve urgjente dhe për tu furnizuar me gjëra bazike. Izolimi në mënyrë efektive ka ngadalësuar përhapjen e rasteve të reja të infeksionit si në territorin e Luginës së Preshevës ashtu edhe në pjesën tjetër të botës. Sidoqoftë, studiuesit kanë kuptuar që masa të tilla mund të kenë efekte të pafavorshme psikologjike tek fëmijët që janë në karantinë. Covid-19 ka ndikuar në mënyra të ndryshme tek njerëzit varësisht nga mosha e tyre. Mosha madhore, ata që janë mbi 65 vjec, kanë qenë të rrezikuar më shumë nga ana fizike, rrezikohej shëndeti i tyre deri në atë masë që mund të shtriheshin në spital ose të vdisnin.

Nga ana tjetër kemi fëmijët, të cilët edhe pse mund të mos jenë të rrezikuar nga virusi në shkallë të njejtë me të rriturit nga ana fizike, izolimi ka ndikuar dukshem në shëndetin e tyre mendor. Kjo madje mund të jetë një dukuri të cilën jo shumë prindër kanë arritur ta evitojnë me kohë ose të mirëkuptojnë fëmijët e tyre kur kanë ndryshuar sjelljen.

Mirëpo prindërit me gjithë vështirësitë që kanë hasur gjatë izolimit në aspektet tjera, puna me fëmijët ka qenë një sfidë më vete. Flora Sadiku, biznesmene e cila jeton në Bujanoc dhe nënë e një djali, ndanë një pjesë nga dita e saj gjatë kohës së izolimit.

‘’Me shkollat dhe shumë vende pune të mbyllura për shkak të pandemisë së koronavirusit, shumë prej nesh e kanë gjetur veten duke u marrë me një situatë të re, dhe shpesh shumë stresuese, familjare. Përveçse duhej të punoja nga shtëpia dhe të kujdesesha për shtëpinë, gjithashtu duhej të mundohesha që djali im të ndjekë me rregull detyrat dhe mësimet shkollore virtuale – të gjitha duke duruar kufizimet e distancimit social dhe madje duke u prerë nga mbështetja e miqve dhe e familjes. Meqë e gjithë familja shpesh zë të njëjtën hapësirë ditë pas dite, sforcimi mund të duket i pandërprerë. Fatmirësisht unë dhe burri im ishim mirë nga ana financiare dhe të paktën nuk kishim edhe presionin e të ardhurave, dhe as nuk dua të mendoj se sa e vështirë dhe cfar sfide ka qenë për ata prindër që kanë pasë edhe këtë pjesë mbi supet e tyre. Në këtë mënyrë të paktën njëri kishim kohë dhe hapsirë të merreshim me detyrat ose aktivitete tjera. Në fillim ishte shumë e vështirë, sepse djali im është fëmijë që lëviz shumë dhe nuk ishte mësuar të rrinte mbyllur për një kohë të gjatë, madje e mendoja si të pamundur. Kishte shumë shpesh shpërthime gjatë ditës dhe nuk dëgjonte asnjë fjalë, nuk punonte detyrat dhe vetëm kërkonte shokët, ndërsa ne ndiheshim të pashpresë në këtë situatë. E kuptoja gjendjen e tij, por nuk mund ti bëja bisht cdo detyrë dhe të plotësohej cdo dëshirë e tij, sepse nuk ishim ne të vetmit që përballeshim me këtë fatkeqësi.
Ajo që vendosa të bëj ishte ti tregoja që e kuptoja por edhe që kjo situatë herët a vonë do të kalonte, e shpjegova izolimin si dicka që mund të ishte pozitive për ne si familje sepse unë udhëtoj shumë shpesh gjatë muajit për shkak të punës dhe fëmija ynë rastis shpesh që të jetë vetëm me njërin nga prindërit. U munduam në maksimum të krijonim një atmosferë të këndshme në shtëpi dhe të shfrytëzonim kohën që kishim së bashku si familje. Ndoshta nuk u përmisuam menjëherë por me kohën u mësuam me faktin se për një periudhë do të jemi vetëm ne të tre. Tani në fakt i vetmi shqetësim që kam është nëse ky izolim ka lënë pasoja afatgjata tek fëmijët tanë.’’

Ndërkaq, pasiguria për të ardhmen dhe pasojat afatgjate janë dicka shqetësuese jo vetëm për prindërit por edhe për profesionistët. Nëse ka një gjë që është e sigurt në lidhje me ndikimin e pandemisë në shëndetin mendorë të fëmijëve, është se nuk do të ndalet derisa të ndalojë vetë përhapja e COVID-19.

‘’Shqetësimi për shëndetin mendorë të fëmijëve është i dyfishtë,’’ shprehet Vlora Isufi, psikologe e fëmijëve në Preshevë gjithashtu psikologe në ‘Asociacionin Nacional të Autizmit në Prishtinë. ‘’Në njërën anë kemi virusin dhe frikën nga infektimi, ku fëmijët frikësohen dhe janë në ankth tërë kohës për familjarët e tyre, dhe në anën tjetër izolimi, për fëmijët mund të jetë si të jetuarit në një kuti të vogël, larg shokëve dhe shkollës. Për më tepër që shohin të rriturit gjithmonë në stres dhe me frikën nga e panjohura, duke dëgjuar tërë kohës rreth një virusi vdekjeprurës, dhe një izolimi që askush nuk e di se sa do të zgjasë. Pastaj kemi edhe faktin se si cdo aktivitet i fëmijëve një ditë u ndërpre papritur dhe që nga ajo ditë cdo gjë rreth rutinës së tyre ndryshoi tërësisht. Problemi më i madh që kanë hasur prindërit, ka qenë se nuk kanë ditur se si ti shpjëgojnë fëmijëve te tyre së nga nesër nuk mund të shkojnë në kopësht apo në shkollë e as të takohen me shokët në parkun e lojrave, kjo ngase edhe ata vetë kanë qenë në ankth dhe disa gjëra i kanë pasur të paqarta edhe për vete. Sigurisht që ankthi dhe stresi i prindit përcillet edhe tek fëmijët dukshëm. Fëmijët kanë shumë shqetësime në lidhje me pasojat e COVID-19 të tilla si nëse do të shohin miqtë dhe të afërmit e tyre, nëse do të shkojnë në shkollë ose nëse do të sëmuren. Shpesh është e vështirë për prindërit të qetësojnë ankthet e fëmijëve të tyre për shkak të pasigurisë në jetën e tyre. Prindërit zakonisht janë të aftë të bëjnë plane për fëmijët e tyre, por planet e ardhshme aktualisht janë në pritje. Sfidat me të cilat përballen prindërit mund të ndërhyjnë në aftësinë e tyre të zakonshme për të adresuar nevojat emocionale të fëmijëve të tyre. Ajo cka duhet të kuptojnë prindërit është brishtësia e fëmijëve, dhe se sa lehtë ndikohen ata. Mendo një fëmijë i vogël, i vetëm dhe në ankth, ulur para një tableti ose një telefoni dhe mundohet të përcjellë mësimet që i dërgojnë, me raste ai nuk kupton asgjë dhe ankthi shtohet, prindërit ndodh që e shtojnë presionin ndaj fëmijës lidhur me detyrat apo me dicka që nuk e kuptojnë dhe si pasojë fëmija mbetet gjithmonë në ankth. Këshilla ime kryesore do të ishte komunikimi i vazhdueshëm me fëmijët. Rreth detyrave, mungesës së shokëve, frikës nga virusi, pasiguritë që mund ti kenë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet që të tentojnë të fshehin dicka nga ata. Fëmijët i evitojnë gjërat shumë herët, dhe ndarja e problemeve i bënë ata të ndihen më të përfshirë gjë që ndikon pozitivisht. Pastaj një bonus do të ishte edhe realizimi i aktiviteteve në ambiente të mbyllura, sigurisht me aq sa kanë pasë mundësi prindërit, dhe patjetër këshilla me psikologun, edhe nëse kjo e fundit nuk është e mundur nga ana ekonomike për prindërit, shkrime dhe artikuj të tërë mund të gjinden lehtësisht online dhe sadopak janë lehtësuese gjatë këtyre ditëve. Mirëpo për pasojat që mund të jenë afatgjata nga izolimi gjatë kësaj pandemie, janë akoma shumë të paqarta edhe për studies të ndryshëm. Ndryshimet në karakterin e fëmijës dhe në sjellje janë gjëra që janë vërejtur nga prindërit që nga fillimi i izolimit, por kohëzgjatja ose ndikimi i tyre nvaret nga shumë faktorë të ndryshëm pasi cdo fëmijë nuk është i njejtë, dhe mbi të gjitha jo të gjithë kanë kaluar këto kohë në kushte të njejta.’’

Ekziston një nevojë e theksuar për planifikimin e studimeve, dhe zbatimin e një plani veprues për të përmbushur nevojat psiko-sociale dhe të shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve që janë prekur nga izolimi gjatë pandemisë, si dhe pas pandemisë. Duhet përmirësuar aksesin e fëmijëve dhe adoleshentëve në shërbimet mbështetëse të shëndetit mendor të drejtuara drejt sigurimit të masave për zhvillimin e mekanizmave të shëndetshëm të përballimit të krizës aktuale. Edhe pse ende ka shumë paqartësi në këtë drejtim dhe rastet ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri bashkëpunimi direkt me psikologun, pediatrin, psikiatrin ose edhe mësuesin është kyç.

 

Të fundit