E martë, 29 Prill, 2025

Përfaqësimi i grave, vetëm teorikisht në BE

Gratë në kuvend janë të përfaqësuara me 43 karrige nga 120, gjegjësisht me 35%. Në krahasim me kuvendin paraprak,  numri i grave në parlament ka rrënë për 3 karrige, gjegjësisht nga 46 në 43, apo përkthyer në përqindje nga  38% në 35%

 

Shkruan: Fisnik Xhelili

Nga Lidhja Social Demokrate (LSDM), potencuan faktin se gjysma e ministrave të emëruar nga partia e tyre janë gra, duke shtuar se janë e vetmja parti qeverisëse që ministritë i ka ndarë në mënyrë të barabartë mes burrave dhe grave.

“Qeveria e re ka 16 ministri dhe ka 4 ministra dhe të gjithë janë nga LSDM-ja. Sidoqoftë, duhet të merret parasysh se qeveria është një koalicion i përbërë nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe partneri i koalicionit BDI. Në shpërndarjen e ministrive në qeveri, përveç kryeministrit dhe dy zëvendëskryeministrave, tetë ministri drejtohen nga stafi i LSDM-së dhe gjysma e tyre drejtohen nga gra. Që do të thotë se jemi në rrugën tonë të duhur për të siguruar barazinë gjinore në qeveri” thanë nga LSDM-ja.

Nga kjo parti politike përmendin disa nga veprimet që kanë ndërmarrë në këtë drejtim, edhe atë “Ligjin për Mbrojtje dhe Parandalimin e Diskriminimit, përfshirjen e edukimit gjithëpërfshirës seksual në arsim, ndryshimet statutore brendapartiake që barazia gjinore bëhet e detyrueshme, kandidimi 50:50 mes grave dhe burrave në zgjedhjet parlamente”.

Nga ana tjetër, deputetja nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arta Bilali Zendeli, konsideron se ka ende punë për tu bërë në drejtimin e avansimit të pozitës së gruas në politikë, ajo potencoi disa nga të arriturat e BDI-së në këtë drejtim.

“Vetë fakti se unë jam përfshirë në politikë në mënyrë të drejtpërdrejtë, flet se unë jam ithtare e konceptit se gratë duhet të përfshihen në politikë, në proceset vendimmarrëse sepse gratë munden. Përfaqësimi i grave në përbërjen qeveritare, nuk është i mjaftueshëm dhe mendoj se duhet të punohet në këtë drejtim që në një të ardhme të afërt të përmirësohet situata. Në Statutin e BDI-së, në pajtim me dispozitat e Kodit zgjedhor, parashihet përfaqësim prej të paktën 40% të grave në listat zgjedhore për deputetë dhe për këshilltarë komunal” tha Arta Bilali Zendeli.

Nga partia më e madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE, Milena Ilievska, Kryetarja e Komisionit për Kulturë, potencoi se faji për përfaqësimin e ulët të grave në pozita vendimmarrëse qëndron pikërisht te “normat shoqërore” dhe stigmatizimet që ju bëhen grave.

“Mendoj se ka ende mosbesim ndaj grave si politikane ose vendimmarëse, kryesisht nga mjedisi në të cilin ajo operon ose nga vjen. Ajo që nuk mund të kalohet ende është pikëpyetja në lidhje me vullnetin dhe sigurinë e vendimeve që një grua si deputete ose ministre mund të marrë. E gjithë kjo vjen nga normat shoqërore që i shohin gratë si një anë “më e qetë, më e pasigurt dhe më pak agresive” në vendimmarrjen politike. Dhe shpesh dëgjojmë fjalinë: “Ky vendim kërkon një dorë të fortë, të fortë!
“Ne duhet ta kapërcejmë atë të ashtuquajtur armiqësia ndaj grave në politikë. Është provuar shumë herë gjatë gjithë historisë se disa gra mund të jenë shumë më të sigurta në marrjen e vendimeve dhe menaxhimin e fushave sesa burrat, dhe kështu të jenë vendimmarrëse për të mirën e përbashkët” tha Ilievska nga VMRO-DPMNE.

Sipas Flakron Bexhetit nga Aleanca për Shqiptarët, në vendin tonë ka shumë gra të emancipuara dhe përgatitura profesionalisht mirëpo që nuk ju është dhënë roli i merrituar, gjegjësisht në pozitat vendimmarëse. Ai tha se ASh-ja do të angazhohet në arritjen e plotë të barazisë gjinore në vend.

“Pjesëmarrja e grave në politikë realisht është e ulët madje larg përqindjes me të cilat obligohen partitë politike. Kjo do të thot se ata janë shumë pak të përfaqësuara nëpër organet partiake dhe institucionale, më çrast kjo ndikon edhe në vendimarrje, ku atyre nuk ju dëgjohet zëri për disa aryse. Megjithatë kohëve të fundit kemi gra të emancipuara, intelektuale të mirrëfillta që në shoqërinë tonē priten mirë dhe veprimtaria e tyre politike gjithnjë e më shumë jep impakt tek votuesit. Si subjekt politik jemi të zotuar për ti dhënë rolin e merituar gruas në politikë, sepse pa  barazi gjinore nuk mund të kemi barazi shoqerore, e pa barazi shoqerore ska as barazi kombëtare” tha Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët (ASh).

Nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), njëherit edhe nënkryetarja e kësaj partie, Fatmire Isaku  thotë se në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, barazia gjinore në shumë sfera të jetës shënon trend pozitiv.  Megjithatë, barazia gjinore nuk është arritur akoma.   Sa i përket kandidimit të një gruaje për kryetare komune, për ministerе apo edhe për kryetare shteti ngelet në dorë të partive politike pjesëmarrëse në proceset zgjedhore. Isaku thotë se në organizimin e brendshëm të partive politike vërejmë përpjekje për balancë gjinore.

‘’Gratë nuk duhet të shihen si numra por ato duhet të jenë në pushtet për të thyer barrierat dhe për të motivuar  dhe ndihmuar gratë tjera në arritjen e sukseseve. Unë mendoj se gratë nuk dëshirojnë të kenë fuqi për ti margjinalizuar burrat, por përfshirja e të dyja gjinive në vendimmarrje dhe në hartim të politikave e bën procesin më cilësor’’ shton Isaku.

  • Si qëndron qeveria aktuale në raport me përfaqësimin e grave në të?

Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut u zgjodh më 30 gusht të vitit 2020, pas zgjedhjeve parlamentare të po të njejtit vit. Gratë në kuvend janë të përfaqësuara me 43 karrige nga 120, gjegjësisht me 35%. Në krahasim me kuvendin paraprak,  numri i grave në parlament ka rrënë për 3 karrige, gjegjësisht nga 46 në 43, apo përkthyer në përqindje nga  38% në 35%.

Gjinia mashkullore duket se mbizotëron edhe tek udhëheqja me ministritë, nga 16 ministri vetëm me 4 prej tyre udhëheqin gratë, edhe atë: Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

Tek zëvëndësit e kryetarit të qeverisë nuk figuron asnjë grua, respektivisht nga katër prej tyre të gjithë i takojnë gjinisë mashkullore, asnjë grua nuk mban një nga këto pozita.Përderisa kemi katër ministre gra, numri i zavendësministreve është i përgjysmuar në këtë rast, prej  gjashtëmbëdhjetë zavendësministrave  vetëm dy prej tyre anë gra.

Kur jemi te kjo e fundit, Zavendësministrja e vetme shqiptare, nga rradhët PDSH-së, Fatmire Isaku thotë se partitë politike lujnë rolin vendimtar për rritjen e rolit të gruas në politikë, prandaj do t’i kish ftuar të gjitha partitë, e në veçanti ato shqiptare që t’u mundësojnë grave t’i tregojnë kapacitetet e tyre profesionale dhe intelektuale  duke i emëruar në pozita më të larta vendimmarrëse. Sepse siç mund edhe të shihet ajo është një ndër të paktat gra shqiptare që është në një pozitë të lartë vendimmarrëse, atë të zavendësministres së punëve të jashtme.

Nga rradhët e LSDM-së thonë se në listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u zhvilluan në korrik, ata kanë shkuar me barazi të plotë 50:50 midis grave dhe burrave. Sidoqoftë, duhet të merret parasysh se qeveria është një koalicion i përbërë nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe partneri i koalicionit BDI. Në shpërndarjen e ministrive në qeveri, tetë ministri drejtohen nga stafi i LSDM-së dhe gjysma e tyre drejtohen nga gra. Që do të thotë se jemi në rrugën tonë të duhur për të siguruar barazinë gjinore në qeveri.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se përbërja e qeverisë duket diskriminuese në raport me gratë. Nëqoftëse LSDM ka dy ministra gra, partneri i tyre i koalicionit BDI nuk ka asnjë grua ministre dhe ky fakt është irritues për gratë shqiptare , ata vlerësojnë se ky  është shembull i keq, që dëmton imazhin e grave shqiptare.

Deputetja e BDI, Arta Bilalli-Zendeli thotë se në Kuvend, grupi parlamentar i BDI-së përbëhet nga 6 deputete dhe 9 deputetë, që i bie se kuota prej 40% është realizuar në Kuvend. Sidoqoftë ajo vlerëson se përfaqësimi i grave në përbërjen qeveritare, nuk është i mjaftueshëm. Duhet të punohet në këtë drejtim që në një të ardhme të afërt të përmirësohet situata, shtoi Billalli.

Por këtë nuk e thonë nga ana e VMRO-DPMNE-së, ata thonë se kuota prej 36% e përfaqësimit të grave në Kuvend është e mirë, por larg nga e shkëlqyera. Ne shohim se ka pasur pak progres në kontekstin e caktimit të posteve ministrore për gratë, të cilat zakonisht kanë qenë “detyrë mashkullore”. Për shembull: ministria e punëve të brendshme për një kohë të gjatë është drejtuar nga një grua, ministria e mbrojtjes, shefat e shtabit, këshilltarët e zyrtarëve. Sipas tyre kjo është e mirë, por jo mjaft e mjaftueshme për të qenë e shkëlqyeshme.

Ndryshe, barazia gjinore mbetet një nga sfidat kryesore globale përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo e fundit siç duket është munduar të zgjidhë këtë problem ndër vite. Maqedonia e Veriut këto  30-të vitet e fundit ka qenë dhe vazhdon të mbetet shteti i ndryshimeve sa i përket aspektit politik. Sidoqoftë, tranzicioni që pasoi pavarësinë e Maqedonisë në 1991 ndryshoi rrënjësisht statusin shoqëror të qytetarëve të saj. Kujtojmë që pjesëmarrja e grave në politikë është njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivelin global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

 

Të fundit