E shtunë, 18 Maj, 2024

Kështu foli Mustafa Nano

Unë me Mustafain jemi moshatarë. Mustafai është në të drejtën e tij të vihet në shërbim të Ramës. Por unë, si pjesëtar i brezit të tij, një këshillë dashamirëse do t’ia jepja: Rriji larg Ramës! Ai nuk ka respekt për shërbëtorët.

Autor: BESNIK MUSTAFAJ

Të martën e kaluar në mbrëmje, më 1 dhjetor, në një nga televizionet tona kombëtare u zhvillua një debat, që tërhoqi gjerësisht  vëmendjen e opinionit publik shqiptar. Jo vërtet për temën, edhe pse thelbësore e që ishte “Pse tha JO Merkel?”. Është fjala për refuzimin e fundit në radhë për çeljen e negociatave me BE. As për çka u tha rreth kësaj teme nga të ftuarit. “Tristement celèbre” do ta kishte cilësuar me siguri Volteri këtë debat, duke pasur parasysh sjelljen e Frrok Çupit kundrejt një zonje. Frrok Çupi është ai që është: i mplakur shumë keq dhe, me sa duket, pa ndonjë të afërt pranë që ta këshillojë për të shmangur daljet në publik. Por, “Tristement célèbre” ishte edhe sjellja e moderatores së debatit, Eni Vasilit, e cila, për më tepër, është bërë e njohur me një libër, ku merr në mbrojtje gratë e dënuara, të cilat kanë vrarë bashkëshortët e dhunshëm. Aty, në studion e saj, ajo e lëshoi të ftuarën e saj, zonjën Grida Duma si pre e një agresioni verbal të pashembullt nga ana e Frrok Çupit dhe mandej bëri sehir, edhe pse Agron Gjekmarkaj e ftoi disa herë të ndërhynte. Ndoshta ajo shpresonte që e agresuara të nxirrte nga çanta një revolver për ta vrarë agresorin për të merituar kështu empatinë e saj. Kjo nuk ndodhi.

Agron Gjekmarkaj është profesor Letërsie në Universitetin e Tiranës dhe njihet si njëri nga burrat më të ditur të kryeqytetit tonë. Kulturën e vet të gjerë ai e ka vënë prej vitesh në shërbim të interesit publik. Jo vetëm si mësimdhënës dhe drejtues në Fakultetin Histori-Filologji, por edhe si pjesëmarrës serioz dhe i palodhur në debatin publik, duke u shpërfaqur edhe në atë dimension universal, pa të cilin nuk do të mund të quhej intelektual. Ky përshkrim fare i përmbledhur i personalitetit kompleks të Agron Gjekmarkajt ka vlerën e kontekstit për të kuptuar sulmin që i bëri atij pak ditë më vonë Mustafa Nano. Në fakt, Mustafa Nano, sipas mënyrës së tij, sulmoi egërsisht edhe Grida Dumën dhe nëpërmjet saj sulmoi Partinë Demokratike dhe krejt opozitën. Po ashtu, ai mori në mbrojtje pa kushte Frrok Çupin, me të cilin, në respekt të vlerësimit të lartë që ka për veten, Mustafa Nano nuk do të pranonte asnjë përqasje. Pra, mbrojtjen e Frrokut ai e kishte vetëm si pretekst për t’i bëre shërbimin e radhës Edi Ramës.

Qëllimi i ndërhyrjes sime në këtë rast nuk është shprehja e ndopak solidariteti për Grida Dumën apo Agron Gjekmarkajn, të cilët i kam miq. Ata, të dy profesorë universiteti, me grada e tituj dhe polemistë të spikatur, janë plotësisht të aftë t’i dalin zot vetes. Unë do të përpiqem të shoh me pak fjalë vetëm mekanizmin e asaj që Andi Bushati e quan tashmë “propaganda e Edi Ramës”, rrjedhimisht të shoh edhe si përdoren nga Kryeministri deri në poshtërim disa njerëz të penës, përfaqësuesi më i shquar i të cilëve është Mustafa Nano.

Së pari duhet sqaruar përse Mustafa Nano dhe pas tij ca të tjerë “më të vegjël” iu vunë një pune të tillë lidhur me çfarë ndodhi në emisionin e Eni Vasilit. Episodi i përplasjes së Frrok Çupit me Grida Dumën u bë menjëherë virale në rrjetet sociale. Kjo, jo dhe aq për shkak të ndotjes që shkaktoi në debat Frrok Çupi. As edhe për shkak të mbrojtjes sulmuese, që tregoi Grida Duma. Të dy ishin brenda profileve të tyre të njohura nga publiku shqiptar. Por, për shkak të ndërhyrjes së Agron Gjekmarkajt, i cili nuk ia lejoi vetes të bënte sehir. Shpërtheu një admirim i madh në popullin dixhital për Agron Gjekmarkajn. Do të kisha thënë se ky admirim ishte i barabartë me përçmimin për Frrok Çupin.

Konstrukti kulturor i Agron Gjekmarkajt është i tillë, që ai do ta kishte pasur më të lehtë të shprehej në stilin ironik të Italo Kalvinos. Apo edhe të përdorte gjuhën e lartë, por të drejtpërdrejtë, që e thotë të vërtetën duke marrë një distancë nga pisllëku, të paraardhësit të tij familjar, At Zef Pllumbit. Por Agroni pati refleksin të merrte qëndrimin e një burri malësor tradicional, duke shpërfaqur edhe ligjërimin e përshtatshëm.

Pëlqimi shumë i gjerë që gjeti në opinionin publik replika e tij, për mua ishte në vetvete një fakt shumë i gëzueshëm, me një domethënie, që shkon dukshëm përtej rastit. Unë pashë aty se në atdheun tonë janë ende të shumtë ata, të cilët vazhdojnë të besojnë te vlerat tradicionale të burrit shqiptar. Sepse në mijëra e mijëra pëlqime drejtuar Agron Gjekmarkajt nuk shpreheshin përgëzime si ndaj ndonjë heroi të rrethanave, por thjesht vlerësime si ndaj një burri të mençur e me karakter, i cili bëri pastërtisht detyrën e vet si i tillë. Kisha filluar ta humbisja shpresën në ekzistencën e kësaj ndjeshmërie te shqiptarët e sotëm. Në këtë kuptim, më vjen ta falënderoj Agron Gjekmarkajn e t’i them se po, Shqipëria bëhet. Shqipëria bëhet, pra, dhe do t’i mbijetojë propagandës së Edi Ramës, pavarësisht zellit dhe këmbënguljes së propagandistëve të sojit të Mustafa Nanos, i cili kësaj here e kishte ndërtuar me shumë dinakëri paraqitjen e tij shkrimore. Së pari, duhej shpëtuar sadopak nderi i humbur i Frrok Çupit. Dhe kjo mund të bëhej vetëm duke e paraqitur atë si viktimë.

Frrok Çupi duhej të ngjallte mëshirë. Nuk kishte rrugë tjetër. Sipas Mustafa Nanos, Frrok Çupi është mirëfilli viktimë e Grida Dumës. Ai vërtet e humbi kontrollin e vetes, dhe kjo nuk ishte gjë e mirë, – gjykon Mustafa Nano, – por Grida Duma e paska provokuar shumë rëndë. Nga ana tjetër, vetë Grida Duma paska nxjerrë në pah qysh në fillim se është shumë e frustruar dhe se ajo pasqyronte po ashtu mirëfilli frustrimin e krejt opozitës për shkak se ajo (opozita) sheh që do t’i humbasë zgjedhjet e ardhshme kundrejt Edi Ramës. Me një fjalor të marrë hua nga Frrok Çupi, ai na shpjegon edhe pse humbja e opozitës në zgjedhjet e ardhshme është e pashmangshme. Madje, për t’u treguar deri në fund “shkencor”, ai na sjell edhe shpjegimin që jep Fjalori i Oksfordit për termin “frustrim” (frustacion) e që është “parehati, që dikujt i vjen prej ndjesisë a vetëdijes se është i paaftë për të arritur një objektiv”. Ai kujdeset kështu për ta shërbyer fitoren e ardhshme të Edi Ramës si një realitet të kryer tashmë, duke marrë pozën e arrogantit, që i di shumë mirë gjërat dhe i cili nuk mund t’i lejojë vetes as atë marzhin e vogël të gabimit, që paralajmërojnë zakonisht parashikuesit profesionistë. Kjo e ardhme e zymtë e opozitës përligj, sipas tij, edhe nervozizmin e Grida Dumës, e cila “ka qenë prore e qetë, elegante, e hijshme”. (Me këtë fjali Mustafai tregon anën prej kavalieri të karakterit të vet)

Dhe, në fund, radha për t’u ekzekutuar i vjen Agron Gjekmarkajt, “i cili e mbrojti Gridën në mënyrën më të gabuar të përfytyrueshme”. Kështu thotë Mustafai dhe pastaj citon Agronin t’i ketë kujtuar Frrokut: “Duhet ta respektosh gruan sepse ti je prej vendit, ku ka lindur Kanuni”. Po, këto qenë fjalët e Agron Gjekmarkajt. Nuk e dalloj dot nëse Mustafai nuk e ka kuptuar Agronin, nuk e njeh Kanunin apo edhe në këtë rast bën një nga ato hilet e tij të pahijshme për një polemist. Pasi na thotë postulatin e tij “se Kanuni është libri antigrua par excellence”, ai sjell në tekstin e vet disa citime të shkëputura nga konteksti e që gjenden në Kanun ose në apendixe-t që shoqërojnë botimin e Gjeçovit, të tilla si “Me rrahë burri gruan, nuk bjen në faj”. Apo “Gruaja ka për detyrë me i ndejtë burrit nën sundim”. Të gjitha citimet e Mustafait kanë të bëjnë me vendin e gruas përballë bashkëshortit të vet e që nuk është vendi këtu të merremi me to.

Nuk duhej t’i citonte as Mustafai. Sepse Agroni e di çfarë thotë. Me vetëdijen e profesorit të universitetit, ai është rigoroz me referencat. Këtë cilësi profesionale të Agronit nuk e rrok mendja e Mustafait. Në këtë rast, duke i kujtuar Kanunin Frrok Çupit, Agroni ka parasysh një sërë nenesh të tjera të së drejtës zakonore shqiptare, ku përcaktohet qartë ndalimi i rreptë që ka një burrë për ta lëshuar gjuhën me gruan e tjetrit (në rastin në fjalë Frroku) dhe detyrimin po aq të rreptë, që ka burri (në këtë rast Agroni) për të marrë në mbrojtje apriori edhe një grua të panjohur, në rrugë, kur sheh se ajo po lëndohet me fjalë nga një burrë tjetër.

Nuk po sjell edhe unë citime nga Kanuni në mbështetje të kësaj që po them, i bindur se është lehtë e verifikueshme, me kusht që teksti të lexohet në tërësinë e tij dhe jo ashtu siç i lexon librat, me sa duket, Mustafai, sa për të gjetur kuturu një citim ilustrues për idenë që ka paraprakisht të gatshme në kokë. Një lexim si ky që del t’i ketë bërë Mustafai në këtë rast Kanunit, nuk shërben për ta njohur, kuptuar e kritikuar atë, por vetëm për t’u shtirur në sytë e botës si i ditur. Me çfarë po shoh te përdorimi i citimeve kësaj here, Mustafai më kujtoi djemtë e provincës në moshën e rinisë sonë. Mustafai në Çorovodë e unë në Bajram Curr. Kur ndonjërit prej këtyre djemve i jepej mundësia për të zbritur në Tiranë, ai fillonte të “vishej”, duke marrë hua te shokët ku një triko, ku një setër, ku pantallonat e ku këpucët.

Unë me Mustafain jemi moshatarë. Mustafai është në të drejtën e tij të vihet në shërbim të Ramës. Por unë, si pjesëtar i brezit të tij, një këshillë dashamirëse do t’ia jepja: Rriji larg Ramës! Ai nuk ka respekt për shërbëtorët. Madje, argëtohet duke i poshtëruar, siç bëri para ca ditësh me njërin nga ministrat e tij më të përulur, të cilit, kur e pa që mbante çorape të kuqe, iu drejtua faqe kamerave të ERTV: Po ti, paske vjedhur çorapet e mia? Pastaj, me sinjalin e ERTV e shpërndau në të gjitha ekranet e vendit, që ta shohim ne e të argëtohemi me cinizmin e tij.

 

Marrë nga Panorama

Të fundit