E premte, 19 Korrik, 2024

Sa të bukura fotot tuaja me shokët në kafe!

Eshtë e vështirë t’i thuash Jo një miku, kolegu, të afërmi për një kafe? Ka me qindra që e bëjnë. Që prej marsit të këtij viti të mbushur me Covid dhe vdekje kanë krijuar qefmbetje e përpiqen të respektojnë distancën dhe kontaktet shumë të ngushta me të tjerët. Eshtë shumë e vështirë që atë kafe, atë drekë e darkë ta bëjnë në shtëpi dhe vetëm me të shtëpisë? Për disa duket se po.

Autor: Alba Malltezi 

Janë të bukura fotot tuaja në rrjetet sociale. Katër apo pesë shokë a shoqe të ulur bashkë në kafe, afër e afër, pa maska, të buzëqeshur, të lumtur, të kënaqur. Lum ju që keni njëri-tjetrin e pa njëri-tjetrin nuk bëni dot. Vetëm se Covid ende ekziston dhe njerëzit ikin përditë nga kjo jetë. Dikush arrin të shërohet, dikush ka të ardhura të mjaftueshme për t’u kuruar e shpëtuar në klinikat më të mira në Europë, dikush bën apel për të mbledhur fonde, dikush… nuk arrin të shpëtojë edhe nga mjekët më të specializuar, edhe pse familja e dëshpëruar mblodhi mijëra e mijëra euro për të dashurin e zemrës.

Sa antipatike unë që po jua them, që jua kujtoj. E pse e bëj këtë? Ç’më duhet t’u jap mend të tjerëve për jetën e tyre! Fituam këtë liri e demokraci vetëm të jemi të lirë të bëjmë atë që dëshirojmë.

Po ju tregoj një histori të vogël në mes të qindrave që mund të njihni e mund të keni dëgjuar. Martohej vajza e filanes në një qytet të vogël të Shqipërisë së mesme. “Do të bëj një dasmë të vogël”, tha. “Një vajzë kam e nuk mund të martohet kështu pa një festë”. U habitën në fis, por nuk ja prishën. Si mund t’i thuash jo filanes, cilado qoftë, kur marton vajzën e vetme! U mblodh rrethi më i ngushtë dhe festoi, ja ashtu si në këto tavolinat që ju publikoni në rrjetet sociale. Nga ajo festë u infektuan mbi 10 vetë, përfshi edhe e zonja e familjes, por nuk vdiq ajo. U përkeqësua dhe në pak ditë vdiq një nga të afërmit, një nga më të mirët që një fis e një shoqëri kishte njohur. Fjalë ëmbël e i dashur, në moshën më të bukur. Sapo kishte nisur të shijonte bashkë me të shoqen pensionin. Fëmijët janë rritur, janë të zotë të vetes. U sëmur edhe bashkëshortja nga ajo dasëm, por shpëtoi, shpëtoi e dënuar të jetojë me dhimbjen e largimit të parakohshëm të bashkëshortit dhe me brengën e përjetshme të asaj dasme që i dënoi.

Eshtë e vështirë t’i thuash Jo një miku, kolegu, të afërmi për një kafe? Ka me qindra që e bëjnë. Që prej marsit të këtij viti të mbushur me Covid dhe vdekje kanë krijuar qefmbetje e përpiqen të respektojnë distancën dhe kontaktet shumë të ngushta me të tjerët. Eshtë shumë e vështirë që atë kafe, atë drekë e darkë ta bëjnë në shtëpi dhe vetëm me të shtëpisë? Për disa duket se po. Nuk është shtëpia apo familja, për disa, ndoshta vendi më i qetë, shplodhës dhe argëtues, por duhet edhe pak kohë dhe e gjitha do të kalojë. Nuk janë interesantë, rebelë rregullash ata që sot sfidojnë masat antikovid, por ata që me sakrificë, durim e dhimbje, i respektojnë. (Javanews)

Të fundit