E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZIGZAG: REMINISHENCË HISTORIE

Një miku im, Xhelali, teksa llafosim për kohërat e perenduara ama të jetuara, më thotë, një ditë, si nuk nis të shkruash për ato momente që, nga kjo distancë, e plotësojnë mozaikun e ecjes sonë më të re, nëpër kohë! Sadoqë nguroj t’i them po, prapëseprapë, sikur më vjen edhe unë t’ju shtohem atyre të cilët atë që e ndjejnë – e hedhin në kompjuter! Pa çka se, t’i që po më lexon, edhe mund të mendosh ndryshe!

 

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Kur mësonim fillet e historisë sonë, të asaj kohe të perenduar, se si më shpërfaqeshin, një pas një, rrëfimet e Lokes, për të huajtë e stacionuar në Malësinë e Sharrit, për atë kohë, kur ata në lejonin as gëk as mëk: Ishin ndërruar shumë uniforma, por çuditërisht ata kishin folur gjuhë të huaj, ndaj gjithçka bënin me terxhimen! Kur mungonin këta të fundit, ata komunikimin e bënin me ‘arm’e me topa’. Lokja, rahmet pastë, mbante mend djegien e Veshallës, nga ‘serbi i parë’, po e mbante mend edhe ‘otkupin’, kur ‘pushtetit populluer’ i lipsej ‘buk’e kripë’ dhe diçka më shumë. Babai, edhe sot flet me mall për mësuesin me mbiemrin Agolli që kishte ardhur nga Shqipëria, pas Çlirimit, për të përhapur dritën e diturisë në Bozovcë, por edhe përlotet kur kujton ‘atë ditë kur erdhi milicia e ia vu prangat’. Duhet të ketë qenë tamam koha e prishjes së miqësisë jugosllavo-shqiptare, tamam-tamam e Informbyrosë…

…Kishin kaluar kohëra e kohëra. Analfabetizmi kish nis të ç’rrënjosej, aniqë kishte pasur hafiza se të shkosh në shkollë ishte si të ndërrosh fenë. Kishte pasur edhe të atillë që kërkonin shpëtimin në Stamboll, por edhe hoxhallarë të cilëve nuk u bënte syri tërr tek rikujtonin se guri i rëndë peshon në vend të vet!

Kishin kaluar kohëra e kohëra, kohë kur Lala Mize më fliste se në brigadën ku kishte ruajtur një tufë dhensh, e kishte një shok që shqipen kishte folur më më mirë se ai, por që ‘e mëshefte se është është i joni’. La Mize thoshte se pleqtë e Lazarit, që kishte pasur rastin t’i njohë, ‘as që kishin pasur haberin për ndonkë gjuhë tjetër’!

Kishte kaluar kohë e njerëzit kishin nisur të dëgjojnë për Kosovën e Prishtinën. Të dëgjojnë edhe t’i shohin. Sepse, shkohej atje, bëhej shkollë, e ktheheshe më i mençur, natyrisht!
Dhe, shih tani, tani kishin shpërthyer edhe probleme: Plisabardhët nisën të çojnë krye! Kishin nisur të flasin pa havale e mbarre! Kishin braktisur punimin e tokës e ruajtjen e bagëtive dhe, shih ti, në vend të bukës së thekërr-misrit – kërkonin pogaçe!

Po vjen një ditë e të sjellë dhe dritë! Kur i hap sytë! Dolën ca burra që ditën të çelin udhët, dolën ca djelmosha që patën kurajon të thonë se ‘ne, kaq ditëm e kaq bëmë’! Ca të tjerë i morën punët në dorë, atje e atje, këtu e andej! Dhe, sot, jemi këtu ku jemi! Kohërat, dua të them, ndryshuan, më saktësisht na i ndryshuan. Këtë meritë, atyre që ishin kryeprotagonistë, nuk duhet t’ua hamë! Duhet të ndërrojmë dhe vet ne: që punëve t’ju shkojmë deri në fund, që pikën ta vëmë aty ku duhet – mbi I – në dhe të japim xhavap- pa terxhimen. Punët e mira, punët që duken, apo jo, flasin vet!

Të fundit