E premte, 26 Korrik, 2024

PSE NUK DUHET LEGALIZUAR PËRDORIMI I MARIHUANËS PËR QEJF?

Maqedonia e Veriut nuk është as Holandë e as Çeki që legalizimi i marihuanës të jetë një shtytje për ekonominë. Nëse shihet anarkia e mosrespektimit të ligjit kundër thithjes së duhanit në hapësira të mbyllura, mund vetëm të paramendohet se çka mund të sjellë lejimi i thithjes së marihuanës.

Autor: Xhelal Neziri

Kryeministri Zoran Zaev ka paralajmëruar legalizimin e marihuanës edhe për përdorim rekreativ. Para katër viteve u legalizua për përdorim mjekësor pasi besohej se mund të ndihmojë në kurimin e disa sëmundjeve. Tash si arsye përmendet zhvillimi i turizmit.

“Ideja është të japim një mundësi në vendet turistike, përfshirë Shkupin, kafenetë ekzistuese dhe ato të reja, duke respektuar standarde të caktuara – ventilimi, prova e origjinës së marihuanës, etj., për të mundësuar konsumimin e marihuanës brenda tyre”, ka deklaruar Zaev për DW.

Ndërkohë që blloku opozitar i përbërë nga VMRO-DPMNE dhe ASH/AAA deri tash nuk ka qenë i zëshëm kundër këtij qëllimi të kryeministrit, partitë shqiptare në qeveri – BDI, BESA dhe PDSH thonë se nuk kanë qëndrim për këtë çështje. Fitohet përshtypja se kush zëshëm e kush në heshtje e shtyjnë idenë e legalizimit të marihuanës për përdorim rekreativ, apo popullorçe thënë – për pikën e qejfit.

Deri më tash qeveria nuk ka dalë me të dhëna statistikore që do të ndihmonin ekspertët të ndërtojnë një qëndrim të bazuar pro ose kundër. Ekspertët e shëndetësisë nuk janë dëgjuar të shpjegojnë efektet negative të marihuanës. Policia nuk ka të dhëna për lidhjen e marihuanës me rastet e shkeljeve të ligjit, krimit apo të aksidenteve në komunikacion.

Në momentin kur bëhen përpjekje globale  për ngritjen e vetëdijes për dëmin nga thithja e duhanit, ka shumë shtete në botë që kanë lejuar përdorimin e kanabisit dhe drogave të lehta për rekreacion. Por, statistika i ka demantuar keq.

Studimet kanë treguar se marihuana për përdorim rekreativ ka shumë efekte të dëmshme shëndetësore. Është drogë që krijon varësi me efekte anësore në shëndetin mendor, trurin dhe sistemin e frymëmarrjes. Numrat kanë konfirmuar se ngarja e makinës në gjendje të dehur me marihuanë rrit shumë rrezikun e aksidenteve fatale në komunikacion. Sipas evidencave, përplasjet fatale të automjeteve që përfshijnë ngrahës të dehur me marihuanë janë trefishuar gjatë dekadës së kaluar. Ka pasur një rritje deri në 6 përqind të numrit të aksidenteve në autostradë në shtetet ku është legalizuar përdorimi rekreativ i marihuanës.

Në Maqedoninë e Veriut numri i aksidenteve fatale është i lartë edhe pa legalizimin e marihuanës. Sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në 10 vitet e fundit, në aksidente të trafikut mesatarisht kanë vdekur 157 persona në vit. Liderë sipas numrit të njerëzve të vdekur në aksidentet e trafikut në Evropë janë Rumania dhe Bullgaria me 9.5 persona të vdekur për 100 mijë banorë. Nëse numri prej 157 rasteve të vdekjes pjestohet me 2 milionë banorët e vendit del se kemi 7.9 persona të vdekur për 100 mijë banorë. Por, regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut ishte 18 vjet më parë dhe, sipas vlerësimeve, në vend banojnë rreth 1.7 milionë banorë. Nëse numrin e aksidenteve fatale e pjestojmë me këtë numër, atëherë Maqedonia e Veriut ngrihet në shoqërinë e Rumanisë dhe Bullgarisë me 9.3 persona të vdekur në vit për 100 mijë banorë. Vetëm për krahasim, mesatarja e BE-së është 4.9 vdekje në vit në aksidente trafiku, Gjermania ka 3.9, Danimarka 3.2, Britania e madhe 3.1 dhe Suedia 2.5 raste të vdekjes.

Parashtrohet pyetja: pse atëherë qeveria kërkon ta legalizojë marihuanën për përdorim qejfi? Turizmi mund të jetë një arsye, por jo e vetmja. Legalizimi i biznesit të marihuanës për qëllime mjekësore në vitin 2016 tërhoqi shumë investime, midis të cilave edhe kompani të lidhura me familjen e kryeministrit Zaev.

Por, nuk shkoi ashtu siç planifikohej. Qeveria priste që prodhimet e marihuanës, si vaji i kanabisit, të arrijnë të kenë një qarkullim prej 100 milionë euro vit. Megjithatë, llogaritë përfundimtare për vitin 2018 tregojnë se njëzet kompanitë e licencuara po investojnë shumë më tepër sesa fitojnë deri më tani. Vitin e kaluar, ata raportuan shpenzime prej 3.3 milionë euro, duke fituar vetëm 300,000 euro.

Tregu i brendshëm nuk ka kapacitet për të absorbuar prodhimin. BE më shumë është e interesuar për lulet e thata të marihuanës, por kjo nuk është e lejuar me ligj. Deri më tani, ligji lejon vetëm vajrat, ekstraktet dhe tinkturat, të cilat, sipas kërkesës, përbëjnë vetëm 30 përqind të tregut. 70 përqind e tjerë janë sytha të bimës, të cilat mund të thithen si duhan.

Sidoqoftë, zgjerimi i tregut vendor për prodhuesit e marihuanës është një gabim i madh që do të ketë pasoja rëndë të riparueshme. Maqedonia e Veriut nuk është as Holandë e as Çeki që legalizimi i marihuanës të jetë një shtytje për ekonominë. Nëse shihet anarkia e mosrespektimit të ligjit kundër thithjes së duhanit në hapësira të mbyllura, mund vetëm të paramendohet se çka mund të sjellë lejimi i thithjes së marihuanës.

Të fundit