E premte, 17 Maj, 2024

NDAHET NGA JETA ISH-PRESIDENTI FRANCEZ VALERY GISCARD D’ESTAING

Ish-presidenti francez, Valery Giscard d’Estaing, një ndër kryearkitektët e integrimit evropian, u nda nga jeta në moshën 94-vjeçare, njoftoi të mërkurën Pallati Elysee.

Zoti Giscard, i cili udhëhoqi Francën nga 1974-1981, ishte shtruar kohët e fundit në spital në Francën perëndimore dhe po mjekohej në pavionin e kardiologjisë, sipas radios Europe 1, e cila ishte e para që e njoftoi vdekjen.

Ish-udhëheqësi francez kujtohet për prirjen për modernizimin e shoqërisë franceze, duke lejuar divorcin me mirëkuptim dypalësh, legalizimin e abortit, si dhe ishte një ndër arkitektët e integrimit evropian.

I zgjedhur president në moshën 48-vjeçare, ai erdhi në post pas udhëheqjes së stilit të De Golit dhe u përpoq të liberalizonte ekonominë dhe normat sociale. Ai humbi në përpjekjet për rizgjedhje përballë socialistit, Francois Mitterrand.

Giscard krijoi lidhje të ngushta me ish-kancelarin e Gjermanisë Perëndimore, Helmut Schmidt me të cilin hodhën themelet për një monedhë të përbashkët evropiane, pasi krijuan Sistemin Monetar Evropian.

Agjencitë e lajmeve rikujtojnë se për mëse tri dekada ai llogaritej presidenti më i ri i Francës, më saktësisht deri në fitoren e Emmanuel Macronit 39 vjeçar, i cili ishte nëntë vjet më i ri se Giscard kur mori postin e shefit të shtetit francez.

Të fundit