E enjte, 2 Maj, 2024

ALEKSANDAR OLENIK: ËSHTË E MUNDSHME MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI ME NJOHJEN E KUFIJVE EKZISTUES

Aleksandar Olenik është avokat dhe aktivist i njohur i shqoërisë civile në Beograd. Në paraqitet e deritashme publike, kur është fjala për problemin e Kosovës, ai ka mbrojtur tezën se Kosova faktikisht është e pavarur dhe cknform kësaj, duhet një marrëveshjeje e gjithëpërfshijshme, juridikisht e detyrueshme, si kusht për mes dy vendeve por dhe më gjerë në rajon. Në një intervistë për TV Klan Maqedoni, z. Olenik tha se është i bindur se administrata e re e presidentit amerikan Joe Biden do të mbështesë një marrëveshje mes Serbisë e Kosovës duke respektuar kufijtë ekzistues.

 

Bisedoi: Seladin XHEZAIRI

 

Si e shikoni mundësinë e zgjidhjes së kontestit të Kosovës duke pasur parasysh që situata politike edhe te ju në Beograd, edhe në Prishtinë, nuk është aq e mirë sa për të dhënë shpresë për zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës?

 

Aleksandar Olenik: Nuk besoj se do të jetë e shpejtë, keni të drejtë, por mund të na befasojë. Unë mendoj se zgjidhja e çështjes së Kosovës është rreth marrëveshjes, juridikisht të detyrueshme e gjithëpërfshirëse, sido që ta quajmë, por thelbi është se të dyja palët në këtë marrëveshje, do të thotë pala kosovare dhe ajo serbe, të jenë të kënaqura, por jo vetëm elita politike, pushteti aktual, por që edhe qytetarët e Kosovës, edhe të Serbisë, ta pranojnë këtë marrëveshje. Vetëm marrëveshja që është e pranuar nga të dyja palët shpie drejt stabilitetit, sepse stabiliteti është ajo për të cilën kemi nevojë. Problem i madh, sipas meje në rrugën drejt kësaj marrëveshje janë elitat aktuale politike, në Kosovë dhe në Serbi, sepse ato janë elita të luftës, që kanë dalë nga lufta në Kosovë dhe kjo ka bërë që të ngjiten në pustet, sidomos që në Beograd të kemi presidentin e Republikës Vuçiqin, Daçiqin dhe të tjerët – të gjithë ata kanë qenë në pushtet edhe gjatë konfliktit dhe e gjeneruan këtë konflikt,e prodhuan këtë konflik, kështu që nga njëra anë mund të themi se do të ishte e drejtë që pikërisht ata në Beograd të jenë nënshkrues të asaj marrëveshje, nëse në ato momente do të jenë në pushtet, por sidoqoftë përgjegjësia e tyre është më e madhja.  Sa i përket Kosovës, për aq sa unë mund ta ndjek prej këtu, elita e luftës, e cila doli nga konflikt po ashtu është në pushtet, por mendoj se për momentin po bëhen disa ndryshime: e kemi Lëvizjen Vetëvendosje dhe zotin Albin Kurti që nuk është pjesë e kësaj elite të luftës, që nuk u pasurua gjatë luftës, që një pjesë të madhe konfliktit, sa e di unë, e kaloi në burg në Serbi, prandaj kujtoi se ai nuk mund të llogaritet pjesë e elitës së luftës që aktualisht është në pushtet. Çmoj se edhe në Serbi do të ishte më mirë sikur të mos i kishim në pushtet elitën e luftës, nacionalistët me të cilët është goxha vështirë të arrihet çfarëdo marrëveshje e arsyeshme. Por duhet patur parasysh edhe presionin e jashtëm, përkatësisht dëshirën edhe të Kosovës edhe të Serbisë për t’ju bashkuar Bashkimit Evropian dhe kjo dëshirë dhe ky vendim politik i të dy shteteve që të shkohet drejt Bashkimit Evropian është diçka që ushqen shpresën.

 

Por, sa i përket Kosovës, fitohet përshtypja se edhe opozita serbe është, si të them, ‘më katolike se papa’!

 

Aleksandar Olenik: Keni të drejtë, aktualisht, do të jem shumë deri në fund i sinqertë me ju, opozita serbe gati se nuk ekziston, pas zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, sa për shkak të bojkoimit të tyre të paarsyeshëm dhe të dëmshëm, sa për shkak të gjendjes së vështirë, në kuptimin organizativ, të opozitës dhe kjo është e ndarë në dy pjesë: kemi opozitën e djathtë nacionaliste, klerikale, e cila ka hapësirë të madhe mediatike, sepse disa nga liderët e saj posedojnë kapacitete të konsiderueshme mediatike, por nëse kalohet nëpër Serbi mbështetja nga e qytetarëve për këtë opozitë është relativisht e vogël, madje ndoshta edhe nuk ekziston jashtë Beogradit. Nga ana tjetër, kemi opozitën demokratike qytetare, së cilës i përkas edhe unë, që duhet të pranojmë, për fat të keq, po ky është realitet që duhet thënë, e cila në kupmtimin organizativ thuajse në këtë moment edhe nuk ekziston. Ka disa shoqata të qytetarëve, ka disa individë të cilët po mundohen të bëjnë diçka, por kjo për momentin është dukshëm e dobët. Në këtë këndvështrim, keni të drejtë: kjo opozita e zëshme nacionaliste po mundohet ta tërheqë Vuçiqin në të djathtë, përkatësisht të jenë më nacionalistë se Vuçiqi, që që në start është përpjekje e dështuar. Së dyti ndoshta edhe është më mire të mos ketë asgjë sepse ne nuk na duhet një opsion edhe më i keq se Vuçiqi në pushtet. Prandaj, ne pjesa civile e opozitës demokratike themi se nuk është e rëndësishme vetëm që ta mposhtim Vuçiqin, por edhe më rëndësishme nga kjo është se kush do të vijë në pushtet pas Vuçiqit, do të kemi në pushtet dikë më të keq, përse do të na duhej kjo? Kemi, nëse më lejoni, edhe shembullin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe prefektin e Banja Llukës, të riun nga opozita, në raport me zotin Dodik, por që është nacionalist më i madh dhe problem më i madh se ç’është vetë Dodiku, kështu që nëse tërheqim ndonjë paralele, mendoj se ndryshim i këtillë në Beograd nuk është i nevojshëm.

 

Këto ditë, profesori amerikan, njohës i mirë i çështjeve në rajon, Daniel Server, deklaroi se pret marrëveshje në mes Prishtinës dhe Beogradit, të bazuar në integritetin territorial dhe sovranitetin e të dy shteteve. A është e mundur një marrëveshje e tillë?

 

Aleksandar Olenik: Unë mendoj se kjo është rruga e vetme e mundshme dhe e drejtë, sepse çfarëdo bisedime e negociata dhe çdo çelje e hapësirës për ndonjë baraspeshë territoresh, si do që ta quajmë, që deri-diku ishte e mundshme në administratën e presidentit Trump është më e keqja, sepse kjo do të thotë se ne serbët dhe shqiptarët nuk mund të jetojmë bashkë, nuk mund të jetojmë as pranë njëri-tjetrit, por duhet të vizatojmë kufij dhe të mos përzihemi, kjo është mënyra e vetme për të mbijetuar. Unë jam thellësisht i bindur se kjo është e gabuar, ne mundemi dhe duhet të jetojmë bashkë në gjithë këtë territorin e Ballkanit. Gjashtë vite kam qenë në Kosovë, kam përfaqësuar në gjykatat e atjeshme qytetarët edhe të Kosovës edhe të Serbisë dhe mund të them se ata mund të jetojnë bashkë dhe dëshirojnë të jetojnë bashkë, por problem janë elitat politike që u krijuan në luftë dhe që interesin e tyre politik, por edhe ekonomik, e shohin në ruajtjen e mëtejshme të tensioneve për shkak se thjesht nuk kanë çfarë të ofrojnë përveç konflikteve. Nacionalistët duhet të kenë edhe ndonjë problem të ndonjë armiku që të mund të bëjnë mobilizimin e qytetarëve. Ky është problemi i vetëm politik i të gjithë nacionalistëve, pra edhe këtu tek ne. Unë jam i bindur që administrata e re e presidentit Bajden do të këmbëngul për marrëveshje pa ndryshimin e kufijve dhe që marrëveshja të gjendet në suaza të kufijve ekzistues dhe kjo do të thotë se serbët dhe shqiptarët duhet të jetojnë njëri me tjetrin, si në jugun e Serbisë, në Luginën e Preshevës, ashtu edhe në gjithë territorin e Kosovës.

 

A ka gjasë që së shpejti të arrihet marrëveshja përfundimtare ose kjo ka për të zgjatur?

 

Aleksandar Olenik: Nuk është e udhës të bëhen parashikime. Nga perspektiva e tashme, do të thoja kjo nuk do të arrihet për së shpejti, por e lë të hapur opsionin që të gjithë të befasohemi nga një marrëveshje që do të mund të vinte relativisht shpejt. Gjërat edhe në aspekt teknik, edhe politik, në nivel teknik, në këto negociata, janë përkufizuar dukshëm dhe, për mendimin tim, në esencë punët janë dakorduar. Vetëm pritet momenti kur të dyja palët të vlerësojnë se për ta është politikisht e levërdishme ose politikisht e mundshme që edhe formalisht të bëjnë nënshkrimin dhe zbatimin e ktij lloji të marrëveshjes. Nëse e shikojmë gjendjen në Serbi, e kemi presidentin e Republikës dhe partinë e tij me pushtetin absolut dhe ata aktualisht dhe gjatë disa viteve të ardhshme janë absolutisht në gjendje që të zbatojë edhe amendamentet kushtetuese edhe referendum nëse do të jetë e nevojshme, ose që të dyja, me qëllimin e vetëm që marrëveshja për të cilën po negociojnë të zbatohet në vepër. Nuk jam i sigurtë se edhe në palën kosovare situata është e këtillë, por mendoj se së shpejti mund të jetë kështu edhe në Kosovë. Thelbi është se pa një marrëveshje të këtillë dhe pa stabilizim e kësaj fushe, as  qytetarët e Serbisë, as të Kosovës, nuk do të mund të përparojnë as drejt Bashkimit Evropian dhe as integrimeve të tjera evropiane dhe kjo është e dëmshme për të gjithë. Për të gjithë, përveç se për elitën politike dhe për kriminelët. Në qoftë se e shihni Veriun e Kosovës, atje disa ligje vlejnë, disa ligje nuk vlejnë, as të Republikës së Serbisë, as të Republikës së Kosovës dhe nga kjo më së shumti përftojnë kriminelët. Mendoj se nuk është qëllimi as i qytetarëve të Serbisë, as të Kosovës që kriminelët të shfrytëzojnë këtë situate, kurse nga ana tjetër vetëm Rusia ka interes që vazhdimisht të ketë ndonjë problem në Ballkan dhe ajo të ketë njëfarë ure. Në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe arritjes së njëfarë stabilitetit as Rusia nuk do të kishte kurrfarë roli as që do të kishte kush ta pyeste në Ballkan dhe kjo për ata është e papranueshme, por për ne kjo është zgjidhja e vetme. Përgjigja për pyetjen tuaj, sa i përket kohës është se nuk mund të them se së shpejti do të ketë diçka, por nuk do ta përjashtoja këtë mundësi.

 

Zoti Olenik, më intereson komenti juaj rreth tensioneve më të reja në mes Serbisë dhe Malit të Zi. Në fakt, si ndodhi ajo përsëritja, do të thoja e të ashtuquajturit ‘Revolucioni i jogurtit’? Në fillim të viteve të 90-ta, nëse ju kujtohet, edhe nga pala serbe edhe nga ajo malazeze flitej për Serbinë dhe Malin e Zi si për ‘dy sytë e ballit’. Sot kemi arritur deri aty sa Podgorica së pari e dëbon ambasadorin serb, kundërpërgjigjet Beogradi zyrtar e pastaj bëhet pishman. Si e vlerësoni këtë kontest më të ri?

 

Aleksandar Olenik: Shtruat shumë pyetje, por ajo që është me rëndësi, keni të drejtë, kjo është kopje e të ashtuquajturit ‘Revolucioni i jogurtit’, dhe madje nëse shikohen personalitetet dhe pjesëmarrësit dhe nëse anlizohet se si bëhet dhe kjo është që së pari të shpallet se serbët janë në rrezik, që natyrisht ishte gënjeshtër edhe gjatë viteve 90-të dhe, edhe tani është gënjeshtër, për pozitën e serbëve në Mal të Zi, dhe prandaj duhet të vijë dikush që t’i shpëtojë. Ata të cilët shpëtojnë janë natyrisht nacionalistët. Kësaj radhe të ndihmuar shumë nga Kisha Ortodokse Serbe. Ekziston një bërthamë nga vitetet e nëntëdhjeta nga Kosova, Bosnja,  Kroacia. Ky yrnek, për fat të keq u aplikua edhe gjatë këtij viti në Mal të Zi. Absolutisht nuk është I rrezikuar populli serb në Mal të Zi, dhe aq më pak se ka nevojë që dikush ta shpëtojë, aq më tepër jo Kisha serbe në Mal të Zi e cila merret me politikë dhe jo me religjon dhe ky është problem i madh edhe nesër kur duhet të formohet qeveria e re në Mal të Zi, e cila do të pasqyrojë vetë një pakicë në Mal të Zi – pakicën serbe, që për mua është e pabesueshme në Evropën e shekullit XXI. Gjithashtu, do të pasqyrojë një Kishë në Mal të Zi –  Kishën Ortodokse Serbe, prandaj do të kemi qeveri e cila do të përfaqësojë një pakicë dhe dhe një Kishë në Mal të Zi. E kemi një president legalisht të zgjedhur që nëse nuk gabohem është në gjysmën e mandatit të tij dhe po hyjmë në të ashtuquajturin ‘kohabitim’ dhe faktin se diferenca e shumicës është vetëm një deputet më tepër. Mali I Zi është para një kohe me turbulencë për demokracinë e tyre dhe marrëdhëniet në shtet. Do të jetë goxha interesante për ta ndjekur. Sa i përket shpalljes reciprokisht ‘persona non grata’, mendoj se përgjigja e Serbisë, në start, ishte e panevojshme. Dorën në zemër, ambasadori Bozhoviq i Serbisë në Mal të Zi, e ka merituar kaherë të dëbohet, përkatësisht të shpallet ‘persona non grata’, dhe thjesht ngjarjet e fundit lidhur me të ashtuquajturin ‘Kuvend i Podgoricës’ ishin pika që mbushën kupën.

 

Raportet nga Podgorica thonë se përbërja e qeverisë së re malazeze është e atillë që shumica e anëtarëve të Kabinetit të zotit Krivokapiq është ose ideologjikisht ose familjarisht e lidhur me Kishën Ortodokse Serbe. Përjashtim bën lideri i Lëvizjes qytetare ‘URA’, Dritan Abazoviq. Cili do të jetë roli i këtij koalicioni, a do të jetë korrigjues i qeverisë së re, çfarë prisni?

 

Aleksandar Olenik: Po le t`u japim kohë, ato 100 ditët e famshme dhe të shohim… Ajo që mund të thuhet në këtë kohë është se z. Abazoviq dhe organizata e tij politike kanë përgjegjësi të madhe dhe kanë marrë presion të madh mbi vete. Kur e them këtë mendoj për dy gjëra: ata nuk guxojnë të lejojnë të jenë pjesë e asaj qeverie dhe ajo qeveri të mos zbatojë një pjesë të programit të tyre demokratik dhe qytetar dhe të heshtin për këtë, do të thotë, sipas meje, nuk duhet të lejojnë që qeveria të vazhdojë dhe këto forca kleronacionaliste të forcohet edhe më shumë dhe për një apo dy vite, kjo forcë e konservatorëve të djathtë ta rrëzojnë këtë qeveri dhe të kërkojnë zgjedhje, kur të vlerësojnë se do t`I fitojnë ato. Mendoj se “Ura” duhet të veprojë ngjajshëm, do të thotë të jetë në qeveri vetëm nëse ajo qeveri zbaton politikë qytetare dhe demokratike. Në momentin kur do ta ndjejnë se nuk mund ta zbatojnë këtë politikë ata duhet të largohen nga ajo qeveri dhe të thonë se ‘ne nuk mund t’i përfaqësojmë qytetarët nga të cilët e kemi marrë mandatin, nuk dëshirojmë të jemi mbulesë për palën tjetër dhe të lejojmë që, derisa jemi në atë qeveri, të punohet në kundërshtim me planet dhe programin tonë’. Nëse arrijnë që si partner më i dobët i koalicionit, pjesërsiht ta zbatojnë programin e tyre politik, kjo është për lëvdatë, por do të ishte për t’u gjykuar, nëse do të shërbejnë si mbulesë  për përforcimin e mëtejshëm institucional dhe jashtinstitucional të forcave të djathta, të cilat vetëm se i kanë shfrytëzuar për të fituar pozicionet e pushtetit, për të marrë pushtetin, kurse më vonë t’u mundësojë edhe fitore në zgjedhje.

Të fundit