E mërkurë, 12 Qershor, 2024

Statistikat e heshtjes sonë

I kërkoj statisticienëve të na numërojnë Ne. Të numërojnë sa prej Nesh kanë heshtur gjithë këto vite, duke e inkurajuar Atë të na mendojë ne si aleatë, duke mos e lejuar Atë që bërtasë për ndihmë. Këto janë statistikat që më interesojnë mua.

 

Autor: Zoran Kesic

Do të ishtë e lehtë të gjendeshin statistikat mbi numrin e grave të vrara, të përdhunuara, të rrahura që nga fillimi i vitit deri tani.

Ne mund t’i krahasojmë këto të dhëna me ato të vitit të kaluar, të vitit para atij, dhe vitit më para akoma, dhe të nxjerrim disa përfundime.

Ne madje mund të llogarisim momentin e ditës (apo është orë?) kur është kryer secili krim i dhunshëm ndaj një gruaje nga burri, i dashuri, partneri i saj …

Ne nuk do e bëjmë këtë tani, sepse edhe pse numrat janë aq të frikshëm, dhe statistikat aq shkatërruese, numrat na turbullojnë vizionin që ne kemi për Atë.
Sepse, le të jemi të sinqertë, është pothuajse gjithmonë Ai.

Mashkulli, burri, babai, shumë shpesh një fqinj me reputacion, i besueshëm në punë, i dashur nga grupi i tij i miqve, një burrë familjar, tradicional, megjithatë pak nervoz dhe që “i ikën mendja” kur pi disa gota.

Për publikun, një burrë i nderuar. Një tiran në jetën private.

I ndershëm dhe i denjë mes miqsh, i dhunshëm në shtëpi.

I sjellshëm për gjithë të tjerët, Xhelati i Saj.

Ky është privilegji i saj, e drejta e saj ekskluzive për të qenë gruaja e një ekzekutuesi. Është gjithashtu një angazhim, për ta mbajtur për vete këtë nder, të mishëruar (heh, “të mishëruar”) në mavijosje, prerje dhe plagë, për të mos e ndarë kurrë me të tjerët, sepse – çfarë do të thonë të gjithë?

Veçanërisht në qytetet e vogla. Turpërim i çastit.

Dhe rrahja e Saj nuk do të jetë turpërimi i Tij. Ai është burri, në fund të fundit.

Do të jetë turpërimi i Saj. Ai nuk do ta rrihte atë nëse ajo do të ishte e mirë.

Si është ajo fjala, ‘zonjë në rrugë, kurvë në shtrat’?

Po mirë, merrni vesh diçka, diku do të ketë gabuar ajo, se ai nuk do ta bëntë kot këtë veprim.

Bota është mizore, dhe ndonjëherë të durosh goditjet është më pak e dhimbshme për Atë. Ajo mund të ruajë dinjitetin e saj, të paktën për botën jashtë.

Dhe xhelati ka besim për këtë. Ai e di që viktima do të rrijë e heshur, çfarë mund të bëjë tjetër?
Ajo ka vlerë për të, dhe pse e shkel me këmbë.

Ajo ka vlerë sepse ku tjetër, përveç hapësirës intime të dhunës familjare, ai do të ishtë në gjendje të ngrinte dorën?

Ai, një frikacak para të gjithëve, përveç Asaj.

Ai, që nuk ka frikë vetëm pasi ka pirë ca gota dhe ka goditur atë; pasi i del pija ai ka frikë mos Ajo do ta denoncojë, do ta lërë. Ndaj, ai bën sikur është i mirë, i kushton vëmendje, mbase edhe i blen një dhuratë, megjithëse dhurata më e madhe është që ai nuk po e rreh atë. Është dashuri e vërtetë, të paktën deri kur fillon e rrahura e radhës, apo derisa ai ta vrasë atë.
Publiku tregon ndjeshmëri.

Është traditë që një burrë të ‘godasë’ një herë në hënë.

‘Ajo është grua, ajo duhet të dëgjojë’.

‘Çfarë ka veshur kështu?’ ‘Ai e ka dashur shumë’

Çdo media e mirë mund ta lexojë sallën dhe të ndjekë shijen e audiencës dhe më pas të vendosë titujt.

Xhelati nuk është një xhelat, ai është një ‘burrë i zhgënjyer’. Një krim i tmerrshëm është një ‘histori tragjike dashurie’, dhe çfarë veprimi frikacak, i mallkuar, pa vlerë, ngacmues është, por ‘ne i njihnim ata si njerëz të mirë dhe të ndershëm’.

Ata?! Jo atë, bastardin. Ata?!

Dhe pas gjithçkaje që i është dashur të durojë në jetë, Ajo shpesh përdhunohet nga media dhe pas vdekjes.

‘E pabesueshme, ne i njihnim ata si njerëz të ndershëm, çfarë ndodhi me ta, që ai e vrau atë dhe më pas vrau dhe veten?’

Ata?!

Do të ishte e lehtë të gjendeshin të dhëna për numrin e titujve që relativizojnë krimin gjatë vitit të kaluar.

Kryetituj që transformojnë krimet e tmerrshme në histori  emocionuese me seri, telenovela familjare, përbërje realiteti pas dreke…

Në vend të këtyre të dhënave, le të fokusohemi tek Ne.

Ne, që heshtim ndaj mallkimeve, goditjeve dhe të qarave të fqinjëve tanë, që merremi me punët tona.

Ne, të cilët para deklarojmë atë si grua imorale, sesa Atë si tiran.

Ne, që kurrë, por përsëri e përcjellim në median sociale dhe kryqëzojmë Atë sepse tha kështu e ashtu.

Mjaft!

Jo, ne nuk i dinim ato për njerëz të mirë dhe të ndershëm. Diçka nuk shkonte me atë gjithmonë, dhe ne e dinim që ishte vetëm çështje kohe përpara se atij ti errësoheshin sytë, dhe ajo të vdiste.
Ne e dinin por ne heshtëm.

I kërkoj statisticienëve të na numërojnë Ne. Të numërojnë sa prej Nesh kanë heshtur gjithë këto vitë, duke e inkurajuar Atë të na mendojë ne si aleatë, duke mos e lejuar Atë që bërtasë për ndihmë. Këto janë statistikat që më interesojnë mua.

 

Burimi: Okruzenje

Të fundit