E shtunë, 27 Korrik, 2024

A DO TË SHKAKTOJË EDHE VETOJA BULLGARE ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME?

Vetoja bullgare ka ngritur temperaturën në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zaev ka kërkuar dialog dhe jo konfliktualitet, ndërkohë që lideri i opozitës maqedonase Hristian Mickovski ka akuzuar kryeministrin se nuk është i interesuar për takim liderësh, ku do të arrihej konsensus kombëtar. Mbetet e sigurt që brenda kohës do të intensifikohen përplasjet politike dhe nuk përjashtohet mundësia e insistimit në zgjedhje të parakohshme vitin e ardhshëm, nëse nuk arrihet të zhbllokohet korniza negociuese deri në fund të vitit.

Analizë e KDP-së

Vetoja e paralajmëruar e Bullgarisë ka bllokuar miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në Këshillin e ministrave për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së.

Megjithatë, presidenca gjermane e BE-së dhe Komisionit Evropian kanë konfirmuar se BE nuk do të heq dorë nga një zgjidhje e mundshme deri në fund të këtij viti.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë ka vlerësuar se vendimi i Bullgarisë nuk është në frymën e miqësisë së mirë dhe marrëveshjes së nënshkruar në mes dy vendeve dhe ka bërë të ditur se bisedimet vazhdojnë derisa të gjendjet zgjidhje “win-win” në interes të së ardhmes evropiane të shtetit.

Ministrja bullgare Ekaterina Zakharieva pas mbledhjes së këshillit që u mbajt online ka theksuar se Bullgaria në këtë fazë nuk mund ta mbështesë kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriur, pasi në propozim-draftin nuk është përshirë kërkesa bullgare.

Bullgaria insiston në tre kushte në kornizën negociuese: respektimi i formulimit gjuhësor të vitit 1999, konfirmuar nga Marrëveshja e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, konfirmimi i një plani për zbatimin e Marrëveshjes së 2017 dhe një tekst shumë të qartë dhe preciz se nuk do të ketë pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari.

Pikërisht për këto moment të ri, që ndërlidhet me fillimin e hapjes së negociatave, gjegjësisht mbledhjen ndërqeveritare janë prononcuar nëpërmjet rrjeteve sociale edhe kryeministri Zaev dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.

Negociatat duhet të vazhdojnë në frymën e dialogut, jo përmes konflikteve, shkruan kryeministri Zoran Zaev në profilin e tij në Facebook.

“Mosvendimi në takimin në Bruksel është një disfatë për idenë e BE-së, por në të njëjtën kohë u konfirmua në deklaratën e kryetarit, Ministrit gjerman për Çështjet Evropiane Michael Roth, i cili tha se ka ende mundësi deri në dhjetor.

Ne duhet të vazhdojmë në frymën e dialogut, jo përmes konflikteve, për të arritur zgjidhje. Në situata të tilla është shumë e lehtë për të goditur njëri-tjetrin në gjoks, por qëllimi ynë është të jemi racionalë dhe t’i lëvizim gjërat sipas pritjeve të njerëzve tanë, dhe kjo është të shkosh më tej drejt BE-së”, ka shkruar kryeministri Zaev.

Lideri e opozitës maqedonase, Hristian Mickovski, ka kërkuar takim liderësh për të arritur konsensus kombëtar për siç ka theksuar ai “interesat shtetërore”.

“Zoran Zaevi më shumë dëshiron të takohet me kryeministrin e fqinjit tonë lindor, se sa takim liderësh për të arritur konsensus kombëtar për interesat shtetërore, e më pas të veprojmë me argumente në bisedat për çështjet kyçe me Bullgarinë”, ka shkruar në rrjetet sociale kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Mund ta kuptoj pse Zoran Zaevi ikë nga takimi i liderëve. Ai është politikan me koncesione, ndërsa unë nuk kam koncesione. Zoran Zaevi ka premtime për rrethet e larta politike në Bullgari. Ai është person që do të tregtonte me gjithçka, ndërsa unë me asnjë çmim nuk do të veproja për asimilimin e popullit maqedonas”, ka shkruan Mickoski në Facebook.

Sipas tij, kryeministri Zoran Zaev nuk dëshiron takim liderësh për shkak të qëndrimit të tij të “qartë dhe të prerë” që e ka dhënë para Qeverisë për mosndryshim të Kushtetutës. “Zaevin nuk e dëgjuam këtë ta bëjë. Dhe përfundimisht, projekti LSDM dhe Zoran Zaev ka përfunduar”, ka shkruar Mickoski.

Ndërkohë, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pas vetos bullgar për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian ka theksuar se ky është dështim i qeverisë BDI- LSDM.

Sela ka theksuar se ky ka qene premtimi i vetëm i Zaevit dhe dështoi prandaj duhet të japë dorëheqje. “Dështoi traktati i miqësisë me Bullgarinë.Te japin dorëheqje Zaev, Osmani dhe Dimitrov. Te mbahen zgjedhje te parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale”, ka theksuar Sela.

Pavarësisht këtyre përplasjeve në skenën e brendshme politike mbetet e paqartë se si do të zhvillohen ngjarjet më tej, në kohën kur Bullgaria ka vendosur veton. Udhëheqës të BE-së kanë dhënë shpresë se deri në fund të vitit mund të ketë momente tjera që nënkuptojnë mundësinë e mbajtjes së mbledhjes ndërqeveritare dhe fillimit më këtë edhe të negociatave me BE-në për anëtarësim të plotë.

Sidoqoftë një gjë mbetet e sigurt që kjo veto do t’i ngre temperaturat në skenën e brendshme politike. Nëse ky bllokim mbetet nuk përjashtohet mundësia që gjatë vitit të ardhshëm të insistohet në zgjedhje të tjera të parakohshme, të cilat në fakt edhe janë paralajmëruar nga blloku opozitare maqedonas dhe shqiptar.

Vetoja franceze gjatë vitit 2019 kishte prodhuar zgjedhje të parakohshme, të cilat i kishte kërkuar vetë kryeministri Zoran Zaev.

Të fundit