E shtunë, 27 Korrik, 2024

PROCESI I “NGËRÇEVE” TË PAFUNDME

Në kohën e ngërçeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe paralajmërimit për bllokim të procesit integrues nga ana e Bullgarisë, në samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Sofje, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka theksuar se ky proces gjithmonë ka qenë i ndërlidhur me tejkalim të mosmarrëveshjeve dhe se vendet e rajonit duhet të dakordohen mes vete. Në skenën politike në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar përplasjet mbi Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë. Opozita në bllokun politik maqedonas ka theksuar se të gjitha komplikimet vijnë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Me gjasë ngërçet në raport me Bullgarinë do të vazhdojnë, ndërkohë që pavarësisht toneve optimiste të qeverisë korniza bisedimeve rrezikon të bllokohet.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Në kushte pandemie ka filluar në Sofje Samiti i liderëve të Ballkanit në kaudër të Procesit të Berlinit. Sivjet nikoqir janë Republika e Bullgarisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Për shkak të pandemisë, në samit me prezencë fizike ishin të pranishëm kryeministri Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, ndërsa pjesëmarrësit tjerë janë kyçur përmes video lidhjes.

Ky samit po mbahet në një kohë kur mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë rritur tonet kundërshtuese mbi Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë. Pikërisht, për shkak të këtyre kundërshtimeve, por edhe të interpretimeve mbi atë se çfarë nënkupton kjo marrëveshje tashmë janë shfaqur padurime politike, por edhe ndryshim pozicionesh që kanë rezultuar me paralajmërimin e Bullgarisë për bllokim të nisjes së bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Eropian.

Ndërkohë që ishte paralajmëruar mbajtja e mbledhjes ndërqeveritare për fillimin e hapjes së kapitujve të parë të bisedimeve, Bullgaria tashmë ka paralajmëruar se nuk do ta mbështes Maqedoninë në këtë proces pa respektim të Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë. Brenda kohës nuk kanë munguar edhe përplasjet politike që kanë qenë të ndërlidhura me çështje identitare, të cilat ndryshe trajtohen dhe interpretohen nga përfaqësuesit e Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

Pavarësisht nga këto dinamika politike dhe diplomatike, rajoni i Ballkanit Perëndimor gjithsesi mbetet në koordinatat e integrimeve europiane, që nënkupton një perspektivë për të gjitha vendet. Pikërisht, ky rrugëtim europain i Ballkanit Perëndimor tashmë është projektuar nëpërmjet Procesit të Berlinit që shërben si një paradigëm dhe instrument për të harmonizuar vlerat dhe stadardet me ato të Bashkimit Europian.

Në kohën e një ngërçi politik dhe diplomatik mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, koordinatat e Procesit të Berlinit kërkojnë një bashkëpunim dhe tejkalim të barrierave të shfaqura në mënyrë që të vazhdohet me tej drejt konceptit të promovuar nga Procesi i Berlinit. Pikërisht njëra ndër promotorët kryesore të kësaj ideje, kancelarja gjermane Angela Merkel, është shprehur se Procesi i Berlinit gjithmonë ka qenë i ndërlidhur me tejkalim të mosmarrëveshjeve dhe se vendet e rajonit duhet të dakordohen mes vete.

“Procesi i Berlinit ka qenë gjithmonë i ndërlidhur me pajtime dhe tejkalim të mosmarrëveshjeve, besojmë se ky proces do të vazhdojë. Shenjë e mirë është që Konferenca në kuadër të Procesit të Berlinit mundësoi që njerëzit të takohen. Inkurajojmë vendet e Ballkanit perëndimore që të thellojnë bashkëpunimin në shkencë, sepse ajo është mënyra më e mirë që të promovohet hulumtimi dhe inovacioni që të gjithë e duam, dhe kjo do ta përmirësoj gjendjen edhe në vendin tuaj”, ka theksuar Merkel.

Ndërkohë kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se bashkë me përpjekjen e kryesimit gjerman me Këshillin Evropian, kjo dinamikë është mundësi e shkëlqyer që rajoni i Ballkanit Perëndimor të përparojë në mënyrë të sigurt drejt BE-së.

“Besoj që kemi impuls të ripërtërirë dhe mbështetje politike të dukshme për procesin e zgjerimit dhe për realizimin e bisedimeve aderuese. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi në mënyrë sa më të mirë për të gjithë qytetarët”, ka theksuar Zaev.

Zaev ka theksuar se gjatë bashkëkryesimit me Procesin e Berlinit këtë vit nxitje shtesë morën edhe disa procese tjera siç janë Marrëveshja rajonale për udhëtim me letërnjoftim, zgjerimi i linjave të gjelbra në Ballkanin Perëndimor drejt korridoreve të BE-së dhe përforcimit të bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë si përgjigje rajonale për pandeminë, si dhe bashkëpunim me shoqëritë civile, veçanërisht në çështjet e lidhura me të rinjtë. “Jam i bindur se me rezultatet e treguara gjatë këtij viti arritëm ta pasurojmë bashkëpunimin rajonal dhe ta afrojmë rajonin drejt BE-së”, ka theksuar Zaev.

Ndërkohë në planin e brendshëm politik, në skenën politike në Maqedoninë e Veriut kanë vazhduar përplasjet mes partive politike në lidhje me Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, e cila interpretohet në optika të ndryshme.

Deklaratat e ministres së jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva opozita maqedonase i ka vlerësuar si produkt i marrëveshjes së vitit 2017, e cila sipas tyre përkeqësoi edhe më tepër raportet Maqedoni e Veriut-Bullgari. VMRO-DPMNE-ja dyshon se kryeministri Zoran Zaev po fsheh marrëveshjen e arritur me homologun e tij bullgar, Bojko Borisov dhe kjo po motivon edhe më tepër Bullgarinë për bllokada ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Pas marrëveshjes së nënshkruar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë marrëdhëniet tona janë më të komplikuara dhe mos besimi është më i madh. Çfarë ka prishur besimin mes Zaevi dhe Borisov, mbetet dilemë sepse Qeveria nuk jep detaje”, ka theksuar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Opozita në bllokun politik shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë vënë theksin mbi deklaratat kundërthënëse të udhëheqësve qeveritarë të Maqedonisë së Veriut.
“Nga njëra anë udhëheqësit e Bullgarisë po keqpërdorin marrëveshjen për marketing politik. Nga ana tjetër deklaratat kundërthënëse janë tipike për udhëheqësit qeveritar të Maqedonisë së Veriut. Ato nuk janë në vijën e detyrës diplomatike dhe paaftësia e tyre për të iniciuar presione politike nga BE-ja drejt Bullgarisë do t’i kushtojë vendit me një izolim të gjatë diplomatik” kanë theksuar përfaqësues të opozitës shqiptare.

Për partinë shqiptare në pushtet BDI, procesi i integrimeve është qëllim strategjik për të cilin punohet vazhdimisht. “Angazhimi ynë si vend dhe institucional por edhe i spektrit politik është që të arrijmë ta realizojmë këtë qëllim. Nuk do të ndalemi së punuari për arritjen e këtij qëllimi strategjik”, ka theksuar deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.

Nuk është hera e parë, që pavarësisht nga impenjimet e shumta të BE-së, në rajon të shfaqen përplasje, ngërçe me tone historike që pamundësojnë rrugëtimin e vendeve drejt familjes europiane.

Perceptimi i Ballkanit Perëndimor si metaforë vonesash gjithnjë është determinuar nga një lloj brishtësie që shtrihet në kufijtë e së kaluarës “madhështore” dhe të ardhmes së pasigurt. Gjithë ky perceptim historik i brendshëm, i vendeve të Ballkanit, por edhe gjithë perceptimin europian mbi gadishullin problematik trajtohet me aq kompetencë profesionale në librin “Ballkani imagjinar” (Imagining the Balkans) të autores Maria Todorova.

Mbase ishte një rastësi, por dy vite pas publikimit të këtij libri, BE tashmë kishte projektuar një vizion tjetër për Ballkanin, që do të pagëzohej si Pakti i Stabilitetit.
Kumti për një qasje tjetër mbi Ballkanin Perëndimor vinte në një kohë turbulencash të shumta. Këshilli i Posaçëm i ministrave të jashtëm të BE-së më 8 prill 1999, në Luksemburg, zëshëm solli konkluzionin strategjik: „Evropa Juglindore ka nevojë për një Pakt të Stabilitetit, nëpërmjet të cilit hapen gjasat për një proces afatgjatë të stabilizimit politik dhe ekonomik. Një strategji e tillë me shtrirje të gjerë do të mund të ndërtohej mbi iniciativat rajonale ekzistuese.”

Kjo është nisma fillimtare konkrete që po e vendoste tashmë rajonin në një perceptim tjetër europian dhe që po hapte horizonte tjera zhvillimi në përputhje me pritjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përputhje me angazhimin e BE-së për ta integruar atë në hapësirën perëndimore. Gjithë relacionet tjera të vendeve të Ballkanit determinohen pikërisht nga Pakti i Stabilitetit që në fakt nënkuptonte një paradigmë tjetër integrimi.

Pavarësisht nga kjo platformë politike dhe ekonomike europiane, Ballkani nuk ka hezituar të manifestojë gjatë tërë kohës padurime dhe diskurse acaruese, të cilat nuk kanë qenë në sinkron me këtë pritje dhe këtë horizont zhvillimi. Brenda kohës miliona euro janë derdhur nga BE dhe SHBA për të krijuar një sistem funksional qeverisjesh që do të bazoheshin mbi transparencën dhe mbi gjithë atë që nënkupton qeverisja e mirë. Ciklikisht janë përsëritur defektet nga e shkuara, ndërkohë që infuzionet konceptuale europiane jo gjithëherë kanë mundur të mbarështrojnë qeveritë e korruptuara në Ballkanin Perëndimor.

Për t’i dhënë impulse më konkrete apsiratës për integrime dhe për ta fuqizuar vizioni fillestar të Paktit të Stabilitetit në vitin 2014, nga Gjermani ku po mbahej samiti i radhës i BE-së, u inicua Procesi i Berlinit , i cili nënkupton procesin e standardizimit, bashkëpunimit dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane. Për çdo vit, në kuadër të këtij procesi mbahen samite, të cilat përcaktojnë prioritet dhe fushat e investimeve të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me Procesin e Berlinit tashmë Ballkani Perëndimor nuk është vetëm, por ka një përkrahje afatgjate, stabile dhe të standardizuar për të përafruar vendet e Ballkanit drejt hapësirën së unifikuar të vlerave europiane. Me këtë nismë tashmë është kristalizuar rrugëtimi europian i vendeve të rajonit, pavarësisht nebulozave të ndryshme që mund të shfaqen në rrugë e sipër.

Dhe, ky proces me gjasë do të vazhdojë, ndërkohë që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar mbajtjen e samitit të radhës në Berlin, duke sugjeruar edhe një vlerësim mbi këtë proces aq të domosdoshëm për Ballkanin Perëndimor.

 

Të fundit