E premte, 26 Korrik, 2024

BRUKSELI PËRSHËNDET GATISHMËRINË PËR BALLAFAQIM ME DREJTËSINË: Zbardhja e krimeve të luftës është e nevojshme

Ministria e Jashtme e Gjermanisë reagoi pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Prokuroria Speciale. Përshëndetet gatishmëria për bashkëpunim me drejtësinë, transmeton KDP.

Në prononcimin e Ministrisë së Jashtme në Berlin për Deutsche Wellen mbi zhvillimet politike të ditës së enjte në Kosovë, ku presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqjen pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte, vlerësohet pozitivisht gatishmëria që kanë treguar të akuzuarit për të bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë.

“Kemi dijeni mbi dorëheqjen e presidentit, Hashim Thaçi dhe bashkëpunimin e tij me autoritetet e drejtësisë. Ne e përshëndesim faktin, që të akuzuarit tregojnë gatishmëri për të bashkëpunuar me organet e aktakuzës. Zbardhja e krimeve të luftës është e nevojshme dhe pjesë e mbështetjes kosovare për shtetin ligjor”, thekson Ministria e Jashtme gjermane.

Më tej në prononcimin e saj theksohet rëndësia e vendosjes së drejtësisë në një shoqëri si faktor i rëndësishëm për paqen shoqërore. “Nuk ka paqe afatgjatë në një shoqëri pa drejtësi për padrejtësitë e shkuara. Gjermania është e bindur, që luftimi i pandëshkueshmërisë në shumë pjesë të botës përmes gjykatave ndërkombëtare është pjesë e një politike të jashtme të përgjegjshme. Për këtë arsye Gjermania e mbështet punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si nga ana financiare, e personelit dhe ajo politike. Kosova është një partner i rëndësishëm, me të cilin ne bashkëpunojmë ngushtë dhe e mbështesim në rrugën e saj europiane.”

Zëdhënësi i komisionit të jashtëm, Peter Stano, nëpërmjet një mesazhi në Twitter tha, se e mirëpret faktin që presidenti i Kosovës ka vendosur të bashkëpunojë me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“BE mbështet fuqimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Bashkëpunimi i plotë me këto institucione është thelbësor si një demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës për sundimin e ligjit, i cili nga ana tjetër është një element thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe për angazhimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor në tërësi.”

Pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi, ne kemi besim te përfaqësuesit e Kosovës për të siguruar vazhdimësinë e institucioneve, në përputhje me ligjet e Kosovës, përfundon Stano.

KRIZA POLITIKE

Pas paralajmërimit të dorëheqjes së Presidentit Thaçi shtrohet pyetja se si do të vazhdojë më tej me koalicionin e deritanishëm, pasi AAK ka kërkuar që kryetari i kësaj partie të bëhet president. Ky post për momentin mbahet nga Vjosa Osmani, kryetarja e parlamentit.

DW mësoi nga qarqe qeveritare në Berlin se Gjermania, e cila është edhe kryetare re radhës së BE-së, favorizon një zgjidhje që nuk provokon zgjedhje të reja në Kosovë, çka do ta shtynte edhe më tej vendimmarrjen për çështje të rëndësishme, siç është sidomos ajo e dialogut.

Qeveria thotë se në Kosovë nuk ka vakuum institucional. Sipas qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, “pas dorëheqjes së Presidentit të Republikës, z. Hashim Thaçi, kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë tranzicion të qartë të ushtrimit të përgjegjësive pa krijuar vakuum institucional”.

“Gjatë kësaj faze, Qeveria e Republikës së Kosovë me përkushtim do t’i kryej obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe do të bashkëpunojë me të gjithë aktorët vendas dhe ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë të qeverisë. Qeveria e Kosovës pret nga të gjithë të vazhdojnë të demonstrojnë kulturë të lartë politike, ndërsa, thekson se “po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës”.

“Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit z.Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani, sot ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës. Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës. Kështu parashihet në nenin 90 të kushtetutës së Kosovës.

“Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës, ku specifikohet se kjo nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.

MBLIDHET QEVERIA 

Në kohën kur presidenti Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte kundër tij, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk ndodhej në Kosovë. Ai ishte për një vizitë zyrare në Itali, ndërkaq, njofton se gjatë ditës së premte (06.11) do të mbledhë qeverinë e tij për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit. Partneri më i madh në koalicionin qeveritar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë, mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërkaq, kërkon nga qeveria ndërprerje të menjëhershme të të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

Pas zhvillimeve në Prishtinë pati edhe një takim të ambasadorëve të vendeve më të industrializuara QUINT, por tani për tani ende nuk dihet përmbajtja e bisedave të mbyllura mes tyre. Situata e sigurisë vazhdon të jetë e qetë. Forca të shtuara të policisë shihen në sheshet e Prishtinës dhe përreth godinave të institucioneve të Kosovës.

Tashmë ish-presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Rexhep Selimi, kanë aktakuza të konfirmuara për krime lufte nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë. Krasniqi u arrestua të merkurën (04.11) dhe u dërgua në Hagë, ndërsa Thaçi, Veseli e Selimi, me një aeroplan special nën shoqërimin e policisë së EULEX-it, u nisën të enjten (05.11) pasdite drejt Hagës. Qeveria e Kosovës në këtë situatë vlerëson se “askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë”, duke shtuar se “bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendase dhe ndërkombëtare”.

Të fundit