E shtunë, 27 Korrik, 2024

Sulm “terrorist” në Vjenë, të paktën dy persona të vdekur

Policia e Vjenës ka thënë se dy persona janë vrarë si pasojë e asaj që Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer, ka thënë se është “sulm terrorist” në qendër të qytetit.

Zyrtarët policorë kanë thënë se një person është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur, përfshirë një zyrtar policor.

Një i dyshuar është qëlluar dhe është vrarë nga zyrtarët policorë, sipas policisë.

Ministria e Brendshme ka thënë më herët se një sulmues ka vdekur dhe një tjetër është në arrati.

Mirëpo një zëdhënës ka thënë më vonë se të paktën një i dyshuar është dërguar në mbajtje pas incidentit.

Policia e Vjenës ka thënë se thënë se kanë qenë “disa të dyshuar të armatosur me pushkë” në “gjashtë lokacione të ndryshme”.

“Ka pasur të shtëna me armë zjarri në qendër – ka persona të plagosur – rrini larg vendeve publike dhe transportit publik”, ka thënë policia.

Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, ka thënë se sulmi i së hënës besohet se është terrorist.

“Në këtë moment mund të konfirmoj se besojmë që duket se kemi një sulm terrorist”, ka thënë ai.

Policia e Vjenës u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shpërndajnë video dhe fotografi nëpër rrjetet sociale.

“Kjo gjë rrezikon forcat policore si dhe popullsinë civile”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.

Oskar Deutsch, i cili është në krye në komunitetit të hebrenjve në Vjenë, ka thënë se të shtënat kanë ndodhur në rrugën ku gjendet sinagoga kryesore e qytetit, mirëpo ende nuk është e qartë nëse ky institucion ka qenë shënjestër, transmeton agjencia e lajmeve, AP.

Policia ka thënë se operacioni në qendër të qytetit është duke vazhduar dhe se ende nuk dihen shkaqet e sakta të incidentit.

Reagimet pas sulmit

Ambasada e Kosovës në Vjenë ka lutur qytetarët që jetojnë atje që të qëndrojnë në vende të sigurta.

https://www.facebook.com/kosovoinaustria/posts/2741033276146596

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dënuar ashpër sulmin në Vjenë.

“Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurit, teksa jemi me njerëzit e Austrisë në këto kohë të vështira”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se sulmet në Vjenë janë shokuese.

“Ne qëndrojmë me aleatët tanë austriakë dhe komunitetin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizimit”.

 

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, po ashtu ka reaguar për sulmin e së hënës.

Teksa e ka quajtur Vjenën qytet të paqes, ajo ka thënë se Kosova qëndron pranë Austrisë dhe solidarizohet me të gjatë këtij “sulmi shokues”.

Të fundit