E premte, 26 Korrik, 2024

BUJAR OSMANI NË MENGENEN E MOSMARRËVESHJEVE HISTORIKE

Bujar Osmani e kishte më të lehtë kur si zëvendës i kryeministrit për çështje evropiane ishte i angazhuar në mbrojtjen e pozicionit të Shkupit për problemin e emrit të shtetit me Greqinë, pasi prekte interesat e të gjithë qytetarëve. Megjithatë, angazhimi i tij si shef i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut në një problem të ndërlikuar etno-kulturor midis dy popujve mund ta shndërrojë atë në kurban të politikës dhe shpëtimtar të funksionarëve të dy partive maqedonase – LSDM dhe VMRO-DPMNE.

 

Autor: Xhelal Neziri

Në këtë periudhë të ashpërsimit të qasjes së Sofjes ndaj Shkupit për një problem të vjetër më shumë se shtatë dekada, në krye të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut është Bujar Osmani. Nëse thelbi i problemit maqedonaso-bullgar është i natyrës etno-kulturore, Osmani si shqiptar etnik duket se e sheh këtë problematikë vetëm nga aspekti pragmatik – të mënjanohet problemi me Bullgarinë dhe të fillojnë në dhjetor bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Kjo përshtypje i krijon Osmanit dy probleme: i pari ka të bëjë me maqedonasit etnik, te të cilët duket si një ministër i cili mund të nënshkruaj pa problem një marrëveshje të dëmshme për to pasi nuk i përket asaj etnie; dhe i dyti ka të bëjë me shqiptarët, të cilët e kritikojnë se është një kalorës i kauzave të etnisë tjetër, pra maqedonase, dhe si i tillë cenon marrëdhëniet historikisht të mira midis etnisë bullgare dhe shqiptare.

Çfarë në të vërtetë qëndron në kontestin maqedonaso-bullgar dhe pse Osmani mund të jetë në mengenen e kësaj mosmarrëveshjeje të rëndë ballkanike?

Bullgaria të mërkurën doli me ofertën për kompromis me Maqedoninë e Veriut: Sofja do të njohë realitetin e sotëm etno-kulturor maqedonas, kurse Shkupi të njohë realitetin historik para 1945. Me fjalë tjera, oferta bullgare thotë: Bullgaria do të njohë maqedonishten si një nga gjuhët zyrtare të Maqedonisë së Veriut dhe do ta njohë një identitet maqedonas. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut do të duhet të pranojë “të vërtetën historike” bullgare, mbi të cilën është krijuar ky identitet maqedonas dhe gjuha maqedonase.

Është kjo një ofertë që është rëndë e pranueshme për maqedonasit etnik. Nëse problemi me Greqinë kishte të bëjë vetëm me identitetin shtetëror (kombin), pra kontestohej vetëm emri i shtetit për shkak të kontekstit historik, problemi me Bullgarinë është etno-kulturor dhe prek drejtpërdrejt vetëm etninë maqedonase. Traktati i Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë, i nënshkruar një vit para Marrëveshjes së Prespës, nuk e zgjodhi problemin maqedonaso-bullgar por vetëm se i obligoi Shkupin dhe Sofjen që nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse të tejkalojnë kontestin. Në fakt, Bullgaria ka njohur ndër të parat pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, por ka kontestuar ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe historisë së popullit maqedonas para vitit 1945.

Sofja insiston se para vitit Luftës së Dytë Botërore, kur formohet Jugosllavia federative dhe Maqedonia si republikë-pjesë përbërëse, nuk ka ekzistuar etnia apo populli maqedonas. Termi “Maqedoni” deri në atë periudhë është përdorur për të treguar një rajon gjeografik, e jo etno-kulturor apo kombëtar. Pala bullgare insiston se ka fakte shkencore se Goce Dellçev, kryeheroi i etnisë maqedonase, ka qenë pjesë e etnisë bullgare që ka luftuar për një rajon gjeografik “Maqedoni”, i cili ka ngërthyer së paku pesë etni: bullgarë, vllehë, shqiptarë, serbë dhe turq. “E vërteta” bullgare thotë se kjo pjesë e etnisë bullgare në gjeografinë e quajtur Maqedoni pas Luftës së Dytë Botërore është shndërruar në etni maqedonase. Madje thuhet se ky inxhiniering identitar ka qenë pjesë e strategjisë së Beogradit, si qendër më e fuqishme politike e Jugosllavisë, dhe ka pasur për qëllim shkëputjen dhe tjetërsimin e kësaj pjese të popullit/etnisë bullgare.

Shkupi, ndërkaq, pretendon se gjuha maqedonase ka rrënjë që në shekullin e 9-të, por se është kodifikuar në vitin 1944. Ky kodifikim lidhet me vendimin e sesionit të parë të Kuvendit Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë (Parlamenti i sotëm) më 2 gusht të vitit 1944, kur gjuha maqedonase futet si gjuhë zyrtare në shtet, me miratimin zyrtar të alfabetit dhe drejtshkrimit të maqedonishtes. Çështja e alfabetit dhe drejtshkrimit vendoset në maj 1945, me ç’rast Blazhe Koneski ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kodifikimin e gjuhës letrare maqedonase dhe në standardizimin e normës letraro-gjuhësore.

Këtë realitet e pranon edhe Bullgaria. Por, para këtij momenti pretendon se gjuha që është folur në rajonin gjeografik Maqedoni ka qenë një nga shtatë dialektet e gjuhës bullgare. Rrjedhimisht, kërkon një prerje historike me Shkupin pikërisht në këtë periudhë. Kjo do të nënkuptonte se të gjithë heronjtë, shkrimtarët dhe figurat historike që kanë vepruar në rajonin e Maqedonisë duhet t’i takojnë ekskluzivisht historisë bullgare. Kjo kërkohet që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa kontekstualizime të pasqyrohet edhe në librat e historisë në Maqedoninë e Veriut. Pala maqedonase ka pranuar përkatësinë etnike bullgare të Car Samoilit, vëllezërve Qirili dhe Metodij dhe disa veprimtarëve të tjerë që deri dje njiheshin si maqedonas, por nuk dëshiron të heqë dorë nga figura e Goce Dellçevit. Kjo nga shkaku se mbi figurën e tij si kryehero, gjuhën maqedonase dhe kishën autoqefale maqedonase qëndron identiteti i popullit/etnisë maqedonase. Heqja e Dellçevit si shtyllë identitare do të ishte një lëkundje serioze e vetë etnisë, ndërsa pranimi i “së vërtetës bullgare” se gjuha maqedonase është ngritur mbi bazat e dialektit bullgar do ta bënte edhe më të paqëndrueshëm këtë identifikim. Nëse kësaj i shtohet edhe kontestimi i shtyllës së tretë – Kishës Ortodokse Maqedonase – nga ana e Serbisë, atëherë gjithsesi se vihet në pikëpyetje ekzistenca e popullit maqedonas.

Bujar Osmani e kishte më të lehtë kur si zëvendës i kryeministrit për çështje evropiane ishte i angazhuar në mbrojtjen e pozicionit të Shkupit për problemin e emrit të shtetit me Greqinë, pasi prekte interesat e të gjithë qytetarëve. Megjithatë, angazhimi i tij si shef i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut në një problem të ndërlikuar etno-kulturor midis dy popujve mund ta shndërrojë atë në kurban të politikës dhe shpëtimtar të funksionarëve të dy partive maqedonase – LSDM dhe VMRO-DPMNE.

 

Të fundit