E mërkurë, 24 Korrik, 2024

PERTEJ MENDËSISË BALLKANIKE

Duhet të jemi të bashkuar në gjërat që na bëjnë të ndryshëm. Na ndryshon kultura, etnia, por këto ndryshime t’i manifestojmë së bashku në një kushtetutë, në një drejtësi të barabartë, në një rrugëtim euro-atlantik, me përmasat e  interkulturalitetit, si hapësirë ku e manifestojmë atë që jemi pa i penguar tjetrit.

Shkruan: Lorik Idrizi

Përplasjet kulturore dhe dinamikat e Ballkanit kanë kujtesë të gjatë disa mijëvjeçare. Por, si duhet të ndërtohet Ballkani i së ardhmes? Në çfarë trajte Ballkani Perëndimorë do t’i bashkëngjitet Europës? Si duhet ta performojë Maqedonia e Veriut konceptin shtetëror në trajtat dhe modelet shtetëformuese gjithëpërfshirëse?

Janë këto disa pyetje, dilema, të cilat kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës në rrafshin e politikës, të kulturës dhe ekonomisë. Këto dilema në të shumtën e rasteve janë trajtuar përciptazi, pa pasur një vizion të qartë mbi rrugëtimin e domosdoshëm të rajonit të Ballkanit në proceset integruese, dhe veçmas të Maqedonisë së Veriut si shtet, që gjatë tërë kohës nuk ka arritur që të ofrojë një vizion të qëndrueshëm politik dhe kushtetues për të akceptuar dhe dimensionuar realitet e brendshme që njohin shumëllojshmërinë etnike dhe kulturore.

Për të hyrë në një koncept tjetër më të avancuar që e nënkupton modelin europian, Maqedonia e Veriut do të duhej të kultivojë një logjikë tjetër dinamikash politike që janë në sinkron me vlerat europiane. Këto vlera, kërkojnë një qasje tjetër korrekte në definimin e realiteteve të brendshme, të cilat sigurojnë pranim dallimesh, tolerancë, debat dhe kohezion të qëndrueshëm.

Ky vizion nënkupton ato trajta qeverisjeje dhe menaxhimi të barabartë të mundësive të kultivimit përmes të cilave qytetari i Maqedonisë Veriut do t’i shuante dyshimet dhe dilemat e shumta të pranishme gjatë kësaj periudhe plot sfida të tranzicionit, në rrafshin politik, kulturor dhe ekonomik  . Kjo nënkupton që qytetari të arrijë ” inner peace” dhe të mbështet në pikëtakimet e koncepteve europiane , në shtetin e vlerave euro-atlantike dhe ta manifestojë atë me përgjegjësi në krijimin e mundësive të barabarta.

Në rastet e ngjashme, në vende me struktura demografike multietnike e vetmja rrugëzgjidhje do ishte  të fokusohemi në një ndjeshmëri të përbashkët ndaj kushtetutës jo në dimensionet hyjnore të paprekshmes, por ajo të përfaqësojë liberalizmin dhe dinjitetin e çdo individi ose grupi shoqëror. Ta përfaqësoje atë përmes dinamikave zhvillimore, gjithmonë në  funksion të qytetarit.

Duhet të jemi të njëjtë në gjërat që na bëjnë të ndryshëm. Na ndryshon kultura, etnia, por këto ndryshime t’i manifestojmë së bashku në një kushtetutë, në një drejtësi të barabartë, në një rrugëtim euro-atlantik, me përmasat e  interkulturalitetit, si hapësirë ku e manifestojmë atë që jemi pa i penguar tjetrit.

Për t’i tejkaluar gjërat që nuk na bashkojnë dhe për ta manifestuar lirinë dhe paradigmat e liberalizmit patjetër duhet të bëjmë një hap drejt kulturës, drejt debatit të kulturuar dhe argumentuar që padyshim do ishte një hap drejt lirisë. Në asnjë trajtë tjetër nuk do t’ia dilnim, në veçanti jo me skemat e mdiokritetit bosh të partizanëve partiakë që frymojnë me ideologjinë e propagandës dhe mburrjes folklorike, pa dije  konceptuale. Për ta pasur rrugëtimin më të  lehtë drejt Europës duhet t’u rikthehemi sistemit të vlerave që funksionojnë në vendet europiane, mekanizmave, procedurave dhe mjeteve europiane.

Vetëm përmes dijes së strukturuar dhe shkencave sociale, të cilat janë eurocentrike do të mund ta tejkalonim llumin e mendësisë ballkanike dhe do frymonim lirshëm aty ku përkasim, në Europë!

Të fundit