E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZIGZAG: DRITANI DHE QEVERIA (E RE) MALAZEZE

Habere çfarë edhe priteshin nga Podgorica: Liderët e të ashtuquajturit ‘Front Demokratik’ pro-serb e pro-rus, kanë këmbëngulur që i mandatuari për formimin e qeverisë së re, Zdravko Krivokapiq, të përfshijë në ekzekutiv edhe treshen e tyre, në të kundërtën, kanë lënë të hapur mundësinë e caktimit të një kandidati të ri për kryeministër! Vëzhguesit në Podgoricë thonë se, pavarësisht kësaj, figurë qëndrore mbetet politikani nga Ulqini – Dritan Abazoviq!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Lideri i koalicionit ‘E zeza mbi të bardhën’, Dritan Abazoviq, ka paralajmëruar se çështja e krijimit të qeverisë së re malazeze do të mbyllet gjatë gjysmës së parë të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, në Podgoricë, ethet për vendosjen e pushtetit të ri po bëhen gjithnjë e më të ftohta. Po vërehen edhe tensionet e para mes të mandatuari për krijimin e qeverisë së re, Zdravko Krivokapiq, dhe partnerëve të koalicionit të ri qeverisës: Në përpjekje për të përmirësuar sado-kudo imazhin në Beograd, Krivokapiq, ditë më parë, iu referua kral Nikollës se ‘Mali i Zi është shtet serb’, por u pa edhe duke e puthur flamurin e Serbisë. Pas kësaj, këtë fundjavë, mbase për të neutralizuar dy veprimet pararendëse, bëri të ditur se nuk parashikon përfshirjen në kabinetin e tij të tre liderëve të të ashtuquajturit Fronti Demokratik i cili u shqua për afirmimin e kauzës serbe në Mal të Zi dhe kundërshtimin e politikave të qeverisë së Presidentit Milo Gjukanoviq, përfshirë këtu edhe çështje që kanë të bëjnë me pozitat e pakicave, por edhe, fjala vjen, (ç)njohjen e Kosovës apo edhe rishikimin e kursit për integrimin euro-atlantik të vendit. Sikundër njofton e përditshmja ‘Vijesti’, Krivokapiq ka bërë të ditur se ‘puna ekipore e Qeverisë të cilën e planifikon ai, kërkon profile të tjera personalitetesh’ nga ai i Andrija Mandiqit, Milan Knezheviqit dhe Nebojsha Medojeviqit, që të tre prijës të ‘Front it Demokratik’ dhe liderë të përkatësisht Demokracisë së Re Serbe, Partisë Demokratike Popullore dhe Lëvizjes për Ndryshime. I njëjti burim bën të ditur se Andreja Mandiq ka këmbëngulur që këto tri parti të përbëjnë shtyllat e pushtetit të ri, që nënkupton përfshirjen e krerëve të tyre në kabinetin e ri qeverisës, në të kundërtën ‘ta kthejë mandatin’!

Këto zhvillime e nxjerrin në plan të parë, sërish, kreun e Lëvizjes ‘Ura’ Dritan Abazoviq, i cili që nga fillimi i negociatave për krijimin e shumicës së re parlamentare, kishte parapëlqyer krijimin e ‘qeverisë së ekspertëve’, pikërisht për të tejkaluar këto mosmarrëveshje që, duke marrë parasysh qëndrimet e politikanit shqiptar nga Ulqini, edhe priteshin. Zdravko Krivokapiq, në një status të tij në twitter, ka lënë të kuptohet, këtë të dielë, se asnjë parti nga koalicioni fitues nuk përjashtohet nga procesi i formimit të qeverisë së re, por këmbëngulja për individë nga këto koalicione, nuk ështe në interes as të qytetarëve e as të shtetit: ’Malin e Zi e presin sfida të vështira dhe historike të cilat mund t’i kapërcejë vetëm një qeveri me karakter ekspertësh,’ – ka komentuar Krivokapiq. Njohësit e rrethanave në Podgoricë rikujtojnë se përplasjet më të fundit, ende pa u krijuar qeveria, në fakt provojnë intencën e partive proserbe, që përbëjnë boshtin e koalicionit fitues, në Mal të Zi, që të jenë në krye të dikastereve kryesore të pushtetit dhe kundërshtimin e tyre nga Lëvizja ‘Ura’.

Fundjavën e kaluar, Abazoviq, komentoi kundërshtimin e kreut të Lëvizjes për Ndryshime, Medojeviq, që ‘Ura’ t’i prijë sektorit të sigurisë (Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme), me arsyetimin se ‘nuk është i sigurt se disa të cilët kanë zhvilluar fushata të fuqishme anti – NATO ose të cilët kanë djegur flamujt e NATO-s mund të hyjnë në Ministrinë e Mbrojtjes’!

Sido që të jetë, java në të cilën po shkelim ka për të qenë vendimtare nëse Krivokapiq do t’ia dalë të imponohet me parimet e tij për qeveri të ekspertëve ( i mbështetur nga ‘Ura’), apo ‘Fronti Demokratik’ pro-serb dhe i komanduar nga Kisha Ortodokse Serbe do të imponojë një kandidaturë të re për kryeministër ose që të rifutet në lojë Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq! Në çdo variant figurë qëndrore mbetet – Dritan Abazoviq!

Të fundit