E premte, 26 Korrik, 2024

ZIGZAG: EC’E BËJ GJUM REHAT KUR ‘VËLLAUN E MADH’ KE NGAT!

Kur George Orwelli botoi romanin ‘1984’, kritika letrare ia dha dorën për pasqyrimin me besnikëri të një rendi totalitar e autoritar. Ne që jetonim n’atë ish-Jugosllavi mbase morëm një konfirmim për dyshimet se ‘Big Brotheri’ ishte aty diku mes nesh, që nga shtrati… Ama, provat mungonin. Mbaj mend, në ndonjë ndejë gjatë së cilës nuk kishe s’i mos flisje për politikë, një koleg më me përvojë, shkonte në guzhinë dhe lëshonte të rrjedhë uji. Thoshte se kësisoji ‘shurdhohen’ veshët e ‘Vëllaut të Madh’! Pas sa e sa vjetësh e dekadash, javën e ardhshme kam marrë letër-thirrje për t’u paraqitur në gjykatë, si ‘palë e dëmtuar’ në procesin gjyqësor për rastin ‘Target-Kalaja’ të përgjimeve në masë. Në shekullin XXI. Ec e bëj gjum rehat kur ‘Vëllaun e Madh’ edhe sot e ke ngat!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Mund ta imagjinoni ankthin, vrerin dhe pelinin që të krijon ndjesia kur, si në film, ke lënë një nishan në banesë e kur kthehesh e gjen të ketë ‘lëvizur’. Imagjinoni, ndjenjën kur jeni në sheshin e Kryeqytetit, në restorantin më të frekuentuar dhe ‘kapni’ syrin e kameras së ‘fotoreporterit’ anonim që pa fije turpi të ‘fikson’, kur shkon në zyrë e të rastis ndonjë ‘servues kompjuterash’ dhe i njëjti pastaj, shumë vite më vonë, të pyet ‘do e marrësh dosjen’, apo kur po i njëjti, shumë më vonë, merr edhe ofiq goxha, goxha të lartë!?

Me totalitarizmin dhe autoritarizmin janë marrë e po merren sot e kësaj dite edhe shkencat politike, edhe filozofia, po pse jo dhe ‘psiko-sociologjia’. Mëtimi për vendosjen e kontrollit dhe dominimit të plotë mbi njerëzit ishte, kështu kujtonim atëbotë, kryedalloja e sistemit të kaluar komunist kur në shënjestër ishin, veç disidentëve me emër, edhe ‘kombësi’ të tëra, shqiptarë e boshnjakë, para së gjithash, aniqë dhe malazezët e maqedonasit nuk bënin përjashtim! Gjithë kjo në kohën e ish-Jugosllavisë, të kuptohemi!

Po marrëzia, pse jo edhe mashtrimi, nuk kanë fund, edhe për shtet-pushtetin e ri: Megaskandali i përgjimeve, sadoqë u keqpërdor e po shpërdorohet edhe sot nga ‘zbuluesit – socialdemokratët maqedonas’, të paktën mua më ‘shkarkoi’ nga ajo fobia për ‘Vëllaun e Madh’: Si një ndër shumë kolegë, maqedonas e shqiptarë, javën e ardhshme do të duhet të paraqitem në Gjykatë, si ‘i dëmtuar’. Mllefi i akumuluar ndër dekada ndaj shtet-pushtetit, disi po më zbutet. Ngushëlloj veten për ekzistimin e drejtësisë që, sikurse thonë, herët a vonë – triumfon. Në shikim të parë, për shkak se, ta zëmë, një lajm i para disa vitesh, sikur e provon atë fjalën tonë të urtë që thotë ‘Besnik bëhu po besë mo’ze’!

Ja dhe pse, thotë kronika e para pesë vjetëve e TV Klanit: ‘Nëse do të uleni afër televizorit këtë mbrëmje, duhet të mendoheni dy herë rreth asaj që do të thoni me zë të lartë. Samsung ka paralajmëruar përdoruesit e televizorëve të saj inteligjentë që lidhen me internet se gjithçka që ata diskutojnë para pajisjes do të dëgjohet. Televizorët popullorë mund të aktivizohen me zë, kështu përdoruesit mund të ndërrojnë kanalet ose të kërkojnë një sugjerim se çfarë mund të shikojnë, duke dhënë vetëm një komandë verbale. Por, kjo teknologji ka edhe një efekt negativ, ajo mund të regjistrojë gjithçka që ju thoni afër televizorit. Një firmë koreane e sigurisë ka paralajmëruar përdoruesit: “Ju lutem kini kujdes nëse fjalët tuaja përfshijnë informacione personale ose të rëndësishme, pasi informacioni mund të regjistrohet bashkë me të dhënat dhe mund të transmetohet tek palët e treta.”

Kështu televizori mund të regjistrojë biseda private të një familjeje, por që mund të përmbajnë informacione sekrete, si paga mujore e punonjësve ose strategjitë e një kompanie. Aktivistët e privatësisë bëjnë një krahasim të teknologjisë së Samsung-ut me “Big Brother-in”- shteti autoritar që monitoronte çdo lëvizje të njerëzve në vitin 1984, një novelë e shkruar nga George Orwell’. Ec e bëj gjum rehat kur ‘Vëllaun e Madh’ edhe sot e ke ngat!

Të fundit