E martë, 10 Dhjetor, 2024

Mospërputhje të mëdha në BE në përgjigjjen ndaj koronavirusit

Rajonet e Bashkimit Evropian janë goditur ndryshe nga pandemia me koronavirus, bazuar në raportin e ri të publikuar më 12 tetor nga Komiteti Evropian për Rajone.

Rajonet më të goditura në aspektin ekonomik, kanë qenë ato që kanë aplikuar më së gjati masa të izolimit – dhe jo domosdo ato me shkallën më të lartë të viktimave apo të numrit të madh të të infektuarve, është thënë në gjetje.

Ndërkohë, gati 60 për qind e evropianëve besojnë se më shumë ndikim i autoriteteve lokale në politikëbërje mund t’i ndihmojë Bashkimit Evropian që të tejkalojë ndikimin ekonomik dhe atë shoqëror, vlerëson raporti.

Teksa evropianët u besojnë qeverive lokale dhe atyre rajonale më shumë sesa qeverive kombëtare apo vetë bllokut evropian në të përballurit me pandeminë, qytetarë nga shtetet veriore dhe ato perëndimore në veçanti, kanë më shumë besim në autoritetet lokale dhe rajonale sesa ata në jug dhe lindje të BE-së.

Kryetarët dhe qeveritë rajonale kanë qenë të angazhuar në zbatim të masave të karantinës, shpërndarje të ndihmës, mobilizim të burimeve publike, duke garantuar ofrim efikas të shërbimeve publike, sidomos atyre në fushën e kujdesit shëndetësor dhe planifikim të lehtësimit të masave të izolimit.

Kriza e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, ka vënë në pah nevojën për koordinim efektiv në mes të fuqive të decentralizuara dhe atyre të centralizuara.

Rajonet e BE-së kanë thënë paraprakisht se një konferencë e shtyrë duhet të realizohet sa më shpejt që është e mundur meqë është “mundësi” për të diskutuar sesi të përfshihen plotësisht autoritetet lokale dhe ato rajonale në përgjigjjen e zgjeruar të BE-së për COVID-19, transmeton gazeta evropiane, EUobserver.

Pandemia e koronavirusit ka vënë në pah edhe pabarazitë rajonale në sistemet për kujdes shëndetësor, të cilat në disa raste janë pasojë e mungesës së investimeve në vitet e krizave të mëparshme.

Shumë rajone në Austri, Gjermani, Francë, Hungari, Poloni dhe Rumani kanë pasur numër më të madh shtretërish në krahasim me rajonet në Spanjë, Itali, Suedi, Danimarkë apo Irlandë.

Rajonet evropiane perëndimore dhe ato nordike shquhen për përqindje më të madhe të punëtorëve shëndetësorë për dallim nga ato në vendet jugore dhe ato lindore.

Autoritetet lokale dhe ato rajonale, me kompetenca të mëdha shëndetësore, kanë pasur vështirësi që të përgjigjen në mënyrë efikase ndaj pandemisë, dhe disa prej tyre, sikurse rajonet me popullsi në moshë, janë vënë nën presion të dukshëm.

Për shembull, Lombardia, rajon që është më së miri i pajisur në Itali sa u përket shtretërve të kujdesit intensiv, ka raportuar për presion të lartë gjatë pikut të pandemisë, prej kur kërkesa për shtretër të kujdesit intensiv ka qenë më e madhe se 1,000 njësi për 29 ditë rresht.

Sa i përket politikëbërjes, raporti thekson edhe se shëndeti është prioritet kyç për evropianët, andaj autoritetet lokale dhe ato rajonale duhet të kenë më shumë ndikim në vendimet e nivelit të BE-së.

Sipas Komitetit Evropian për Rajone, rajonet më të socializuara dhe më të goditura ekonomikisht janë ato që kanë aplikuar masa të ashpra të izolimit dhe jo domosdo ato që kanë pasur shkallë më të lartë të viktimave apo të numrit të lartë të të infektuarve.

Për shembull, rajoni Grand-Est në Francë ka pasur një prej shifrave më të larta të viktimave dhe numrit të të infektuarve në Francë, mirëpo ka qenë më pak e prekur sesa Rhône-Alpes, sa u përket dëmeve ekonomike.

Komiteti Evropian për Rajone identifikon se Île-de-France, rajonet spanjolle, Andalusia, Castile, León, Madrid dhe Valencia, si dhe shumica e rajoneve italiane kanë qenë më të goditurat, bashkë me rajonet e brigjeve të Kroacisë, lindjes së Bullgarisë dhe Greqisë.

Teksa rajonet në veri dhe lindje të Evropës janë më të cenueshme për shkak të nivelit të lartë të mikro-ndërmarrjeve dhe punëtorëve të vetë-punësuar, rajonet e Mesdheut dhe ato të Alpeve janë në rrezik të lartë për shkak të varësisë nga turizmi, gjen raporti.

Në Portugali, ku turizmi përbën rreth 23 për qind të të gjithë të punësuarve dhe 10 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm, kriza me koronavirus veçse ka shkaktuar të paktën pesë për qind tkurrje në bruto-prodhim të brendshëm vetëm nga turizmi.

Komiteti Evropian për Rajone ka theksuar se alokimi i fondit për rimëkëmbje duhet të bazohet në dobësitë socio-ekonomike që janë identifikuar në rajonet përreth BE-së.

/REL

Të fundit