E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

LEKSIONET BOSHE TË “PIRATËVE” TË PROGRESIT

Si një anije pirate lëvizë shteti i oligarkive të vjetra dhe të reja në detin e neglizhencës, të makuterisë dhe të formave morbide të ushtrimit të pushtetit. Pastaj vijnë “leksionet” moralizuese politike për progres dhe qeverisje të mirë të atyre që kurrë nuk i mësuan për vete.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Përvetësimi i vlerave dhe praktikave europiane mbetet një sfidë e vërtetë për vendet Ballkanit Perëndimor. Që nga fillimet e demokracisë, përkundër faktit që zëshëm nga politika janë promovuar këto praktika, megjithatë në realitetin e implementimit të tyre janë shfaqur ngërçe të pafundme dhe rezistencë shpeshherë korruptive për të kaluar në një sistem tjetër funksionimi që nënkupton qeverisje të mirë dhe transparencë institucionale.

Dhe kjo situatë ka vazhduar gjatë tërë kësaj periudhe tranzicioni të stërzgjatur duke krijuar një fasadë mashtruese që mbulohet me klishe dhe diskurse uniforme angazhimesh europiane.

Tashmë mund të preket nga afër, në realitetet e shumta që kanë mbetur po në ato gjendje shndërrimi kaotik që asesi të gjejë koordinatat e transponimit substancial që i nënkupton vlerat europiane. Dhe ky ngërç tranzicioni, kjo vendosje së prapthi e idesë për progres ka në sfond disa rrafshe problematikash që nuk kanë arritur të gjejnë artikulimin e vetë në përpjekjen për të performuar jetën institucionale dhe shtetërore sipas modelit të funksionimit europian.

Nëse në rrafshin politik diskurset kanë provuar të transformohen në koncepte dhe botëshikime që i nënkupton demokracia, në rrafshin e ndryshimeve reale, të veprimit dhe praktikave gjithçka ka mbetur në një zonë të errët praktikash të vjetëruara dhe improvizimesh bjerrakohëse që as për së afërmi nuk i nënkuptojnë praktikat eiropiane.

Gjatë gjithë kësaj kohe, në rrafshin teorik dhe praktik kanë “vegjetuar” mishmashe konceptesh dhe praktikash që kanë stimuluar etablime elitash politike që në asnjë rast nuk i janë përgjigjur imperativit për një ndryshim rrënjësor praktikash institucionale në frymën e modeleve europiane.

Vendet e Ballkanit kanë një inteligjencë morbide improvozimesh që gjithnjë krijon vonesa dhe që pamundëson progresin në procesin e integrimeve. Nuk kanë munguar ndërkohë ushtrimet stilistike të demokracisë, proklamimet dhe ” ekstazat” politike për riorientim dhe ridimensionim të përpjekjeve, por në realitet ka vazhduar avazi i shmangieve, i manipulimit dhe i instalimit të inkriminimeve poshtë majës së ajzbergut diskursiv.

Me përjashtime, përbrendësimi i praktikave të reja, i qeverosjes së mirë, i transparencës, i sistemit vleror europian është degjeneruar në afishime boshe politike dhe demokratike, duke krijuar kështu shkretëtirën e madhe të ripërsëritjes së pozave “europiane” prapa të cilave ka vluar korrupsioni, keqmenaxhimi dhe qeverisja arbitrare e sejmenëve partiak.

Kjo ka ndodhur për shkak se ka pasur partizim të sksjshëm të funksioneve publike, një lloj ” meritokracie” partiake e cila ” vegjeton” në plasaritjet e mëdha institucionale, në atë suazë të interesit publik që duhet të kultivojë integritetin profesional, kreativitetin, progresin dhe përgjegjësinë si vlerë etike që bazohet në hapësirën e vlerave të përbashkëta.

Edhe pse është shënuar një përparim minimal ushtrimi i pushtetit akoma mbetet i ngujuar në logjikë partizanie dhe ” meritokracie” formash ataviste të kuptimi të politikës dhe demokracisë. Patjetër të theksohet se të gjitha ndryshimet në Maqedoninë e Veriut kanë ardhur si rezultat i impenjimit dhe finansimit tê BE-së dhe SHBA-ve. Të gjitha të arriturat kanë për adresë angazhimin e tyre.

kziston një ambiguitet fatal në perceptimin e vlerave europiane. Në njërën anë janë qytetarët e lodhur që vazhdimisht kanë besuar dhe besojnë në këto vlera dhe në anën tjetër janë elitat politike që bëjnë sikur. Duket se nuk kanë fund sofizmat politike, të cilat krijojnë ngërç dhe dëshpërim të pafundëm. Si një anije pirate lëvizë shteti i oligarkive të vjetra dhe të reja në detin e neglizhencës, të makuterisë dhe të formave morbide të ushtrimit të pushtetit. Pastaj vijnë “leksionet” moralizuese politike për progres dhe qeverisje të mirë të atyre që kurrë nuk i mësuan për vete.

Të fundit