Kontesti me Bullgarinë për gjuhën maqedonase dhe prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara historike, ka rritur përplasjet mes partive politike në Maqedoninë e Veriut.
Bullgaria ka arritur që këtë kontest ta ngrehë në nivelet më të larta të Bashkimit Evropian, me një memorandum, përmes të cilit kërkon që Marrëveshja bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes për fqinjësi të mirë, të jetë pjesë e kornizës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Në këtë memorandum, pala bullgare thekson se “gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar deri në 2 gusht të vitit 1944 dhe se formimi i kombit maqedonas është projekt i Beogradit gjatë periudhës mes dy luftërave botërore”. Sofja gjithashtu konteston prejardhjen e Goce Dellçevit duke theksuar se ai është bullgar, njëjtë siç pretendon edhe Shkupi se ai është maqedonas.
Por, pavarësisht kësaj, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev beson se mes dy vendeve do të arrihet një marrëveshje e pranueshme, por pa prekur çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën.
“Ne jemi të përkushtuar në zgjidhjen e këtij kontesti që ndodhet para nesh. Padyshim se çështjet që kanë të bëjnë me identitetin si gjuhën maqedonase dhe kombin maqedonas janë të garantuara me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Unë besoj se do të gjendjet zgjedhje edhe për këtë personalitet nga e kaluara dhe se ai do të na shërbejë për t’u bashkuar dhe jo për të na ndarë. Do të kemi takime intensive, nga fundi i muajit apo fillimi i muajit të ardhshëm do të vizitojmë Sofje dhe shpresoj në arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme që t’i hapim rrugës çështjeve ekonomike, nga të cilat do të kemi përfitime të mëdha”, ka deklaruar Zaev.
Por, opozita për thellimin e problemit me Bullgarinë ka fajësuar pushtetin, në veçanti kryeministrin Zoran Zaev, i cili sipas kryetarit të VMR-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka mashtruar opinionin duke thënë se Maqedonia e Veriut më nuk ka asnjë problem të hapur me vendet fqinje.
Mickovski thotë për Radion Evropa e Lirë, se opozita i kishte dhënë mbështetje kryeministrit Zaev si dhe presidentit Stevo Pendarovski për ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët lidhur me memorandumin e palës bullgare, të cilën, siç thotë Mickovski, Sofja arriti ta vendosë në agjendat më të larta të Unionit.
“Atëherë, Zoran Zaev dhe Stevo Pendarovski më bindnin se dokumenti i hartuar në Parlamentin bullgar është dokument i cili praktikisht ka shërbyer për mobilizim në zgjedhjet lokale në Bullgari. Sot, sërish shohim manipulim me publikun, e publiku duhet ta dijë se vendimi ka qenë që fqinji ynë lindor ta përvetësojë Goce Dellçevin si të vetin, ndërsa ne të themi se Goce Dellçevin është i yni… A ka nënçmim më të madh se të negocioni dhe të thoni se paraardhësit tanë, të cilët kanë vdekur duke luftuar për Maqedoninë, të cilët kanë folur gjuhën maqedonase, tani tërë këtë ta shkatërrojmë dhe ta fshijmë, për shkak se tani ndonjë politikan i paaftë e ka vënë këtë në tavolinë për t’u negociuar”, shprehet kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ai thotë se për këto çështje të ndjeshme, për gjuhën maqedonase, për identitetin, për heronjtë kombëtar si Dellçevi nuk duhet të zhvillohen negociata, për asnjë çmim.
Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se zgjidhje të problemi duhet të ketë, por rolin më të mëdha në këtë çështje duhet ta ketë Bashkimi Evropian. Simonida Kacarska, drejtuese e Institutit për Politika Evropiane, thotë se kërkesat e Bullgarisë bien ndesh me politikat e BE-së, në veçanti me kornizën negociuese, që sipas saj, duhet të përjashtojë kontestet dypalëshe në bllokimin e zgjerimit të unionit.
“Përfshirja e këtyre kërkesave në kornizën negociuese paraqet edhe dështim për Bashkimin Evropian që të tregojë se metodologjia e re mund t’i afrojë vendet në bazë të parimit të meritës si dhe të kufizojë ndikimin e kontesteve dypalëshe në procesin e anëtarësimit në union. Nëse BE-ja dëshiron të dëshmojë se ka potencial, këtë duhet ta tregojë në rastin tonë, duke u pozicionuar prapa parimeve dhe vlerave mbi të cilat është themeluar, e që nuk parashohin kërkesa e kushtëzime nga pala bullgare”, ka deklaruar Kacarska.
Komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhelyi gjatë vizitës të mërkurën në Shkup ka thënë se “është në interes edhe të Bullgarisë ashtu edhe të Maqedonisë së Veriut, që të gjejnë zgjidhje për këto çështje”. Sipas tij, pa u sqaruar këto mosmarrëveshje, do të jetë shumë e vështirë që gjërat të lëvizin para, meqë procesi i zgjerimit të BE-së kërkon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare.
Marrëveshjen për fqinjësi të mirë Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria e kanë arritur më 2 gusht të vitit 2017, por për shkak të dallimeve të thella, ajo ende nuk është arritur të zbatohet.