E premte, 13 Dhjetor, 2024

ANALIZË E KDP: KUSH JANË PRONARËT E HIDROCENTRALEVE TË VOGLA, SA FITOJNË ÇDO VIT DHE ÇFARË DËMI SHKAKTOJNË?

Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në rajonin e Ballkanit ka ngjallur shqetësime edhe te organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Përveç se sigurojnë përfitime vetëm për pronarët, a dëmet për natyrën janë të mëdha, këto hidrocentrale shpesh paraqesin burim korrupsioni dhe keqpërdorimi të pozitës zyrtare për përfitime personale.

 

Autor: KDP

 

Organizatat ndërkombëtare WWF dhe Bankwatch u bëjnë thirrje qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor të heqin subvencionet për hidrocentralet e vogla (sHCP), të cilat paraqesin rrezikun më të madh për lumenjtë e fundit të Evropës me rrjedhje të lirë.

2700 HIDROCENTRALE DO TË SHKATËRROJNË 5000 KM LUMENJ

Protestues duke mbrojtur Leshnicën e Sharrit nga ndërtimi i hidrocentraleve të vogla.

“Ekosistemet e ujërave të ëmbla po zhduken me një shpejtësi alarmante. Sipas Raportit të fundit të Gjendjes së Planetit, popullsia e specieve të ujërave të ëmbla ka rënë me 84% që nga viti 1970. Mbi 60% e lumenjve të Evropës janë në gjendje të keqe, kryesisht për shkak të degradimit dhe shkatërrimit nga digat, hidrocentralet, kanalet, nxjerrja e paqëndrueshme e rërës dhe zhavorrit, infrastruktura e planifikuar dobët e lundrimit, etj. Prandaj nuk është për t’u habitur që disa nga zonat më të degraduara të lumenjve janë të vendosura në Evropë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të WWF dhe Bankwatch.

Sipas tyre, nxitjet shtetërore janë arsyeja kryesore pse rreth 2.700 sHC janë planifikuar në të gjithë Ballkanin. Nëse kjo nuk ndalet, WWF dhe Bankwatch paralajmërojnë se qindra lumenj do të shkatërrohen, me çrast 5,000 km lumenj të paprekur do të zhduken.

Deklarata gjithashtu thekson se në vendet e Ballkanit Perëndimor, numri i hidrocentraleve me një kapacitet deri në 10 MW është katërfishuar gjatë dhjetë viteve të fundit.

“Është e qartë nga kjo se qeveritë e vendeve në rajon janë duke i dhënë përparësi zhvillimit të hidrocentraleve të vogla. Të dhënat për vitin 2018 na tregojnë se 70% e të gjitha stimujve për burimet e ripërtëritshme të energjisë janë shpenzuar në hidrocentrale të vogla në nivel rajonal”, thanë WWF dhe Bankwatch.

Sipas tyre, qeveritë duhet të ndryshojnë urgjentisht ligjet dhe rregulloret për të parandaluar shkatërrimin e mëtejshëm të panevojshëm të lumenjve.

BASHKIMI EVROPIAN I SHQETËSUAR NGA TRENDI NEGATIV ME HIDROCENTRALET

Shkatërrimi fillon nga ndërtimi i rrugës për mekanizmat për ndërtim.

WWF dhe Bankwatch thanë se dëmi joproporcional mjedisor dhe social i shkaktuar nga hidrocentrale të vegjël në lidhje me sasinë e energjisë elektrike të prodhuar tashmë është njohur nga Komuniteti i Energjisë dhe Grupi i Ekspertëve Teknik të Bashkimit Evropian për Taksonominë Financiare dhe është gjithashtu në dokumentin e BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke qenë se vendet e Ballkanit Perëndimor tani po kalojnë procesin e vendosjes së politikave dhe qëllimeve të tyre në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030, organizatat thonë se është koha për të ndaluar subvencionimin nga shteti. “Në vend të kësaj, ata duhet të përqendrohen në alternativa që kanë më pak ndikimi në natyrë dhe njerëz. Ato përfshijnë rritjen e efikasitetit të energjisë ose investimin në burime të energjisë të tilla si dielli ose era, për të cilat ka potencial të madh në rajon nëse planifikohen në mënyrë adekuate dhe me pjesëmarrjen e publikut”.

PRONARËT E VËRTETË – POLITIKANË E NJERËZ TË LIDHUR ME PUSHTETIN 

Mbi 5 mijë kilometra lumenj të shkatërruar.

I nxitur nga tarifat bujare të sponsorizuara nga shteti, që janë në kundërshtim me udhëzimet e BE-së për ndihmën shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe energjisë, numri i hidrocentraleve hidrocentrale të vegjël në Ballkanin Perëndimor është katërfishuar nga viti 2009 e deri më 2019.

Shtetet e Ballkanit kanë investuar shumë pak në projektet e energjisë diellore dhe të erës, ndërkohë që 70 përqind të fondeve shtetërore për energji shkuan për nxitjen e  hidrocentraleve të vogla.

Përkundër kësaj mbështetjeje, sipas WWF hidrocentralet e vogla gjeneruan vetëm 3.6 përqind të energjisë elektrike totale.

Ky bum i hidrocentraleve të vogla ka shkaktuar gjithashtu zemërim publik në të gjithë rajonin pasi lumenjtë dhe përrenjtë, shpesh në zona me vlera ekologjike dhe të mbrojtura si Parku Natyror Stara Planina në Serbi, Parku Kombëtar i Luginës së Valbonë, Mali Sharr në Tetovë etj., janë dëmtuar dhe futur në tuba derivimi, duke lënë shtratet e lumenjve të thatë dhe komunitetet që varen prej tyre pa burime vitale të ujit.

Në raportin e WWF për 2018, thuhet se shfaqja si pronarë të hidrocentraleve e politikanëve ka ngjallur dyshime për korrupsion.

Aty thuhet se ish-zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështjet Ekonomike, Koço Angjushev zotëron të paktën 27 hidrocentrale të vegjël dhe presidenti i partisë kryesore të opozitës, Hristijan Mickoski gjithashtu mban të paktën 5 koncesione.

Në Serbi, ndërmarrjet e lidhura me Nikola Petroviq, kumbari i Presidentit Aleksandar Vučić, janë ndër përfituesit kryesorë të mbështetjes së energjisë hidrike.

Nga fondet shtetërore për nxitjen e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla në Malin e Zi kanë përfituar kryesisht njerëz pranë Presidentit, Milo Gjukanoviq.

SA ËSHTË FITIMI I PRONARËVE?

Përderisa qytetarët ankohen dhe protestojnë kundër shtrenjtimit të rrymës, pronarët numërojnë milionat.

Në një kohë kur qytetarët e Maqedonisë së Veriut protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, pronarët e hidrocentraleve të vogla numërojnë fitimin nga çdo rrotullim i turbinave.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2009 e deri më tani në këtë vend janë ndërtuar 75 hidrocentrale të vogla, 35 janë në ndërtim e sipër kurse 18 presin koncesion nga qeveria.

Në bazë të të dhënave që KDP i ka siguruar nga Regjistri Qendror i Kompanive, hidrocentrali i vogël më fitimprurës vitin e kaluar ka qenë Hydro Energy Group. Kjo kompani energjetike  vrtëm gjatë vitit 2019 ka fitim neto (të pastër) prej rreth 423 mijë euro dhe të ardhura prej rreth 900 mijë euro. Në vitin 2018 ky fitim ka qenë më i lartë për 27 përqind. Marzhi i fitimit të Hydro Energy Group është 47 përqind, që do të thotë se gati gjysma e të ardhurave totale është një fitim për kompaninë. Hydro Energy Group është kompania që në vitin 2015 nënshkroi një marrëveshje koncesioni me Qeverinë për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla në lumin Zhirovniçka në Parkun Kombëtar Mavrovë. Kjo është kompani e formuar nga një konsorcium i dy kompanive: “Hydropower Group” dhe “Ferroivest”, në të cilën një nga pronarët është Koço Angjushev.

Monting Energetika Tikvesh është hidrocentrali i dytë më profitabil, i cili në vitin 2019 gjeneroi të ardhura prej 672 mijë euro nga energjia elektrike e dorëzuar, që është 18 përqind më shumë se vitin e kaluar. Vetëm fitimi i pastër ka qenë 396 mijë euro, që është për 37 përqind më i lartë se në vitin 2018. Ky hidrocentral ka si pronarë Vesna Xhuteska – Biseva dhe Emil Bisev dhe tre kompanitë: Monting Energetika, Dorin Trade dhe VIG Group Consulting, që është pronë e Ilço Gjorgioski, ish-president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë.

EMK DOOEL është një kompani ku pronarët figurojnë si të huaj, e që vitin e kaluar ka realizuar të ardhura prej 1 milion euro. Kjo kompani është në pronësi të kompanisë austriake “Energi Easern Europe Hydro Power Gmbh Judinburg”.

Vardar Hidro është në pronësi të Elizabeta Georgieva, ElektroLab, Asking dhe Vardar Gradba. Kjo kompani realizoi të ardhura prej 377 mijë euro, dhe fitim prej 107 mijë euro.

Të ardhurat më të mëdha nga shitja e energjisë elektrike vitin e kaluar realizoi SOL Hydropower dhe arrin në 1.5 milion euro. Ky hidrocentral është ndërtuar në vitin 2013 në lumin Brestnjanska në Komunën e Likovës. Kjo kompani është në pronësi të SOL Spa, një kompani nga Italia.

Të fundit