E premte, 26 Korrik, 2024

KA PARA PËR LUKSE FUNKSIONARËSH, POR JO PËR PAJISJE NXËNËSISH TË VARFËR

Nëse qeveria nuk do të shpenzonte 8.1 milion euro për veturat luksoze për funksionarë dhe 3 milionë për laptopë për ESH, me 11.1 milionë euro do të blente 25,000 laptopë, aq sa janë të evidentuara familjet që shfrytëzojnë ndihma sociale.

 

Autor: Xhelal Neziri

Pandemia e koronavirusit nuk e zhveshi vetëm sistemin e kalbur shëndetësor, por edhe atë arsimor të Maqedonisë së Veriut. Pacientët me sëmundje kronike nuk arrijnë të marrin trajtimin e duhur shkaku i mbingarkesës me pacientë të prekur nga virusi, kurse nxënësit as pas shtyrjes njëmujore të procesit mësimor nuk e kanë të qartë se si do të vijojnë arsimin. Pasi ra sistemi “Termini im” për pacientët, ra edhe platforma online e Ministrisë së Arsimit. Një kaos i paparë në menaxhimin e shtetit me dy segmentet jetike – arsimi dhe shëndetësia.

Rregullimi i platformës për mësim online, megjithatë, nuk do ta zgjidhë problemin në tërësi. Në bazë të të dhënave zyrtare, në Maqedoninë e Veriut ka rreth 250,000 nxënës, prej të cilëve 180,000 janë nxënës të shkollës fillore, kurse 70,000 të shkollës së mesme.  Ministria e Arsimit, edhe pse filloi vitin shkollor, ende nuk e di se sa prej nxënësve nuk kanë kompjuter dhe internet. Të dhënat e vetme janë nga viti 2017 kur, sipas Entit Shtetëror të Statistikës, ka 14,700 përfitues të vegjël të ndihmës sociale, si dhe 26,000 familje. Nga këto të dhëna mund të supozohet se numri i nxënësve që nuk kanë as kompjuter (ose mjet tjetër për kyçje online) e as internet, lëviz nga 15,000 deri më 50,000. Një gjeneratë e tërë e cila do të ngec shkaku se shteti nuk arriti t’u sigurojë mjete themelore për të mësuar në këtë kohë pandemie.

Numri i nxënësve që mbeten jashtë procesit mësimor mund të jetë edhe më i madh nga shkaku se edhe atje ku ka pajisje elektronike, mungon kuadri i aftë për të punuar me mënyrat e reja, nuk ka lidhje të mirë interneti, sistem vlerësimi dhe monitorimi e kështu me radhë. Këto pengesa mund edhe të mos i adresohen qeverisë, pasi i solli papritmas pandemia, por lënia e nxënësve jashtë procesit për një laptop apo celular është një lëshim i madh.

Vetëm për blerjen e makinave luksoze për funksionarët qeveritarë nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 8.1 milion euro. Sipas raportit të Qendrës për Komunikime Civile (QKC) me seli në Shkup, institucionet shtetërore në vitet 2018, 2019 dhe 2020 kanë blerë gjithsej 392 automjete të reja. Një e katërta e këtyre  automjeteve janë më të shtrenjta se 30 mijë euro, nga të cilat 46 janë “pasat” prej 39 mijë eurosh secila.

Ndërkohë në shtator të këtij, pra disa ditë para fillimit të vitit shkollor, Enti Shtetëror i Statistikës – nëpërmjet një marrëveshje me Makedonski Telekom AD Shkup për prokurimin e pajisjeve IT – bleu laptopë në vlerë prej 190 milion denarë, ose rreth 3 milion euro. Sipas specifikimit teknik të prokurimit, bëhet fjalë për blerje të 5,650 laptopë, që do të thotë se ESHS do të shpenzojë 540 euro për një laptop. Përfaqësuesit e këtij institucioni u arsyetuan se laptopët do të përdoren për të kryer regjistrimin dhe se blerja e tyre do të kursejë para.

Megjithatë, një laptop i mirë që do ta përdornin nxënësit nuk do të kushtonte më shumë se 450 euro. Nëse qeveria nuk do të shpenzonte 8.1 milion euro për veturat luksoze për funksionarë dhe 3 milionë për laptopë për ESH, me 11.1 milionë euro do të blente 25,000 laptopë, aq sa janë të evidentuara familjet që shfrytëzojnë ndihma sociale.

Të fundit