E martë, 10 Dhjetor, 2024

Përleshje të ashpra ndërmjet forcave të Armenisë dhe Azerbajxhanit

Armenia ka mobilizuar ushtrinë, pas luftimeve të ashpra me forcat e Azerbajxhanit në rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut.

Vendimi i Jerevanit për të rritur nivelin e mobilizimit të ushtrisë vjen pasi presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev u zotua për “fitore” ndaj forcave armeniane në Nagorno Karabak, një rajon i banuar kryesisht nga armenët etnikë.

Armenia ka akuzuar forcat e Azerbajxhanit se kanë bombarduar vendbanime në Nagorno Karabak dhe Baku zyrtar tha se forcat armene kanë sulmuar ushtrinë e Azerbajxhanit dhe pozicionet civile.

Të dy palët kanë raportuar për viktima.

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian ka shkruar në Facebook se qeveria ka urdhëruar mobilizimin e plotë të ushtrisë. Ai më herët ka deklaruar se Azerbajxhani ka goditur nga ajri vendbanimet e civilëve në rajonin e Nagorno Karabakut, përfshirë edhe në kryeqytetin rajonal, Stepanakert.

Azerbajxhani ka thënë se ka nisur një operacion ushtarak si kundërpërgjigje ndaj bombardimeve, në të ashtuquajturën “Linjë të Kontaktit”, që ndan forcat e këtij shteti me ato të Armenisë.

Ministria e Mbrojtjes së Armenisë tha se ushtria ka rrëzuar dy helikopterë dhe tri dronë të Azerbajxhanit. Por, ky lajm është mohuar nga Baku zyrtar.

“Përgjigja jonë do të jetë proporcionale dhe udhëheqësia politike dhe ushtarake e Azerbajxhanit do të mbajë përgjegjësinë për këtë situatë”, tha Ministria e Mbrojtjes së Armenisë.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha se forcat e saj “po ndërmarrin masa hakmarrëse dhe trupat tona kanë në kontroll të plotë situatën operacionale”.

Autoritetet armene kanë thënë se gjatë përleshjeve mes dy palëve është vrarë edhe një grua dhe një fëmijë.

Përleshjet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit janë intensifikuar muajt e fundit.

Rajoni i Nagorno Karabakut dhe shtatë qarqe të tjera të Azerbajxhanit, u morën nën kontroll nga separatistët e mbështetur nga Armenia, të cilët shpallën pavarësinë gjatë konfiktit të viteve 1988-1994. Në këtë konflikt mbetën të vrarë të paktën 30,000 persona dhe qindra-mijëra të tjerë u zhvendosën.

Më 1994, Rusia ndërmjetësoi një armëpushim të brishtë dhe që atëherë ky rajon ka qenë nën kontroll të forcave etnike armeve, që Azerbajxhani thotë përfshijnë edhe trupa që vijnë nga Armenia. Ky rajon ka shpallur pavarësinë, por nuk është njohur nga asnjë vend.

Bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje paqësore dhe për t’i dhënë fund konfliktit janë udhëhequr nga i ashtuquajturi Grup i Minskut, që kryesohet nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia. Por, deri më tani nuk ka pasur përparim në rrugën drejt arritjes së një zgjidhjeje për konfliktin.

Të fundit