Rrjedhja e dokumenteve të Dhomës së Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, është një skandal i madh dhe shumë i rrezikshëm për dëshmitarët, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Johanna Deimel, anëtare e bordit të Shoqatës për Evropën Juglindore (Southeast Europe Association) në Mynih. Ajo thotë se zhvillimet e fundit e minojnë punën e Gjykatës.
Lidhur me marrëveshjen për normalizim ekonomik, të arritur në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, analistja e pavarur Diemel, vlerëson se e gjithë ajo “shfaqje” mund të ketë një lojë tjetër në prapaskenë.
Radio Evropa e Lirë: Dhomat e Specializuara me seli në Hagë kanë kryer arrestimin e parë të enjten, më 24 shtator. Ky zhvillim ndodh pesë vjet pasi Kuvendi i Kosovës themeloi këtë gjykatë. Një tjetër zhvillim lidhur me këtë gjykatë është ai pretendimi i veteranëve të luftës në Kosovë, të cilët thonë se një person i paidentifikuar po u dorëzon atyre dosje nga gjykata. Kjo duket të jetë një sulm ndaj sigurisë duke ekspozuar dëshmitarët e mbrojtur. Si i shihni ju këto zhvillime?
Johanna Deimel: Ky është padyshim një sulm mbi sigurinë. Është një skandal i madh dhe shumë i rrezikshëm për dëshmitarët. Brenda dy muajsh, për të tretën herë me rradhë, ka pasur rrjedhje të dokumenteve konfidenciale të gjykatës. Kjo e minon punën e Gjykatës (Speciale) dhe siç e thashë të dëshmitarëve të cilët tashmë janë pjesë e saj dhe ata që janë të gatshëm të bashkëpunojnë. Unë jam shumë e gëzuar që vendet e Kuint-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) ishin shumë të qarta duke e dënuar çdo përpjekje për të minuar dhe zhvlerësuar misionin e Gjykatës Speciale. Dhe, mbase për shkak të rrjedhjes së këtyre dokumente kemi edhe arrestimin e parë nga ana e gjykatës.
Radio Evropa e Lirë: Këto zhvillime ndodhin shumë vite pasi është themeluar Gjykata Speciale. Gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar miliona euro për funksionimin e saj, kryesisht para të taksapaguesve evropianë, përfshirë edhe tuajat. A e ka dëmtuar kredibilitetin e gjykatës kjo vonesë?
Johanna Deimel: Unë kam qenë njëra prej kritikueseve të kësaj gjykate për faktin se kishte kaluar shumë kohë dhe asgjë nuk po ndodhte. Por, në anën tjetër unë kam pasur besim se do të jetë një proces i kujdesshëm dhe kërkon kohë në identifikimin e dëshmitarëve për të shqyrtuar dokumentet dhe për të zhvilluar intervistimin. Tash, pasi kemi aktakuzën e parë të ngritur, do të shohim në muajt e ardhshëm se çfarë do të ndodhë.
Radio Evropa e Lirë: Të flasim për situatën politike në Ballkanin Perëndimor. Pas disa viteve të një lloj status-quoje, ky rajon ka parë zhvillime të rëndësishme në periudhën e fundit. Do të fokusohem të marrëveshja e Uashingtonin e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia. Si e komentoni ju atë?
Johanna Deimel: Nëse flas për marrëveshjen e Uashingtonit mund t’ju them se jam në mëdyshje. Jam në mëdyshje nga kjo shfaqje në Uashington; nga nominimi për çmimin Nobel; nga medaljet; nga Liqeni Trump pastaj nga këndimet për Virxhinian Perëndimore në Beograd. Të gjitha këto çojnë në karakteristika të një realiteti satirik. Unë jam konfuze edhe nga videoja që kemi parë nga Zyra Ovale në fillim të shtatorit, dhe po e pyesja veten, se çfarë në të vërtetë ka pasur mbrapa gjithë këtyre ‘qirinjve të tymit’ dhe thirrjeve bombastike ‘Amerika është e mrekullueshme’, të cilat i kemi dëgjuar këto ditë edhe nga Prishtina dhe Beogradi. Pra, e pyesja veten se si e lejuan veten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti të bien në atë situatë aq të padinjitetshme dhe nënshtruese. Vërtet ia bëra vetes këto pyetje.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, a erdhe te ndonjë përgjigje?
Johanna Deimel: Do të thosha se mbase ky është një skenar dhe se ka diçka prapa skenës të cilën ne nuk e dimë. Ka diçka që po ndodh në prapaskenë. Mbetet të shihet se kur do të materializohen këto dokumente ekonomike dhe financiare që u nënshkruan. Kam dyshime se ka diçka në prapaskenë që ne nuk e shohim dhe e cila do të ofronte një shpjegim për këtë kthesë nënshtruese të Serbisë në drejtim të Shteteve të Bashkuara. Kjo gjithashtu e ndryshon tonin e raportit ndërmjet Moskës dhe Beogradit, po kjo vetëm në publik, më duhet të nënvizoj.
Nuk jam vetëm unë që kam shqetësime për këtë, janë edhe analistë tjerë siç është, Srecko Latal, i cili tha se me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, baraspesha e fuqive në Ballkan ka ndryshuar.
Gjithashtu analistët amerikanë, Janusz Bugajski dhe Daniel Server e kanë ndërlidhur këtë me zhvillimet në Mal të Zi, duke thënë se orientimi pro-perëndimor i këtij vendi është në pikëpyetje. Nëse kalojmë në Mal të Zi dhe shohim qeverinë e re e cila përbëhet nga forcat pro-serbe dhe pro-ruse, atëherë pyesim çfarë do të thotë kjo për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pastaj për anëtarësimin në NATO? A mund të ketë një ‘Montenegrexit’, ku do të shkojë Mali i Zi atëherë? A do të bëhet pjesë e projektit të ‘Serbisë së Madhe’, siç konsideron Janusz Bugajski? Pra, duke i vendosur pjesët e mozaikut pak më ndryshe, përfundimisht kam ardhur në idenë: Po, sikur presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë rënë dakord se si të veprojnë me Kosovën dhe Serbinë? A mund të ndodhë një shkëmbim territorial krejtësisht tjetër që mund të jetë në tavolinë, domethënë: që me pëlqimin e Putinit dhe Trumpit, Kosova të njihet si e pavarur nga Serbia, por si kthim, Mali i Zi të bashkohet me Serbinë?
Radio Evropa e Lirë: Kjo po tingëllon shumë hipotetike….
Johanna Deimel: Është hipotetike, po spekuloj, natyrisht. Siç e thashë në fillim, jam shumë konfuze për këtë shfaqje (në Uashington)….tërë kohën po mendoja se çfarë është duke ndodhur? Çfarë në të vërtetë po ndodh?
Radio Evropa e Lirë: Do të përqëndrohem te ajo që thatë më herët, ndryshimi i baraspeshës së fuqive në Ballkan. Na shtjelloni pak më shumë.
Johanna Deimel: Kemi parë një kthim të çuditshëm dhe të fuqishëm në politikën e jashtme të Serbisë në drejtim të Shteteve të Bashkuara. Ky është një ndryshim i plotë i kursit. Kjo është e çuditshme. Ne po shohim sjelljet e Millorad Dodikut në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili sipas disa analistëve, po kërkon aleanca të reja. Pra, kemi një zhvendosje, përfundimisht kemi një zhvendosje ( të baraspeshës së fuqive në Ballkan). Se ku do të çojë kjo nuk e di. Por, mendoj se duhet të jemi të alarmuar.
Radio Evropa e Lirë: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka qenë i ngrirë për një kohë të gjatë. Shumë marrëveshje që janë arritur më parë nuk janë zbatuar ende. Ndërkohë Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar disa takime në Bruksel javët e fundit, por ende nuk ka rezultate konkrete? Ka shumë zëra që thonë se ky dialog po bëhet sikur ai i Qipros që po zgjat për gati 50 vjet?
Johanna Deimel: Po, Qiproja është ende një çështje për Bashkimin Evropian, marrë parasysh edhe atë që po ndodh tash me migrantët dhe shantazhin që po bën Qiproja për këtë çështje. Kjo është një traumë për Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja që gjërat duhet të parandalohen. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë nuk mund të presim që pas një ndërprerjeje kaq të gjatë të kemi menjëherë negociata të thukta politike. Më duhet të them se ishte shumë interesante kur lexova intervistën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe nëse lexoni mes rreshtave, dhe nëse unë e kam lexuar korrekt, atëherë mund të them se Shtetet e Bashkuara nuk janë kundër dialogut (të BE-së), pasi ai tha se të gjithë duhet kenë qasje të re ndaj çështjeve. Dialogu është një rrugë e vështirë dhe nuk duhet të ketë zgjidhje të shpejta nëse dëshironi të keni një marrëveshje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, procesi merr kohë.
Radio Evropa e Lirë: Ju jeni një njohëse e mirë e zhvillimeve politike brenda Kosovës. Më intereson mendimi juaj për qeverisjen aktuale?
Johanna Deimel: Është qeveri shumë e dobët. Shumë e dobët. Nuk është në gjendje as të sfidojë (presidentin e Kosovës, Hashim) Thaçin apo rrjetet e korrupsionit në ekonomi dhe politikë. Në mënyrë të qartë është vegël e të tjerëve të cilët po vendosin nga prapavija. Unë dyshoj se ata po dëshirojnë të zgjidhin disa çështje gjatë muajve të ardhshëm deri në zgjedhjet e reja që mund të ndodhin pas krizës së pandemisë. Qeveria në një farë forme po shërben për ruajtjen e këtyre interesave. Edhe pse Ramush Haradinaj po synon të pasojë presidentin Hashim Thaçi në këtë post dhe po e kritikon qeverinë, mendoj se kjo nuk është shumë serioze, në njëren anë për shkak të situatës me pandeminë dhe në anën tjetër pasi hulumtimet e opinionit tregojnë se Vetëvendosje është shumë përpara.
Qeveria Hoti është shumë e dobët edhe në mënyrën sesi po e trajton pandeminë e koronavirusit dhe për këtë më vjen keq për popullin e Kosovës. Më duhet të rikujtoj se presidenti Thaçi ka insistuar në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në mes të muajit mars, kur pandemia ishte në fillim dhe jo në situatën çfarë është tash. Kjo pastaj çoi në dramën politike me mocionin në kuvend që u pasua me Qeverinë Hoti.