E shtunë, 12 Tetor, 2024

POLITIKANËT E ZGJEDHUR SHQIPTARË NUK PËRBALLEN ME PUBLIKUN

“Borgen”, një serial televiziv danez na sjell nëpërmjet një skenari, lojës aktoriale e regjisurës një shije se si politika në Danimarkë funksionon.

Autore: Valmora Gogo

Përpos gjithë problematikave, që sigurisht atje trajtohen krejt ndryshe krahasuar me Shqipërinë, “Borgen” na ofron një element që bën po ashtu një diferencë të thekshme, jo me të gjitha qeveritë e parlamentet shqiptare por në veçanti me ato të këtyre viteve të fundit. Seriali na kujton se marrëdhëniet politikë-publik sigurohen përmes medies, e cila e akseson politikën në forma të tilla si konferencat për shtyp.

Kështu pra, fare lehtësisht na vjen në kujtesë se edhe ne i kemi patur dikur por nuk dihet se nga na janë zhdukur. Jo shumë larg nga 7-8 vite më parë.

Por le të heqim dorë nga Danimarka, një vend shumë më i përparuar edhe se shumë të tjerë në Europë e le të shkojmë te fqinji ynë, një vend me qindra probleme politike, në Maqedoninë e Veriut. Edhe atje, dhe kësaj radhe nuk po flasim për filma, konferenca e shtypit jo vetëm që ekziston e vihet në përdorim por edhe gazetarët respektohen për çdo pyetje të ngritur. Mjafton të kujtojmë dhjetra gazetarë të rreshtuar në selinë e BDI-së ditën e zgjedhjeve më 15 korrik, e ku drejtuesit e saj u përgjigjeshin pyetjeve duke qëndruar për minuta me radhë para mandatorëve të publikut.

Po me Shqipërinë çfarë po ndodh këto 7-8 vitet e fundit? Pse kryeshërbëtorët e publikut, politikanët në pushtet pra, e kanë ekzekutuar konferencën e shtypit?!

Televizionet e kapura

Pak netë më parë, në emisionin “Opinion”, një nga më të ndjekurit mes emisionesh televizive shqiptare na u shfaq kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Tema? Projektet e Tiranës dhe specifikisht fokusi te projektet e rindërtimit pas lëkundjeve sizmike të 2019-ës.

Asnjë pyetje e fortë, asnjë ndërhyrje nga të ftuarit për ta vënë para llogaridhënies, përkundrazi Veliaj u duk si në një spot publicitar duke i dhënë gaz furçave propagandistike.

“Ta ballafaqojmë me PD-në dhe PS-në dhe ta shikojmë se kush është e vërteta”- kjo frazë e drejtuesit të emisionit Blendi Fevziut gjatë transmetimit përshkruan më së miri mungesën e pyetjeve që mund t’i interesojë opinionit publik, a thua se të vërtetën e nxjerrin këto dy parti, ndërsa në thelb demokracia ka disa pushtete, mes të cilëve edhe media si pushteti i katërt që ka detyrën t’i shërbejë interesit publik duke kontrolluar pushtetet e tjera. Edhe dy çështjet me interes për qytetarët: dëmshpërblimet për tërmetin dhe mungesën e furnizimit me ujë, i orientuan pa përballje reale, ndërsa pyetja për pastrimin e parave me ndërtimet në Tiranë qe as më shumë e as më pak ndaj Veliajt “A keni informacion?”

Po cilat mund të ishin pyetje të forta? Të ftuarit dhe drejtuesi mund ta kishin pyetur për shembull Veliajn pse s’ka mbajtur premtimet për lejet e ndërtimit që po na zënë frymën, apo për personat në konflikt të pastër interesi me drejtuesit e bashkisë që po fitojnë fondet e rindërtimit nga bashkia, apo pse vlerat e ndërtimit të shkollave janë shumëfishuar në projektin e rindërtimit. Por jo, Artan Hoxha, një i ftuar për pyetje nga Fevziu, kish hallin e telave sipër kokës, vetë Fevziu të historisë së famshme të Griseldës vite më parë, ndërsa Kadia hallin e avantazheve të socialistëve se si do t’i fitojnë zgjedhjet.

Ajo që pamë në këtë emision është vetëm maja e ajsbergut të problemit real në vend, i cili i përmbledhur është ky: Liderët e zgjedhur në pushtet nuk përballen me publikun dhe qytetarët nuk kanë se ku t’i vënë para përgjegjësive për vendimarrjet e tyre që shkaktojnë pasoja reale.

Politikanët zgjedhin vetë kanalet e komunikimit

Televizionet, gazetat dhe portalet e kapura (ato që kanë politika redaksionale afër qeverisë) nuk janë të vetmet rrugë që politikanët shqiptarë në pushtet zgjedhin sot për të shpërndarë mesazhet e tyre propagandistike.

Kur Edi Rama hapi “ERTV”-në ndokush mund të ketë qeshur me nismën, ndërsa muaj më pas “ERTV”-ja u bë ekrani kryesor i informimit për atë që po ndodhte me pandeminë.

Erion Veliaj dhe Edi Rama

Teknologjia u mundëson sot politikanëve të kenë kanalet e tyre dhe deri këtu s’ka ndonjë gjë të keqe. Çështja kthehet në problematike kur publiku sheh një politikan me megafon që në thelb nuk i përgjigjet pyetjeve të tij por i qëndron strikt skenarit propogandistik gjatë postimeve në “Facebook”, te videomesazhet me promter apo te mesazhet e komentuesve-trolle që kontrollohen tërësisht nga qeveria e padukshme (personat që bëjnë propagandën). Madje, duke mos patur përballë pyetje që reflektojnë vërtet interesin e opinionit publik, edhe te mediet që zgjedhin të dalin, mesazhet dhe retorika politike mbetet në nivelin e propagandës, e jo llogaridhënies.

Publiku zakonisht delegon gazetarët që të bëjnë ndërmjetësit mes tij dhe politikës ose publiku zgjedh të qëndrojë para politikanit dhe të pyesë. Por politikanët e kanë hequr edhe këtë mundësi, mjafton të kujtojmë kompozimin që bën kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me publik fals rreth e rrotull edhe në deklaratat e thjeshta, me rrethim të zonës që të mos kalojë asnjë i panjohur sa ai të japë deklaratat e regjistruara propagandistike.

Pra, pyetja thjeshtëzohet: ku do përballet qytetari me politikanin që ka votuar? Rrugët e llogaridhënies janë disa para votimeve për pushtetin qendror dhe atë lokal:

1- Krijimi i takimeve të vërteta, jo të stisura për show.

2-Përballjet televizive dhe delegimi i gazetarëve në bërjen e pyetjeve që shqetësojnë qytetarët dhe mundësia që duhet të krijojnë politikanët që gazetarët të bëjnë detyrën (në konferencat e Ramës dhe Veliajt pyetjet janë të fiksuara, njësoj si rezultati i jashtëligjshëm i ndeshjeve dhe televizionet janë të njëanshme).

3-Dëgjesat publike (edhe këtu kemi parë se sa të stisura janë ato, mjafton të kujtojmë pseudodëgjesat për Teatrin Kombëtar).

4- Mandatimi i opozitës për përfaqësimin e qytetarëve në parlament (por sot s’kemi më opozitë në parlament dhe interpelancat janë kthyer në përballje showbizzi).

Gazetarët, të vetëdijshëm për situatën as nuk përpiqen të pyesin më politikanët e zgjedhur (edhe pse në bazë të ligjit të informimit është krijuar hapësira) nëse nuk ekzistojnë në WhatsApp-in e Fugës apo koordinatorëve të Veliajt, teksa këta të fundit janë ata që japin dritën jeshile për çdo mesazh propagandistik që depërton te mediet afër qeverisë.

Teksa mediet afër opozitës merren me kundërpërgjigje për çështje që ka ngritur propaganda Rama dhe propaganda Veliaj, mbetet jashtë mundësia e përgjigjeve reale që do të duhesh që në kushte të tjera ta jepnin politikanët e zgjedhur.

Centralizimi i informacionit

Tani le të hyjmë në një rast konkret për të faktuar konkluzionet e mësipërme.

Ju kujtohet si e centralizoi informacionin për menaxhimin e pandemisë kryeministri Rama? Asnjë gazetar gjatë punës së tij nuk kishte ku pyeste, nuk kishte ku informohej për të infektuarit, masat e qeverisë, testimet, mbrojtjen ndaj virusit. E vetmja mënyrë ishte të klikoje profilin Edi Rama në “Facebook”.

Situata e pandemisë Covid19 nxorri edhe më fuqishëm në pah dëshirën e pushtetarëve për të zhdukur ndërmjetësin, filtruesin, kërkuesin e llogarisë në emër të opinionit publik dhe interesit publik; gazetarin.

Informacioni u centralizua i gjithë, si në një vend diktatorial, ku “rubinetin” e kishte vetëm kryeministri Rama.

Në një monitorim të imtësishëm të profilit të kryeministrit Rama, gazetari Isa Myzyraj solli si konkluzion se gjatë marsit të këtij viti komunikimin me publikun Rama e ka pasur në shumicën e rasteve në “Facebook”, duke shmangur totalisht konferencat për shtyp dhe duke shmangur pyetjet nga gazetarët. 13 postime në ditë janë parë në profilin e Ramës ndërsa ka pasur gjithsej 10 lidhje në studio televizive nga këto, emisione prime-time në darkë, ose lidhje me edicione lajmesh.

Ajo që vihet re në komunikimin e kryeministrit dhe postimet e tij është se vetë ai ishte publikuesi i parë i informacionit të fundit. Më konkretisht, në lidhje me situatën e COVID-19, është pikërisht kryeministri që publikon ҫdo informacion i pari, gjë që mund ta bënte ose Instituti i Shëndetit Publik ose Ministria e Shëndetësisë.

Nevoja e ligjit “Përgjigju!”

Në Shqipëri duhet një ligj i ri i dedikuar, i cili të detyrojë gjithë liderët që vijnë dhe qëndrojnë në pushtet të mbajnë konferenca për shtyp, t’u përgjigjen në çdo sekondë pyetjeve të gazetarëve (edhe pse e drejta e informimit përcakton 40 ditë kohë për përgjigje por që realiteti tregon se nuk është kurrë funksionale për liderët kryesorë në pushtet) si dhe ky ligj të ngrejë edhe borde që të vlerësojnë nëse hapësira publike, kjo pronë e përbashkët që nuk është e asnjë lideri në veçanti, po shfrytëzohet në interes të opinionit publik.

Në Shqipëri, në fjalimin e parë pas fitores, çdo politikan mund ta ketë për detyrim, në bazë të këtij ligji që të zotohet se do japë llogari për çdo vendim që merr para qytetarëve kur këta të fundit ta kërkojnë dhe në çdo kohë ta kërkojnë.

Dhe kjo kërkon angazhimin e të gjithë gazetarëve të interesuar për gazetari në politikë e qytetarëve që kërkojnë gazetari cilësore.

Shënim; Fotoja kryesore është Pronësi Intelektuale e “VectorStock”-ut. Shkrimi vjen pas një vëzhgimi të gjatë të mënyrës si komunikojnë politikanët e zgjedhur dhe se si vepron media.

/gogo.al, partner i KDP

Të fundit