E martë, 10 Dhjetor, 2024

Kosovë-Serbi: Pse çështjet politike duhet të trajtohen para atyre ekonomike

Nga Clare Nuttall

Marrëveshja e arritur në fillim të këtij muaji midis Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me ndërmjetësimin e SHBA-së – dhe e deklamuar nga Shtëpia e Bardhë si një marrëveshje “historike” – ka konfirmuar se duhet të trajtohen më parë çështjet e pazgjidhura politike, nëse dëshirohet një progres real drejt daljes nga ngërçi i vjetër midis 2 vendeve.

Bisedimet që synojnë arritjen e një zgjidhjeje të negociuar të mosmarrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradit, janë duke u zhvilluar sërish në Bruksel, por është e qartë se nuk ka një rrugëdalje të lehtë. Përfshirja e SHBA-së në zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis dy vendeve të Ballkanit Perëndimor u ripërtëri me emërimin e Riçard Grenëll si i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump.

Kjo erdhi pasi dështimit të përpjekjeve të mëhershme si nga Uashingtoni ashtu edhe nga Brukseli. Sidomos BE-ja e kishte shfokusuar vëmendjen nga Ballkani Perëndimor dhe procesi i zgjerimit për shkak të konflikteve të brendshme mbi emigracionin, dhe pikëpyetjet që krijoi Brexit në lidhje me të ardhmen e unionit.

Mbase duke e pranuar se një zgjidhje politike do të ishte e pamundur, Grenëll ka folur më parë mbi normalizimin e raporteve ekonomike, dhe përmirësimin e kushteve të jetesës duke qenë çelësi për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit. “Shtetet e Bashkuara, mendojnë se lufta 20-vjeçare midis Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ekonomike”- tha Grenëll në një intervistë për gazetën kosovare “Express” në muajin qershor.

Ai shtoi se faza e dytë e procesit, e udhëhequr nga BE, duhet të ndodhë vetëm pas normalizimit të raporteve ekonomike. Samiti i Uashingtonit midis presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit kosovar Avdullah Hoti në datat 3-4 shtator, u cilësua para kohe si një shans për një përparim thelbësor në çështjet ekonomike.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë u nënshkruan dy marrëveshje të ngjashme por të ndara. Në aspektin ekonomik, Kosova dhe Serbia ranë dakord të zbatojnë marrëveshjet rrugore dhe hekurudhore për të cilat ishte rënë tashmë dakord që në muajin shkurt.

Ndërkohë SHBA u angazhua të financojë ndërtimin e Autostradës së Paqes nga Nishi i Serbisë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, dy linja hekurudhore, dhe mbështetje për “projekte dypalëshe shtesë“ të paspecifikuara. Në lidhje me autostradën më 15 shtator u nënshkruan marrëveshje me Korporatën e Financave të Zhvillimit (DFC) në SHBA dhe Bankën e Eksport-Import it (EXIM).

Të dy institucionet do të dërgojnë delegacionet në Beograd dhe Prishtinë në fund të këtij muaji, për të çuar përpara punën për ndërtimin e Autostradës së Paqes dhe projekte të tjera. Një tjetër element pozitiv nga samiti ishte përfshirja e Kosovës në zonën e “mini-Shengen”-it, një nismë e bashkëpunimit rajonal e ndërmarrë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, edhe pse nuk është e qartë se sa ndikim do të ketë ajo në praktikë.

E megjithatë, ndërsa çdo përparim drejt një afrimi midis të dyja palëve është qartësisht pozitiv, sidomos ai që sjell investime në rajon, marrëveshja ekonomike ishte larg përparimit historik që pretendojnë mbështetësit e saj, pasi e la tërësisht të pa-adresuar situatën politike. Në fakt, kur marrëveshja u fut në hapësirën politike, ajo shkaktoi një reagim të menjëhershëm. Politikanët e opozitës në Prishtinë, u ankuan se ajo kërcënon të minojë sovranitetin e Kosovës:pasi përfshin një angazhim që Kosova të mos tentojë të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare për 1 vit, dhe të punojë me Departamentin amerikan të Energjisë për në një studim fizibiliteti mbi ndarjen e ujërave në Liqenin i Ujmanit, shumica e të cilit shtrihet brenda territorit të Kosovës.

Moska ishte qartazi e pakënaqur me marrëveshjen e arritur. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, shkaktoi zemërim në Beograd kur u tall në një postim në Facebook me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Në postim ajo kishe vendosur foton e Vuçiç të ulur para tryezës së presidentit amerikan Donald Trump, shoqëruar me foton e famshëm nga filmi “Basic Instinct”, që e tregon aktoren Sheron Stoun të kryqëzojë këmbët teksa po merrej në pyetje. “Nëse jeni të ftuar në Shtëpinë e Bardhë, dhe karrigia është vendosur sikur të ishit duke u marë në pyetje, uluni si në foton nr.2 Kushdo që të jeni. Thjesht më besoni”- shkroi Zakharova. Ajo më vonë e fshiu postimin, duke pretenduar se ai ishte “keqinterpretuar”.

Ndërkohë, marrëveshja e vendosi Serbinë në një pozitë të vështirë ndaj një aleati tjetër, Kinës. Uashingtoni e përdori marrëveshjen si një armë shtesë në luftën e saj tregtare me Kinën, në përpjekjet për të dëbuar kompaninë kineze Huauei nga Evropa Qendrore dhe Juglindore.

Edhe pse në marrëveshje kompania nuk përmendet me emër, të dyja palët u zotuan të “ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të furnizuar nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit”. Menjëherë pas samitit të Uashingtonit, Huauei çeli një qendër inovacioni në kryeqytetin serb, Beograd.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, tha në ceremoninë e hapjes se kishte diskutuar me ambasadorin kinez në Serbi mbi çeljen e një tenderi për ndërtimin e rrjetit 5G nga Huauei. Marrëveshje preku edhe politikën në Lindjen e Mesme:Izraeli do të njohë pavarësinë e Kosovës, dhe të dy palët kanë rënë dakord të hapin ambasadat e tyre në Jeruzalem, një lëvizje problematike duke pasur parasysh se të dyja vendet synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

“Samiti jo vetëm që nuk arriti ndonjë përparim domethënës në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Por si shou diplomatik i neveritshëm i ka lënë të dyja palët më keq sa ishin”- komenton Grupi Këshillimor i Politikave të Ballkanit në Evropë (Biepag). Fondacioni “Bertelsmann Stiftung” dhe Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, theksojnë se duhet të adresohen përçarjet politike në rajon, pasi integrimi ekonomik nuk është i mjaftueshëm për të sjellë ndryshime në rajon.

Studimi i përbashkët, analizon përpjekjet për të promovuar pajtimin politik përmes bashkëpunimit ekonomik rajonal në rajon gjatë 2 dekadave të fundit, gjë që ka prodhuar rezultate “zhgënjyese”. Pjesërisht problemi është përparimi i ngadaltë në integrimin ekonomik rajonal.

Studimi shton se në Ballkanin Perëndimor, nuk kanë ekzistuar ndonjëherë shumë nga parakushtet kryesore për një bashkëpunimin efektiv rajonal. Për shembull, integrimi ekonomik rajonal, ka qenë i lehtë përkundër një rritje prej 37.7 për qind në tregtinë ndër-rajonale, si pasojë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) që nga viti 2007.

Serbia, ekonomia më e madhe në rajon, është integruar më pak ekonomikisht me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në vend se të ndërtojë integrimin ekonomik me vendet e treta, kryesisht ato anëtare të BE-së. Dhe në vend se t’u bashkohen vendeve të Evropës Qendrore, të cilat iu bashkuan BE-së në vitet 2000, Ballkani Perëndimor ka rënë më tej ekonomikisht, dhe rajoni nuk ka arritur të tërheqë asnjëherë investitorë të mëdhenj ndërkombëtarë në shkallën që bënë vendet e Evropës Qendrore para anëtarësimit të tyre në union.

Por edhe nëse integrimi ekonomik dhe konvergjenca me BE-në përmirësohet, kjo nuk adreson aspak situatën politike. “Tek e fundit, ekonomia mund të ofrojë vetëm një pjesë të përgjigjes. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve të hapura kushtetuese, marrëveshja mbi çështjet territoriale dhe normalizimi i marrëdhënieve midis të gjitha vendeve të rajonit janë gjithashtu parakushtet qendrore për bashkëpunimin efektiv rajonal në Ballkanin Perëndimor”- thonë autorët e raportit

Në këto kushte, do ti takojë sërish BE-së të vazhdojë me negociatat e saj shumë graduale të normalizimit të marrëdhënieve politike, që kanë vazhduar në mënyrë të pandalshme për vite me radhë që nga marrëveshja historike e Brukselit e vitit 2014.

Gjithsesi, të paktën të dyja palët u rikthyen në tryezën e negociatave këtë vit, pasi ndryshimi i qeverisë në Kosovë, u shoqërua me heqjen e menjëhershme të tarifës ndëshkuese në masën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina të vendosur që në vitin 2018.

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, është optimist. Ai thotë se një marrëveshje politike mund të arrihet brenda muajve.

Por nuk ka një zgjidhje të qartë mbi çështjen më të debatueshme:refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si të pavarur, dhe këmbëngulja e Kosovës që nuk mund të ketë asnjë normalizim marrëdhëniesh pa njohjen e ndërsjelltë si shtete të pavarura. / “Intellinews” – Bota.al

Të fundit