Një takim i ri midis Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, i paraparë të zhvillohet të hënën në Bruksel, është shtyrë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
Lajmi u bë i ditur nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një postim në Twitter.
Out of abundance of caution related to COVID19, the Dialogue meeting scheduled for Monday next week will be postponed.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 25, 2020
Një ditë më herët, Lajçak ka konfirmuar se të hënën do të zhvillohet takimi midis shefave të dy ekipeve negociatore, Skënder Hyseni dhe Marko Gjuriq.
Ai ka thënë se temë e diskutimeve do të jenë pretendimet financiare dhe ato pronësore midis dy vendeve.
Lajçak nuk dha detaje se për sa kohë është shtyrë takimi i radhës.
Disa shtete të Evropës, përfshirë Belgjikën, janë duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me koronavirus.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Procesi është zhvilluar gjatë gjithë kohës me ndërmjetësimin e BE-së dhe me mbështetjen e SHBA-së.
Këtë muaj në Uashington, dy palët kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.