Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është arrestuar të premten në zyrat e kësaj organizate në Prishtinë nga pjesëtarë të Zyrës së prokurorit të Specializuar në Hagë dhe Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX).
Gucati është parë duke dalë nga zyrat e OVL të UÇK-së dhe duke hyrë në veturën e EULEX-it.
Po ashtu, zyrtarët e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar bashkë me Policinë e Kosovës në orët e pasdites në lagjen Pejton, në veturën e policisë e kanë shoqëruar edhe Nasim Haradinajn, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ende nuk dihen arsyet e shoqërimit të Haradinajt, e as të arrestimit të Gucatit. Pas arrestimit të Gucatit, avokati i kësaj organizate Tomë Gashi, i tha Radios Evropa e Lirë se: “Nuk ka gjasa që rasti ka të bëjë me krime lufte, sepse ai kurrë nuk është marrë në pyetje më herët dhe në bazë të vendimit që e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”.
Avokati Gashi ka shkruar në rrjetin social Facebook se Gucati do të transferohet në Hagë, ndërsa bastisjet nga EULEX-i në zyrat e OVL të UÇK-së, kanë nisur rreth orës 11.
https://www.facebook.com/tome.gashi.1/posts/3260821050660271
Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjatë bastisjeve të Zyrës së OVL-së nga EULEX-i, para këtyre zyrave janë mbledhur disa qytetarë në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të Gucatit.
Arrestimi i Gucatit pason arrestimin një ditë më parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tij.
EULEX-i i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike Zyrës së prokurorit të Specializuar edhe në këtë arrestim.
Haradinaj: Nuk e njohim këtë gjykatë
Më herët, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, në një prononcim për media para zyrave të OVL-së, deklaroi se nuk e dinë se për çfarë është arrestuar kryetari Gucati.
Ai i kundërshtoi bastisjet e EULEX-it që janë bërë në zyrat e OVL të UÇK-së.
“Nuk e njohim këtë gjykatë (Gjykatën Speciale). Kjo është një ditë që troket në të gjitha dyert e qytetarëve të Kosovës. Tani, çka na bën të mendojmë? Na bën të mendojmë a kemi shtet, a kemi organe shtetërore, a kemi parlament, a kemi Kushtetutë”, tha ai.
Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Shoqatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.
Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.
Prokuroria e Specializuar: Dosjet e prezantuara nga OVL e UÇK-së “minojnë administrimin e drejtësisë”
Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.
Kjo zyrë, po ashtu, ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre“.
Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.