E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Çka pason konfirmimin e një aktakuze në Hagë?

Pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, është bërë publike edhe aktakuza ndaj tij për krime të pretenduara të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, thuhet tutje në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Më tej shtohet se “aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, pretendohet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndër tjerash në aktakuzë, po ashtu, theksohet se “Salih Mustafa, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së”, mori në pyetje dhe rrahu një person identiteti i cilit është fshehur apo redaktuar, “dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin”. Siç shtohet në aktakuzë, atë e shqelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Sipas aktakuzës, atij i është thënë se ishte spiun dhe se do ta vrisnin.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’ ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Njësiti BIA kishte afërsisht 500-600 ushtarë të cilët vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash. Gjatë të gjitha periudhave që lidhen me këtë aktakuzë, njësiti BIA vepronte nga një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash”.

“Njësiti BIA e përdori kompleksin si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje (‘kompleksi i ndalimit në Zllash’). Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave që u mbajtën në kompleksin e ndalimit në Zllash. Viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime”, thuhet në aktakuzë.

Arrestimi i parë në Kosovë nga Prokuroria Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, njoftoi të enjten për konfirmimin e aktakuzës së parë pranë Dhomave të Specializuara. Gjykatësi i procedurës paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020 por aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë kohë. Për arsye sigurie, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.

Në njoftimin e prokurorit, thuhet se arrestimi është bërë në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, pas konfirmimit të aktakuzës.

“Pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 24 shtator 2020″ thuhët ë njoftimin e prokurorit.

Pas konfirmimit për arrestimin e Mustafës, EULEX-i përmes një postimi në Twitter njoftoi se ky mision i ka dhënë “përkrahje operacionale dhe logjistike ZSP-së në bazë të mandatit të tij dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës”.

Konfirmimi i aktakuzës dhe çka pastaj?

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake e konfirmon aktakuzën vetëm nëse është i bindur se prokurori i Specializuar e ka përcaktuar ekzistimin e dyshimit të bazuar mirë.

Ligji, po ashtu, parasheh se me kërkesë të prokurorit të Specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të lëshojë urdhërarrestim apo fletarrestim dhe të urdhërojë transferimin e personave në Dhomat e Specializuara, si dhe çfarëdo urdhri tjetër që mund të kërkohet për zhvillimin e hetimeve dhe për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor të drejtë dhe të shpejtë.

Në zbatim të urdhërarrestit, personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuza merret në ndalim, informohet menjëherë për akuzat kundër tij dhe transferohet në Dhomat e Specializuara.

Objekti i Paraburgimit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndodhet në kompleksin e burgut PI Haaglanden në Hagë.

Pastaj, gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i procedurës paraprake e lexon aktakuzën, bindet se të drejtat e të akuzuarit janë respektuar, konfirmon se i akuzuari e kupton aktakuzën dhe e udhëzon të akuzuarin që të deklarohet. Pas shqyrtimit fillestar dhe sapo të jetë zgjidhur çdo parashtresë paraprake, Kryetari i Dhomave, e formon trupin gjykues që do të jetë përgjegjës për zhvillimin e procedurës së shqyrtimit gjyqësor.

 

Ligji, gjithashtu, parasheh se personi i privuar nga liria nga Dhomat e Specializuara ose në emër të tyre, sillet para gjyqtarit të Dhomave të Specializuara pa vonesë dhe ka të drejtën për shqyrtim gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme ose për t’u liruar në pritje të shqyrtimit gjyqësor.

Rregullorja e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara parasheh pas konfirmimit të aktakuzës, që ajo pa vonesë të papërligjur i dorëzohet personalisht të akuzuarit, dhe paraqitja e parë bëhet brenda shtatë ditësh pasi të akuzuarit i është dorëzuar aktakuza.

Aktakuza bëhet publike pas konfirmimit prej gjykatësit të procedurës paraprake. Nëse para konfirmimit të aktakuzës, prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për shkaqe sigurie, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit etj., gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera, mund të urdhërojë përkohësisht mosnxjerrjen publike të aktakuzës. Aktakuza bëhet publike, nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit.

Sipas Rregullores, në paraqitjen e parë të të akuzuarit, ai informohet se brenda tridhjetë ditësh do t’i kërkohet të deklarojë nëse është fajtor, ose i pafajshëm për çdo akuzë.

Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues dhe siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.

Si funksionon Gjykata Speciale?

Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian. Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Që nga 2019-ta, qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara. Qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar janë intervistuar ish- kryeministri Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Azem Syla, Sami Lushtaku, Rustem Mustafa, Shukri Buja e të tjerë. Një numër prej tyre u mbrojtën në heshtje.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar në fund të qershorit se, në muajin prill, ka paraqitur për shqyrtim një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Në muajin korrik, Thaçi, për katër ditë me radhë, është marrë në pyetje nga prokurorët në Hagë.

Ndryshe, Thaçi, në fund të vitit të kaluar i ka dërguar një letër Sekretarit të Shtetit Amerikan Mike Pompeo, ku ka shprehur bindjen e tij se Gjykata e Hagës po e bën të kundërtën e asaj që ishte parashikuar në fillim.

Thaçi ka theksuar që qëllimi për formimin e Gjykatës Speciale ka qenë që të mundësohet ekzistimi i kornizës ligjore dhe institucionale kombëtare të besueshme, i cili do të hetonte dhe do të procedonte krimet e pretenduara se janë kryer gjatë viteve 1998-2000 në Kosovë.

“Në këtë drejtim, është paraparë që krimet që pretendohet se janë kryer nga të dy palët e konfliktit do të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë”, ka theksuar Thaçi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në përgjigjen e tij, kishte siguruar Thaçin që puna e Gjykatës Speciale nuk është e drejtuar në mënyrë specifike kundër asnjë grupi etnik, lëvizje, force apo njësie dhe ka shtuar që SHBA-ja pret nga të gjithë liderët e Kosovës që t’ju përmbahen obligimeve të dhëna qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, si dhe që të bashkëpunojnë plotësisht me gjykatën.

Të fundit