E shtunë, 12 Tetor, 2024

“TRENAT” E HISTORISË, UZURPIMI PARTIAK I HAPËSIRËS PUBLIKE

Pikërisht në këtë suazë të kënetizuar marrin hov përçudnimet ligjërimore, merr hov mediokriteti, partizania partiake që tashmë e ka siguruar habitusin e instalimit dhe ekzistencës së vetë. Në këtë hapësirë të “lirë” publike nga foltorja e mediokritetit flet prototipi i kryetarit të degës që shet mend me licencë, funksionari që vlerë të vetme ka servilizimin, drejtorët e përjetshëm dhe “përfaqësues” tjerë degësh nga trungu i mediokritetit. Kjo nuk është Europa, këto nuk janë vlerat që përpiqen përmes retorikës të na i shesin si vlera europiane, kjo nuk është politika në autenticitetin e saj, që gjithnjë në epiqendër ka njeriun si vlerë e përhershme kultivimi dhe afirmimi.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Hapësira publike në Maqedoninë e Veriut mbetet e dominuar nga mendimi partiak. Përgjatë më tepër se dy dekadash kjo hapësirë publike ka qenë e kontaminuar pikërisht me këtë mendim retorike boshe që tashmë është etabluar si diskurs pushteti, duke absorbuar tërësisht mendimin ndryshe, mendimin kompetent. Ka një keqkuptim esencial në konceptimin e hapësirës publike, gjegjësisht në reprezentimin e mendimit publik. Ky keqkuptim për më tepër është shtrirë edhe në sferën e percpetimit të politikës, të debatit mbi politikën mbi atë se çfarë përfaqëson në esencë politika. 

Nga një folklorizëm tipik për hapësirat ballkanike dhe nga zgjatimet e njëmendësisë komuniste politika është reduktuar në një hapësirë diskursive pushteti të pastër që njeh vetëm meritat partiake dhe protagonizmin e vrazhdë të njeriu-aktivistit partiak. Jashtë partisë nuk ekziston asgjë. Ky është paradoksi i degjenerimit të politikës në një lloj analfabetizimi politik që ka zënë bashin e vendit në hapësirën publike. Gjithçka që përfaqëson vlerë, që përfaqëson substancë mbrothësie, që përfaqëson afirmim të një koncepti tjetër mbi politikën, shoqërinë dhe jetën sociale është detyruar të zbythet në margjinat e hapësirës publike, atu ku zakonisht nuk mund të ketë një zë të artikuluar.

Përmbi dy dekada, ne tashmë kemi një situatë morbite në hapësirën publike që ka prodhuar ndërvarësi zvetënimi të përhershëm nën moton se “çka mendon partia”. Pikërisht kjo lëngatë e mendimit publik e ka dominuar dhe vazhdon ta dominojë hapësirën publike gjithnjë sipas logjikës së njëmendësisë. Është e njëjta gjë, nëse dikur moto ishte se çfarë mendon “nëna” parti, sot kjo ndërvarësi shterpe është “plurale” në sensin “ çfarë mendojnë partitë”. Instalimi fillimtar i kësaj logjike është përcjellë me “imperative” historike, me “trenat” e historisë siç ironizon Danillo Kish, ndërkohë që më pas kjo pseudo elite politike është instaluar si ndjeshmëri dominante në hapësirën publike. 

Me kalimin e kohës ky degjenirim i hapësirës publike ka prodhuar “slloganet”, ka prodhuar kallëpet e mendimit bosh, duke prodhuar kështu mediokritetin fatal të përhershëm që ushqehet pikërisht me këtë pseudo mendim, me këtë pamendim mizor. Uzurpimi i hapësirës publike vetëm nga partitë politike ka krijuar njëtrajtshmërinë, kënetën e mendimit dhe të praktikzave të qeverisjes që tashmë janë shndërruar në normalitet. Gjithsecili që përpiqet të sfidojë këtë kënetë mendimi ose përballët me linçimet agresive të partive politike, ose me indiferencën e kalkuluar që ushtrohet si strategji për të ruajtur “higjienën” publike të mendimit partiak.

Ky mendim partiak tashmë është një “mit” dhe kanon modern që si hije e rëndë i zvetënon të gjitha sensibilitet tjera për mbrothësi. Ky mendim partiak i sitmuluar për ardhje dhe ruajtje të pushtetit ka pot ë njëjtin tonalitet të dikurshëm të dëbimit, përjashtimit agresiv të çdo mendimi tjetër që vjen nga sferat e pavarura për të siguruar kështu vazhdimësinë e qeverisjes autokrate dhe brutale të klaneve dhe grupeve të interesit që mbeten të përhershme pavarësisht nga ndërrimet e pushtetit. Bashkë me këtë edhe të mirat publike mbeten të koncentruara te një grup njerëzish, të oligarkë që tashmë e kanë kapur ritmin e fuqisë së pushtet nëpërmjet instrumenteve të shumta të ndikimeve politike.

Dhe në të gjitha fushat, ky mediokritet i institucionalizuar ka lëshuar rrënjë të thella, duke pamundësuar çfarëdo reforme, çfarëdo lëvizje përpara në drejtim të afirmimit të politikave moderne që nënkuptojnë praktika të reja, vlera tjera që janë në përputhje me interesin publik, me interesin e gjithë qytetarëve. Në vertikalen e këtij diskursi partiak dhe pushtetar ngjizen, strukturohen dhe dominojnë instalimet e kriminalizuara, që flasin dhe gjykojnë në emër të partisë, që gëzojnë privilegje të panumërta, të demonizojnë dhe censurojnë në emër të mendimit partiak si sktrukturë diskurzive dhe pushtetare.

Pikërisht në këtë suazë të kënetizuar marrin hov përçudnimet ligjërimore, merr hov mediokriteti, partizania partiake që tashmë e ka siguruar habitusin e instalimit dhe ekzistencës së vetë. Në këtë hapësirë të “lirë” publike nga foltorja e mediokritetit flet prototipi i kryetarit të degës që shet mend me licencë, funksionari që vlerë të vetme ka servilizimin, drejtorët e përjetshëm dhe “përfaqësues” tjerë degësh nga trungu i mediokritetit. Kjo nuk është Europa, këto nuk janë vlerat që përpiqen përmes retorikës të na i shesin si vlera europiane, kjo nuk është politika në autenticitetin e saj, që gjithnjë në epiqendër ka njeriun si vlerë e përhershme kultivimi dhe afirmimi.

Mendimi partiak është vetëm një nga dimensionet e mendimit dhe hapësirës publike. Janë sferat e pavarura, shoqëria civile, institucionet tjera shoqërore që e konstituojnë këtë hapësirë. Fatkeqësisht, ky brutalitet i mendimit dhe logjikës partiake e ka troshitur skajshmërisht mendimin ndryshe, observimin kritik, duke krijuar fatkeqësisht përgjatë kësaj kohe edhe një ndjeshmëri konformiste dhe heshtje që determinohet nga agresiviteti i diskurseve partiake. Një shkretëtirë mendimi shtrihet para nesh!

Të fundit