E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

YLBER SELA: KA INSTITUCIONE QË REFUZOJNË ZBATIMIN ZYRTAR TË GJUHËS SHQIPE

Për moszbatim e Ligjit të gjuhëve nga disa institucione: Shkaqet janë të natyrës praktike-financiare dhe të natyrës politike-nacionaliste.

Për moszbatim në kompani private: Natyrisht AZGJ-ja nuk është indiferente lidhur me zbatimin apo moszbatimin e gjuhës shqipe në institucionet e ndryshme, qoftë ato shtetërore apo private, brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për sanksionet: AZGJ-ja nuk ka kompetenca sanksionuese dhe ndëshkuese. Një informacion të këtillë duhet ta kërkoni në vendin e duhur.

 

Intervistoi: KDP

 

Rezistenca ndaj zbatimit të gjuhës shqipe si zyrtare konform Ligjit të gjuhëve është e natyrës praktike-financiare dhe politike-nacionaliste. Këtë në një intervistë për KDP e thotë drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës (AZGJ), Ylber Sela. 

Ai thotë se institucioni që drejton bën çmos që t’i tejkalojë këto pengesa, por se kompetencat e sanksioneve për bartësit e institucioneve që nuk zbatojnë ligjin bien mbi Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve.

KDP: Që nga sjellja e Ligjit për Përdorim të Gjuhëve, zbatimi i shqipes si gjuhë zyrtare po has në vështirësi së shumta. Pse?

Natyrisht këtu ka edhe rezistencë të natyrës politike kundër zbatimit të gjuhës shqipe.

YLBER SELA: Mendoj se kjo ka qenë një gjë krejt e pritshme. Në një shtet ku prishet monopoli i një gjuhe zyrtare (maqedonishtja) dhe krahas saj vendoset edhe një gjuhë tjetër (shqipja), gjithsesi edhe vështirësitë e zbatimit praktik janë të mëdha. Kjo ka ndodhur për shkak se kapacitetet institucionale gjithandej kanë qenë vetëm për njërën gjuhë, ndërkaq për gjuhën tjetër zyrtare duhet të krijohen kapacitete shtesë si sektorë apo njësi të veçanta për ta zbatuar atë. Dhe kjo po has në vështirësi. Disa institucione e kanë kuptuar këtë gjë dhe kanë ndërmarrë hapa konkret, por shumica e tyre nuk kanë bërë asgjë. Natyrisht këtu ka edhe rezistencë të natyrës politike kundër zbatimit të gjuhës shqipe.

KDP: Sipas raportit vjetor të Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, pjesa dërmuese e institucioneve po e neglizhojnë zbatimin e gjuhës shqipe. Ku qëndron problemi?

Në institucionet që nuk kujdesen të përdoret edhe gjuha shqipe, problemi qëndron, sipas nesh edhe te mendësia e vjetruar dhe nga trashëgimia e sistemit të kaluar.

YLBER SELA: Agjencia e Zbatimit të Gjuhës ka dërguar një pyetësor nëpër institucionet shtetërore për t’i hulumtuar shkaqet e moszbatimit të gjuhës shqipe në nivele zyrtare. Dhe sipas përgjigjeve dhe analizave të bëra kemi arritur në konstatimin se shkaqet janë të natyrës praktike-financiare dhe të natyrës politike-nacionaliste. Në institucionet që nuk kujdesen të përdoret edhe gjuha shqipe, problemi qëndron, sipas nesh edhe te mendësia e vjetruar dhe nga trashëgimia e sistemit të kaluar.

KDP: Ka ministri, drejtori dhe institucione tjera që nuk e zbatojnë Ligjin. Keni shqiptuar sanksione?

YLBER SELA: Kjo është një pyetje në adresë të gabuar. Detyrë ligjore e AZGJ-së është që t’u japë mbështetje institucioneve për realizimin e obligimeve në aspektin e përkthimit dhe lekturimit të dokumenteve; të bëjë lekturimin e të gjitha akteve që botohen në Gazetën Zyrtare; të promovojë dhe të ndërmarrë masa për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe; të përgatisë raporte për informimin e qeverisë lidhur me zbatimin e kompetencave të saj; të përpilojë materiale profesionale-analitike nga kompetencat e saj për nevojat e qeverisë; të japë ndihmesë profesionale për materialet që janë në funksionin të zbatimit dhe avancimit të gjuhës shqipe etj.

KDP: Neni 20 i Ligjit thotë: “Për mbikëqyrje mbi zbatimin e plotë dhe konsekuent të dispozitave të këtij ligji që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhëve, themelohet Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve (në tekstin e mëtejshëm: Inspektorati), në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë me cilësi të personit juridik.” Dy vite pas miratimit të Ligjit as Agjencia e as Inspektorati nuk janë vënë në funksion sa duhet. Pse?

YLBER SELA: Ju bukur e citoni ligjin, por nuk e di pse bëni barazimin ndërmjet këtyre dy institucioneve që kanë role krejtësisht të ndryshme; AZGJ-ja mbështet, ndihmon, sensibilizon, avancon në aspektin e gjuhës shqipe, ndërkaq Inspektorati detyron, sanksionon, ndëshkon për moszbatimin e saj. AZGJ-ja po i kryen detyrimet e saj ligjore. Për sa i përket Inspektoratit duhet të pyesnin në adresën e tij. Do duhej që të përshpejtohet funksionimi edhe i institucionit të Inspektoratit, pasi përmes një bashkëveprimi të Agjencisë sonë, Inspektoratit dhe Qeverisë së vendit do të kemi një zbatim më efikas të ligjit të gjuhëve. Kriza parazgjedhore, periudha e zgjedhjeve, formimi i qeverisë së re dhe e gjithë kjo në kushte të kësaj pandemie globale mendoj që ishin pengesë shtesë që ndikoi në ngecje të proceseve dhe zbatimit në kohë të ligjit.

KDP: Sa sanksione janë shqiptuar deri më tani dhe sa janë realizuar?

YLBER SELA: Ju thashë se AZGJ-ja nuk ka kompetenca sanksionuese dhe ndëshkuese. Një informacion të këtillë duhet ta kërkoni në vendin e duhur.

KDP: Një nga kriteret bazë të integrimit në BE është shteti ligjor, pra zbatimi i përpiktë i ligjeve. Çfarë porosie dërgohet me moszbatimin sa dhe si duhet të zbatohet Ligji i gjuhëve?

YLBER SELA: Nuk është detyra jonë të japim vlerësime politike apo juridike. BE-ja ka mekanizmat e saj për ta përcjellë zbatimin e ligjeve në Maqedoninë e Veriut. Ju mund t’i ndiqni dhe t’i lexoni raportet apo vlerësimet e saj kur jepen lidhur me këtë çështje. Moszbatimi i disa ligjeve në rajon është edhe viktimë e standardeve të dyfishta që kemi në për gjithësi gjatë zbatimit të ligjit; pra aty ku duam ligji zbatohet, madje edhe me ashpërsi, më shumë se sa duhet, dhe në anën tjetër nuk zbatohet fare ose vetëm pjesërisht e formalisht, me arsyetimin se nuk kemi mundësi dhe kapacitetet e duhura shtetërore!

KDP: Kompani private që kanë punë me klientë, si banka apo operatorë telekomunikacioni ose energjie, nuk e zbatojnë në tërësi ligjin e gjuhëve. Madje, pjesën më të madhe të fushatave të tyre i reklamojnë kryesisht në mediat maqedonase. Bëni monitorim të zbatimit të Ligjit edhe në këto kompani private që kryejnë aktivitete në interes publik?

YLBER SELA: Natyrisht AZGJ-ja nuk është indiferente lidhur me zbatimin apo moszbatimin e gjuhës shqipe në institucionet e ndryshme, qoftë ato shtetërore apo private, brenda Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne po përcjellim me vëmendje çdo gjë në këtë aspekt, megjithatë këtë e bëjmë për analizat tona, thjesht për të ndërtuar strategji në aspektin e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve. Dhe këtë e bëjmë vazhdimisht duke i informuar qytetarët për të drejtat e tyre gjuhësore, për përdorimin e gjuhës amtare në jetën publike, duke i udhëzuar si t’u drejtohet institucioneve, qofshin ato shtetërore apo private, me kërkesa etj. Ne kemi botuar dhe shpërndarë broshura, doracakë e fletushka për këtë gjë. Pra puna jonë është e qartë.

Mendoj që ne mund të mësojmë shumëçka prej modeleve europiane të politikave gjuhësore, si p.sh. prej rastit të Tirolit të Jugut në Itali dhe Bashkësisë gjermane në Belgjikë

KDP: Ligji i gjuhëve hapi edhe temën e kodit të komunikimit në nivel shteti, sidomos në sistemin komandues të forcave të sigurisë. A ka ndonjë Politikë Gjuhësore në qeveri, e cila do të krijonte një atmosferë më të përshtatshme për respektimin e gjuhës së tjetrit, e pse jo edhe të mësimit të saj nëse jeton në një rreth ku ajo është gjuhë që e flasin shumica e banorëve?

YLBER SELA: Ne në këtë rast mund të përgjigjemi vetëm për punën dhe strategjitë e AZGJ-së, sipas asaj që e parasheh ligji i gjuhëve. Por Agjencia ka dhënë kontribut edhe në këtë drejtim përmes analizave, tryezave shkencore, botimeve dhe konferencës shkencore duke trajtuar edhe tema të politikave gjuhësore në vend dhe Europë. Mendoj që ne mund të mësojmë shumëçka prej modeleve europiane të politikave gjuhësore, si p.sh. prej rastit të Tirolit të Jugut në Itali dhe Bashkësisë gjermane në Belgjikë etj., ku përqindja e popullsisë nuk është kusht i zgjidhjes së problemeve të gjuhës dhe arritjes së barazisë gjuhësore, etnike dhe qytetare…

Të fundit