E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Prapaskenat e darkës Mitsotakis-Rama në Athinë

Nga Alket Veliu

Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar nga “THE ECONOMIST” në Athinë , kryeministri Rama pohoi se “hendeqet e së shkuarës midis Shqipërisë e Greqisë duhet të mbyllen”! Sipas kryeministrit shqiptar, mosmarrëveshjet zgjidhen me dialog, dhe për ta ilustruar këtë, iu referua arritjes së “Marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Po i nderuar Kryeministër, por mos harroni që Maqedonia humbi emrin në këtë “marrëveshje”. Mos po kërkoni të zhdukni emrin “Çamëri” per t’u “paqtuar” me Greqinë? Pas ish-kryeministrit Cipras, me siguri edhe Mitsotakis jua ka kërkuar këtë.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet ajo “dashuri”  dhe orgazmë diplomatike, me ose pa maskë, natën e së martës. Jo më kot ditët e fundit eurodeputeti grek i “Demokracisë së Re”, Manolis Kefalogiannis, ka ngritur në Komisionin Europian çështjen e ndryshimit të teksteve në librat e gjeografisë dhe të historisë shqiptare, me qëllim që as në Shqipëri të mos figurojë asgjë lidhur me Çamërinë dhe shqiptarët e Çamërisë.

Dhe qeveria juaj, zoti kryeministër, nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë skandal. Ndërkohë që ju, zoti Kryeministër, duhet të kërkonit nga Greqia të ndryshojë tekstet e librave të gjeografisë dhe të historisë lidhur me Çështjen Çame.

Në vend që të sillet me dinjitet si një vend evropian Greqia kërkon të zhdukë edhe emrin  Çamëri nga tekstet e hartat shkollore.

O tempora, o mores!

Kryeministri Edi Rama nga Athina i është kthyer sërish çështjes së detit dhe të zgjerimit të Greqisë me 12 milje në detin Jon.

Sipas Ramës kjo është një e drejtë e Greqisë pasi ia mundëson konventa për detin. “Greqia është në të drejtën e saj për zgjerimin, marrëveshja me Shqipërinë mund të bëhet me një palë të tretë. Do të jetë e drejtë objektive dhe nuk mund të përdoret nga patriotë”, tha Rama. O tempora, o mores!

Si mund të bashkëjetojë njëkohësisht racionalja dhe irracionalje te ky njeri që, pasi e zhyti Shqipërinë në feudalizëm oligarkik, nganjëherë i shkon mendja të ndryshojë edhe rrotën e historisë?

Nga çfarë filozofie udhëhiqet kryeministri dhe ministri ynë i jashtëm? Duket se edhe këtë herë kemi të njëjtën situatë: Duke ditur që Greqia ka pretendime të tepruara detare për hapësirën ajrore dhe ende nuk ka njohur kufirin tokësor me Shqipërinë, të përcaktuar në Protokollin e Venecias të vitit 1926, e cila përbën pengesë për negocim, kryeministri ynë  nuk heq dorë nga roli i tij si “avokat” i palës greke, duke vërtetuar kryekëput etiketimet e pak ditëve më parë të kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Me siguri Zoti Idrizi dhe disa konstuticionalistë e studiues të njohur janë “patriotët”  të cilët “përgojoni” ju, për turpin tuaj, zoti Rama.  Dhe mirë bëni, se po ju del kallaji. Zoti Idrizi ka thënë se kufijtë tokësorë dhe detarë janë të mirëpërcaktuar dhe se Shqipëria nuk ka asgjë për të falur. Ai ju ka akuzuar për mostransparencë dhe ka thënë se kryeministri shqiptar është avokati më i mirë i palës greke.

Komentin le ta bëjnë shqiptarët. Sa për çështjen e detit, ekspertët e kanë thënë qartë se në Protokollet e Firences mund të gjejmë hapat e para të njohjes dhe ndarjes të kufirit detar të Shqipërisë me vendet fqinje në veri me ish-Jugosllavinë dhe në jug me Greqinë dhe se e vetmja zgjidhje për arritjen e një marrëveshje janë Tribunalet Ndërkombëtare për të Drejtën e Detit.

Në negociata me palën greke vendimi i GJK duhet të shërbejë si orientim për palën shqiptare jo si argument për të bindur palën tjetër. Gjykata Kushtetuese ka argumentuar qartë se meqë  marrëveshja delimiton detin territorial, kemi bëjmë me territorin e Shqipërisë dhe është antikushtetuese të kërkohet që kjo e fundit të mos ushtrojë sovrantitetin e saj.

Çështja came dhe reciprociteti

Le të ndalemi pak te çështja çame. “Pakica Greke në Shqipëri,  duhet të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve”, këmbënguli Mitsotakis. Por asnjë reagim nga ana e zotit Rama për çështjen çame dhe ligjin e luftës, ndërkohë që shijonte menynë e zgjedhur greke. Madje nga burime jozyrtare mësohet se Rama e vuri në dijeni kryeministrin grek, duke i dhënë llogari se qeveria rilindase që ai drejton ka nënshkruar të gjitha dokumentet për zgjerimin e varrezave të ushtarëve grekë në Këlcyrë-Kosinë edhe me rreth 2.000 varre të tjera.

Ku është reciprociteti?

Pse nuk lejohet ngritja e memorialeve të të rënëve çamë në Çamëri?

I dehur nga darka panagjerike në Athinë, Rama shkroi në FB: “Një darkë e bukur me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, që ofroi përzemërsisht mikpritjen e tij. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve janë busulla jonë drejt shkëlqimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Nuk po u besoja syve. I njëjti kryeministër, në nëntor 2017, në një intervistë në Tv grek SKAI deklaronte me guxim : “Nuk është propagandë irredentiste t’iu thuash fëmijëve shqiptarë që ka qenë një zonë që quhej Çamëri dhe që shqiptarët jetonin atje e ku për fat të keq nuk mund të shkojnë në atë vend, atje ku kanë shtëpitë e tyre, ku patën familjen e tyre”. “Për çfarë ata nuk lejohen të kthehen? Nuk kemi asnjë pretendim për ndryshim kufijsh. Ne thjesht besojmë se ka ardhur koha t’i tejkalojmë të gjitha këto pengesa të së shkuarës e të shohim njëri-tjetrin në sy e të themi a është e mundur që ata 80 vjeçarë gra e burra të mos mund të shkojnë në vendin e tyre sërish. A është e mundur që personat që janë nga ky rajon të mos mund të kalojnë kufirin e një vendi si Greqia? A është e mundur? Çfarë ka këtu për irridentizëm?! Duke mbetur peng i këtyre temave e duke ndenjur peng i së shkuarës i japim ushqim vetëm nacionalistëve. Përse të mos themi po, ka një problem me këta njerëz që janë çrrënjosur nga shtëpitë e tyre. Shtëpitë e tyre janë në Greqi dhe mund të kthehen nëse duan, kanë të drejtë të pretendojnë pronat e tyre nëse duan. Cili është problemi këtu?!”

A e dinë grekët se jemi në gjendje lufte? Kjo do të thotë se ka një dekret mbretëror i cili është ende në fuqi. Miqve të mi ua them këtë, ia kam thënë Papandreut, Ciprasit, Samarasit. Përse nuk e heqim këtë Ligj të Luftës dhe i themi pastaj njerëzve se jemi në rregull. Por, çështja është se ky Ligj i Luftës pengon shqiptarët e Çamërisë të kthehen në trojet e tyre”.

Nuk ka dyshim se çështja e shqiptarëve të Çamërisë është një ndër çështjet themelore që Shqipëria ka me Greqinë, pjesa më sensitive e këtyre marrëveshjeve. “Problemi çam” shihet si një rast flagrant i shkeljes masive të të drejtave të njeriut, të kësaj popullsie të shpërngulur me dhunë nga ana e qeverisë kuislinge greke.

Po ashtu çdo qeverie shqiptare i takon të ushtrojë  një këmbëngulje të qëndrueshme për të shfuqizuar Ligjin e Luftës, si një hap i parë drejt zgjidhjes së problemit çam dhe zhbllokimin e pronave të shqiptarëve në Greqi.

Çështja çame nuk mund të jetë kurrë në lojë

Ne kishim nevojë për një kryeministër dhe një qeveri që e bën shoqërinë – shoqëri dhe kombin-komb. Këtë besuam ne si PDIU kur e mbështetëm me 76 mijë votat tona këtë njeri, por ai ishte një rastësi aksidentale. Ai e përdori çështjen çame kur i duheshin votat tona.

Dhe pasi goditi dhe PDIU-në, e zhduku çështjen çame nga programi, e  shkelmoi  me arrogancë e paturpësi. Këtë nuk duhet ta harrojë çdo shqiptar i Çamërisë që voton në Republikën e Shqipërisë. Kryeministri, dora vetë, u bë e keqja më e madhe e çështjes kombëtare. U bë falsifikator i historisë. Rama nuk na zhgënjeu vetëm ne, por të gjithë. Ai nuk ndërtoi një qeverisje për shqiptarët, por një hybrid parazitar, një “shoqëri rilindase” të tipit oligarkik, me një shëmbëlltyrë të vetën maskë – shtet.

Ai i vuri vizën lirive qytetare, lirisë shoqërore e individuale, përdhosi emancipimin shpirtëror e moral, etik e psikologjik të një populli të tërë. U shtir si garanti i çështjes kombëtare, si lideri shpirtëror i gjith shqiptarëve, duke ndërhyrë kudo në politikën e tyre, madje u shtir si “lider global”, por nuk u çlirua dot nga tutela e influencave sllavo-greke, duke na bindur se ndjenja kombëtare nuk buron nga një determinim  spontan dhe aventuroz, por nga respekti dhe përulja ndaj identitetit. Identiteti real i një kombi është aftësia e tij intelektuale e të menduarit, në njohjen e  vetëvetes.

Dhe sa më lart të jetë kjo shkallë “intelektuale”, aq i spikatur është dhe vetë kombi. Si politikan i papërgjegjshëm dhe profan, me instikte të mbrapshta, në ortakëzim me grekët apo serbët, zoti Rama kujton tashmë se ka arritur ta likujdojë dhe të fshijë nga axhenda kombëtare  çështjen çame, duke e zëvëndësuar atë me një solidaritet interesash të çastit,  me një konformizëm servil, ndoshta të panjohur më parë, duke dëmtuar autoritetin moral të shtetit shqiptar, përballë një Greqie që vuan nga komplekse patologjike të mbledhura përgjatë historisë së saj false. Por gaboheheni rëndë, zoti kryeministër!

Ekzistenca  e çështjes çame nuk mund të jetë kurrë në lojë. Ajo është çështje kombëtare. Ne do të vazhdojmë t’i kërkojmë të drejtat tona deri në realizimin e tyre. Ne shqiptarët e Çamërisë besojmë tek demokracia, besojmë tek institucionet e saj, prandaj e quajmë çështjen tonë si çështje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ka edhe organizma ndërkombëtarë, ka dhe gjykata. Shumë shpejt këto gjykata duhet të gjykojnë edhe kryeministër të papërgjegjshëm si ju.

Kryeministri ka konsumuar një krim kombëtar.

Ju keni shkelur ligjin e Parlamentit të Shqipërisë, që njeh 27 qershorin si ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, keni shkelur  Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për shqiptarët e Çamërisë, që  është një dokument i detyrueshëm për politikën shqiptare për nevojat e zgjidhjes nëpërmjet bisedimeve të çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

Qeveritë shqiptare janë të detyruara  ta bëjnë çështjen çame një çështje ndërkombëtare, që të ngrihet në mekanizmat ndërkombëtarë, si “një pengesë e proceseve të integrimit të Shqipërisë, por që nuk vjen nga Shqipëria, por që vjen nga Greqia. Ju keni konsumuar një krim kombëtar, pasi keni shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Shqipërisë ku shkruhet se: “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të”. Neni 8: 1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. 2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet”.

Shqipëria dhe Greqia janë anëtarë të Këshillit të Europës dhe në këtë kuadër, janë të detyruara të zbatojnë ligjin dhe parimet kryesore në fushën e pronës dhe të drejtën e lëvizjes, që burojnë nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ju, zoti Rama, duhet të respektoni Kartën e OKB-së, Aktin Final të Helsinkit dhe Protokollin e Firences, për paprekshmërinë e kufijve dhe tërësisë territoriale.

Në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe me Statutin e Romës, vrasja, dhuna seksuale dhe dëbimi masiv i shqiptarëve në Çamëri kishte për qëllim të shkatërronte shqiptarët si të tillë që jetonin në trojet e tyre dhe ky është gjenocid që ka kryer shteti grek. Greqia vazhdon të shkelë sot “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970.

Kjo Konventë rikujton rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 13 shkurt 1946 dhe 31 tetor 1947, si dhe Rezolutat e dhjetorit 1966, nëpërmjet të cilave Asambleja e Përgjithshme ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është popullsia e martirizuar e Çamërisë, ku pjesës myslimane iu grabitën pronat, kurse popullsisë së krishtere i mohohet sot identiteti kombëtar, shkolla dhe gjuha amtare.

Në kundërshtim të plotë me Konventën e mos parashkrimit të Krimeve të Luftës, shteti grek nuk ka nënshkruar edhe Protokollin Nr.4 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo është bërë qëllimisht për të mbajtur të pushtuar Çamërinë, në kuadrin e strategjisë greke të “Megali Idesë”, të parit traktat nacionalist antinjerëzor në historinë e Evropës.

Nga ana tjetër, Greqia si anëtare e Këshillit të Evropës e ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e, megjithatë, ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, duke i akuzuar pa të drejtë si bashkëpunëtorë të nazifashizmit. Në pikën 2 të nenit 6 të kësaj Konvente thuhet: “Çdo person i akuzuar për një shkelje të ligjit, prezantohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet ligjërisht”.

Në fakt, pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.

Pra, ka ardhur koha që pas këtij spastrimi etnik me dhunë të Çamërisë, Greqia të kërkojë falje publike për 2900 viktimat e pafajshme të masakruara, për 40.000 vetët e dëbuar me dhunë, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të djegura, të gjitha objektet e kultit të rrënuara dhe 76 vjet shfrytëzim të padrejtë të pasurive të tyre.

Të marrë të gjitha masat për të siguruar kthimin e çamëve në vendin e tyre në Çamëri, me dinjitet, sipas të gjitha Konventave Ndërkombëtare që ajo vetë i ka ratifikuar. Shteti shqiptar, krahas punës me fqinjët jugor, të vërë në dijeni OKB-në dhe gjithë organizmat e interesuara evropiane dhe amerikanë, se si “i zbaton” Greqia konventat dhe kartat ndërkombëtare.

Po ashtu Ju duhet t’i drejtonit thirrje Parlamentit Evropian që, në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit dhe me Statutin e Romës, vrasja, dhuna seksuale dhe dëbimi masiv i shqiptarëve në Çamëri që kishte për qëllim të shkatërronte shqiptarët si të tillë që jetonin në trojet e tyre, të konsiderohet pa as më të voglin dyshim si gjenocid që ka kryer shteti grek. Fshehja e krimit të gjenocidit nuk i shërben të ardhmes evropiane të dy shtetetve tona, ndërkohë që njohja e të vërtetës për gjenocidin në Çamëri dhe zgjidhja e çështjes çame do të forconte marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Një takim poshtërues…padyshim!

Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Marksi thoshte dikur: “Proletarët nuk kanë atdhe”. Unë do ta perifrazoja: “Rilindasit e tipit Rama nuk kanë atdhe”. Sepse ata janë skllevër të egoizmit dhe cinizmit të tyre pseudoshqiptar! Ç’atdhe mund të kenë skllevërit, veç skllavërinë?

Cili është sot obligimi i kryeministrit shqiptar? Një zë në shkretëtirë! Shteti shqiptar përjeton sot tragjizmin më të madh, harresën , mënjanimin, mospërfilljen, vetëm falë akrobacive të këtij njeriu, të zhytur në shkretëtirat e afarizmit politik, në makutërinë e matrapazllëqeve dhe pazareve okulte me grekët, serbët, turqit, rusët e të tjerë pa fund, në kurriz të interesave kombëtare.

Kompleksi i inferioritet  ndaj Greqisë, i mpleksur me egon e shfrenuar për tejzgjatje pushteti, tashmë e ka kthyer kryeministrin tonë në një fantazmë politike, aq sa të shkruajë e të flasë përçart. Kjo fantazmë tashmë tremb gjithçka, tremb Shqiptarët, tremb grekët me soj e sorollop, tremb fqinjët rreth e rrotull, BE-në dhe SHBA-të, madje tremb edhe vetë Ramën, pasi ai e di fundin e tij politik.

Ai tashmë tmerrohet edhe nga vetja duke u ballafquar disa herë me  fantazmën e vet. Ai nuk mund të provokojë ndjenjën kombëtare të një populli të tërë. Ai e di që nuk mund të “mbijetojë” në bashkësinë  e gjithçkaje me inferioritetin e “hiçit”, se ndryshe mbijetimi i tij do të jetë një torturë. Ai nuk mund të jetë një Çirçe magjistare që i shndërron shqiparët në gurë, se shqiptarët e dinë fort mirë strofkën ku banon ambicja e këtij njeriu, aksidentalisht kryeministër./hashtag.al

Të fundit