E martë, 10 Dhjetor, 2024

Njerëz të njëjtë në pozita të ndryshme ministrash!

Rrotacioni i ministrave ka qenë praktikë edhe në të kaluarën. Përvojat tregojnë se disa ministra janë rrotuar disa herë në disa ministri të ndryshme, pa treguar rezultate të dukshme në interes të qytetarëve, raporton TV21, përcjell KDP.

Ish-ministren për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska sot mund ta shohim në Ministrinë e arsimit. Ministri i dikurshëm i shëndetësisë, zv/kryeministër për çështje evropiane sot është në krye të resorit të punëve të jashtme. Ministri aktual i financave Fatmir Besimi dikur ishte ministër i ekonomisë dhe mbrojtjes, ndërsa në vitin 2013 u bë zv/kryeministër për eurointegrime.

Ministrja aktuale i mbrojtjes Radmilla Sheqerinska ishte zv/kryeministre për çështje evropiane. Renata Deskoska ishte ministre e arsimit e pastaj u transferua në Ministrinë e drejtësisë. Sadulla Duraku ishte në krye të Ministrisë së bujqësisë dhe mjedisit jetësor.

“Unë personalisht kam provuar. Kur ti’ prekësh mund të ndjesh gjithçka. Është si video lojë. Shihni unë nuk jam profesionist, por kam provuar që të shoh se si do të ndjehem. Me mua ishte edhe një kirurg i shkëlqyer, edhe ai e tregon të njëjtën gjë”, pati deklaruar ish-ministri i arsimit dhe shëndetësisë, Nikolla Todorov, në nëntor të 2013-ës.

A ndodh kjo për shkak të mungesës të kuadrove  ose bëhet fjalë për të mbajtur njerëzit e besueshëm për të kontrolluar punën e Qeverisë. Analistët për TV21 thonë se është shumë e rëndësishme që ata që emërohen në pozita të ministrave, të kenë edhe kapacitete për të menaxhuar.

“Problemi nuk qëndron te personat që transferohen nga një funksion në një tjetër, por në politikat e gabuara kuadrovike të partive që nuk arrijnë të krijojnë kuadro të reja për funksione specifike. Kjo është mungesë e vizionit dhe mungesë e sistemit brenda partive. Ai person duhet të jetë person i besueshëm dhe të ketë kapacitete për të menaxhuar që të mund të udhëheqë me një institucion. Kuadrot e tilla në partitë tona që i plotësojnë të gjitha parakushtet janë pak në numër, andaj po ndodh që një person të rrotohet në disa funksione” thotë gazetari dhe analisti Xhelal Neziri.

Megjithatë,  sa është i mirë rrotacioni për funksionim të suksesshëm të qeverisë nëse merret parasysh se dikush që ka qenë në krye të shëndetësisë, tani është në krye të diplomacisë?

“Gjithçka varët nga personaliteti dhe nga përvoja profesionale që e ka. Titulli nuk është garanci për profesionalizimin e tij. E kemi Milla Carovskën e cila ishte në Ministrinë për punë dhe politikë sociale ndërsa tani është në Arsim. Pozitat nuk janë kaq të ndryshme por patjetër se dallohen mes vete. Ministria e arsimit nuk ka elemente të përbashkëta me atë për punë dhe politikë sociale. Atë rrezik e ndërmerr përsipër shumica. Nëse janë të suksesshëm atëherë do të kenë përfitime politike, në të kundërtën do të kenë reagime negative në zgjedhjet e ardhshme dhe qytetarët do t’i dënojnë”, thotë analisti Albert Musliu.

Ekspertët e politikës shtojnë se arsyeja për fenomenin e këtillë është mospasja e kuados, por këtu bëhet fjalë edhe për lojalitetin jo vetëm ndaj liderit por edhe ndaj partisë.

Të fundit