E martë, 10 Dhjetor, 2024

Marrëveshja e Uashingtonit

Populizmi defetist i një turme plot emocione të pakontrolluara e që mendojnë se janë të gjithëdijshëm, janë të vetmit që janë vënë në mbrojtje të kombit, se vetëm ata e dinë se ç’është e mirë dhe se vetëm ata mund të arrijnë një marrëveshje të mirë sulmuan menjëherë disa nga pikat e dakorduara në Uashington, me një qasje përjashtuese duke i analizuar vetëm pjesërisht. Ja tre nga pikat që nxitën më së shumti vrer e helm…

 

Autor: Sefer Selimi Jr.

 

Marrëveshja e nënshkruar në Uashington javën e kaluar mes Prishtinës dhe Beogradit rinxorri në sipërfaqe një trend të ri dhe të rrezikshëm në mesin e shqiptarëve. Duke e paragjykuar apriori si të dëmshme dhe të rrezikshme për interesat e Kosovës, ajo u vendos në shënjestër të kritikave, përçmimeve dhe madje edhe talljeve jo për shkak të përmbajtjes por kundër sponzorit të saj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ende pa e analizuar qetësisht dhe në tërësi se çka ishte nënshkruar. Dhe këtu më duhet të bëj një dallim që në fillim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në marrëdhëniet ndërkombëtare janë administrata e cila e përfaqëson atë, i pëlqen kjo dikujt apo jo. Lehtësia me të cilën u vjell gjithë ajo urrejtje është produkt i një fenomeni i cili gjithnjë e më shumë po kthehet në normalitet. Nuk do të ndalem shumë në profilin e këtyre njerëzve, por ajo që i bashkon shumicën e tyre është militantizmi i tyre ndaj ideologjisë që e besojnë, e cila edhe mund të jetë e ndryshme por pikë të përbashkët e kanë urrejtjen ndaj SHBA-ve vis a vis administratës së Presidentit Trump.

Presideti Trump është jokonvencional, i paparashikueshëm dhe i rëndë për të ndërtuar marrëdhënie normale sipas terkut të politikës ndërkombëtare me të cilën ishte mësuar bota. Kjo është dëshmuar në shumë raste si me aleatët e NATO-s dhe BE-në në përgjithësi, e në veçanti me Gjermaninë, Kanadanë e posaçërisht me aleatin tradicional Britaninë. Të gjitha këto vende kanë shqetësimet dhe mospajtimet e tyre me Presidentin Trump, siç kanë pasur edhe me presidentë të tjerë para tij, por gjithashtu të gjitha këto vende adaptohen, menaxhojnë dhe investojnë energji për të ruajtur marrëdhëniet e mira me SHBA-të, sepse koha e ka dëshmuar që aleancat shkojnë përtej karrierave politike të individëve. Në 30 vitet e fundit Ballkani u transformua plotësisht dhe shqiptarët ishin ata të cilët përfituan të drejtën e tyre të mohuar ndër shekuj, dhe e gjitha kjo u arrit falë aleancës strategjike me SHBA-të, pavarësisht se kush ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë. Madje, shqiptarët morën nofkën e të llastuarve nga SHBA-të sepse ishte i vetmi shtet i cili pa ngurrim u vendos në mbrojtje të plotë të drejtësisë dhe veproi konkretisht për ta zbatuar të njëjtën. Cili ka qenë kontributi i SHBA-ve përgjatë këtyre viteve, nga administrata në administratë? Ja një mirko-retrospektivë që përjashton edhe shumë angazhime tjera konkrete të SHBA-ve në interes të shqiptarëve:

Precedenti me intervenimin ushtarak në Kosovë nuk do të ishte i mundur në qoftë se Presidenti Klinton nuk do të vendoste të shpërfillte Këshillin e Sigurisë në OKB për të ndalur terrorin shtetror të Serbisë. Ky intervenim ushtarak i ka kushtuar NATO-s pothuajse 40 miliardë dollar, nga të cilat mbi 90% janë paguar nga taksat e Amerikanëve, pa kalkuluar se sa u ka kushtuar dhe u kushton ende ruajtja e paqes në Kosovë edhe sot e kësaj dite. Ishte Presidenti ‘’më i urryer’’ i kohës Xhorxh Bush Jr. i cili me kokëfortësinë e tij mundësoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, një akt që edhe sot e kësaj dite vazhdon të kundërshtohet nga disa prej aleatëve kyç të SHBA-ve. Këtu nuk duhet  harruar stilin e tij prej ‘’kauboit’’ me të cilin e anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Administrata e Presidentit Obama sponsorizoi në vazhdimësi njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe shtetndërtimin e saj. Edhe Presidenti Trump i qëndron besnik politikës së jashtme amerikane në Ballkan, edhe pse sot disa pseudo-intelektual dhe të indoktrinuar duan të shfaqin një tregim tjetër. Nën udhëheqjen e administratës Trump, Kosova themeloi ushtrinë e saj edhe përkundër të gjitha kundërshtimeve nga faktor relevant ndërkombëtarë përfshirë Rusinë dhe disa nga vendet aleate të NATO-s. A kanë pasur interesat e veta SHBA-të për gjithë këtë investim në një popull të vogël e plot ngatërresa historike e politike?! Sigurisht që po, e gjitha kjo ka qenë në vijë me interesat e tyre strategjike ekonomike dhe gjeopolitike por fatbardhësia jonë është që për herë të parë në historinë tonë interesat tona kombëtare janë në një linjë me interesat e superfuqisë botërore, në këtë rast SHBA-të. Është destruktive, nihiliste dhe në fund edhe mosmirënjohje ndaj vetes dhe miqve që të harrohet ose edhe më keq të mohohen arritjet e 30 viteve të fundit si shqiptarë gjithandej Ballkanit, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve.

Ato që i njohin marrëdhëniet ndërkombëtare gjithsesi e kuptojnë peshën e Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila de fakto është njohje e ndërsjellë që do të shpie drejt njohjes de jure mes dy vendeve. Mes shumë përfitimeve tjera, Uashingtoni e zgjoi nga gjumi letargjik  Brukselin duke e vendosur menjëherë procesin e negociatave në një dinamikë të re, më të shpejtë dhe me një qasje që tani quhet ‘’gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, e obligueshme ligjërisht për të dyja shtetet’’.

Populizmi defetist i një turme plot emocione të pakontrolluara e që mendojnë se janë të gjithëdijshëm, janë të vetmit që janë vënë në mbrojtje të kombit, se vetëm ata e dinë se ç’është e mirë dhe se vetëm ata mund të arrijnë një marrëveshje të mirë sulmuan menjëherë disa nga pikat e dakorduara në Uashington, me një qasje përjashtuese duke i analizuar vetëm pjesërisht. Ja tre nga pikat që nxitën më së shumti vrer e helm:

  • E ndanë Ujmanin! – Liqeni i Ujmanit është resurs i natyror i një rëndësie strategjike për Republikën e Kosovës dhe me të drejtë ajo e konsideron si një aset të ndjeshëm shtetëror. Por e vërteta është që Liqeni artificial i Ujmanit, i ndërtuar plotësisht me paratë e Kosovarëve, me rreth 20% të sipërfaqes së tij shtrihet edhe në Republikën e Serbisë. Çka ndodh me atë pjesë dhe si do të sigurohet Kosova që nga ana tjetër e kufirit ky ujë nuk do të keqpërdoret në forma të ndryshme? Do të bëj shkëmbim territoresh që ta përfshi të gjithin brenda kufijve të saj?! Vetëm me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve Kosova do të mund të jetë e sigurt që e drejta ndërkombëtarë, si me rastin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë që zhvillua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, do të ketë një zgjidhje e cila nuk e dëmton atë.
  • I dhanë dalje në det Serbisë! – Ky është pretendimi më naiv i mundshëm. Serbia ‘’ka dalje në det’’, edhe atë në portin e Selanikut. Ky pretendim kuturu harron që me këtë faktorizohet Shqipëria duke i dhënë edhe përfitime ekonomike por duke e shndërruar edhe në faktor gjeopolitik rajonal. Në vend që paratë të shkojnë në portin e Selanikut, i cili në pjesën më të madhe zotërohet nga kompanitë shtetërore Kineze, ato zhvendosen në portin e Shëngjinit, pra i shkojnë Shqipërisë.
  • Përfitimi ekonomik i Serbisë nga Amerika! – Ky lajm në fakt është pozitiv sepse natyrisht që të gjitha investimet vijnë edhe me shtrirje të influencës politike mbi atë shtet. Aktualisht Serbia është nën influencën e Rusisë politikisht, dhe ekonomikisht të Kinës. Hyrja e drejtpërdrejtë në konkurrencë e SHBA-ve mundet të sjellë vetëm ndryshime pozitive për rajonin, pra edhe për shqiptarët.

Në kuadër të marrëveshjes janë edhe shumë pika tjera që kryekëput kanë në fokus zhvillimin ekonomik, dhe investimi mbi 1 miliardë dollarë në infrastrukturën që e lidh Prishtinën dhe Beogradin do të ketë impakt të jashtëzakonshëm ekonomik, edhe në periudhë afatshkurtër edhe në afatgjatë. Nëse do të analizohet me kujdes Marrëveshja e Uashingtonit dhe nëse e njëjta vendoset edhe në analizë të dinamikave rajonale dhe ndërkombëtare ajo forcon drejtpërdrejtë shtetësinë e Kosovës, e gjithsesi forcon shqiptarët në Ballkan. Mes tjerash ajo është e vendosur edhe në kundërvënie të shtrirjes së ndikimit para së gjithash kinez por edhe atij rus në Ballkan dhe Evropë. Prandaj, të kritikosh SHBA-të se punojnë kundër interesave të shqiptarëve është pikërisht antishqiptarizëm.

Të fundit