E shtunë, 4 Maj, 2024

KOHA PËR RIFORMATIM EFEKTIV

Është koha që gjithë sistemi të sinkronizohet në bazë të realitetit të ri të krijuar nga pandemia, sepse kështu duket se vetë sistemi po e krijon kaosin. Gjithë sistemi i shërbimeve kërkon një riformatim efektiv në kohën e pranisë së virusit. Një riformatim i menduar strategjik dhe i përgjegjshëm që do të minimizonte rastësitë, anomalitë dhe improvozimet. Përpara qeverisë së re nuk ka sfidë më të madhe se kjo.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Pavarësisht se ne mund të dalldisemi virusi është aty. Dhe ky realitet kokëfortë nuk ndryshon as me neglizhencë dhe as me teori të ndryshme konspiracioni që dita-ditës po e bëhen më të zbehta përballë gjithëpranisë së virusit.

Gjithë globi tashmë është tejbartur në një realitet të ri të diktuar nga virusi korona, ky rrezik akoma i paidentifikuar deri në fund nga bota shkencore. Qindra studime dhe hulumtime edhe pse kanë përparuar në përcaktimin e identitetit biologjik të virusit akoma nuk kanë arritur që të gjejnë një kurë efektive, ndërkohë që kanë vazhduar provat për një vaksinë, e cila besohet se mund ta vë nën kontroll pandeminë.

Padiskutim pandema brenda kohës ka sjellë tronditje të mëdha ekonomike, sociale dhe psikologjike për jetën e njeriut. Ndërkohë, nga shumë mendje prestigjioze botërore është paralajmëruar se asgjë nuk do të jetë si më parë. Virusi dikton tashmë një mënyrë tjetër jetese me shumë kufizime që e bënë normalitetin e mëparshëm një gjendje në të cilin do të dëshironte të kthehet gjithsecili.

Por, aty diku pranë nesh, si kërcënim i përhershëm ndodhet virusi dhe sjellja njerëzore e jona detyrimisht duhet t’i përshtatet këtij realiteti të ri që nënkupton edhe shumë tronditje të qenies sonë në kuptimin e lirisë së qarkullimit ashtu siç jemi mësuar ta njohim.

Gjitha shtet tashmë kanë zbatuar masat mbrojtëse nëpërmjet kufizimeve të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Këto masa nënkuptojnë distancën fizike dhe mbajtjen e masave si një preventivë për ta ndaluar përhapjen. Gjithashtu këto masa nënkuptojnë edhe ndryshim të tërësishëm të sistemit të shërbimeve që nënkuptojnë shmangien e grumbillimit të njerëzve pèrpara sporteleve.

Kjo nënkupton një sistem tjetër organizimi dhe funksionimi të sistemit të shërbimeve publike që nuk e vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Por, jo gjothmonë ndodh kështu, sepse ditëve të fundit janë vërejtur radhë të pafundme para bankave që realisht paraqesin vatra potenciale infektimesh. Duket një mungesë totale e funksionimit të sistemit të shërbimeve që krijon radhë njerëzish të dëshpëruar që me orë të tëra presin të kryejnë pagesat e faturave ose të kryejnë ndonjë shërbim tjetër.

Bëhet e ditur se këto radhë para bankave në një numër të dyfishuar vijnë për shkak të falimentimit të bankës ” Eurostandard” me të cilël ndërlidhet edhe puna e Postës së Maqedonisë së Veriut, ku një numër i madh qytetarësh i kryejnë pagesat e tyre.

Ky falimentim realisht e ka falimentuar gjithë sistemin, ndërkohë që kërkohet dhe pritet një zgjidhje.

Hapi i parë i qeverisë së re duhet të jetë gjetja e zgjidhjes për këtë kolaps të sistemit dhe për këtë kaos të ” frikshëm” para bankave që në kohë pandemie mund të jetë fatal. Është koha që gjithë sistemi të sinkronizohet në bazë të realitetit të ri të krijuar nga pandemia, sepse kështu duket se vetë sistemi po e krijon kaosin.

Gjithë sistemi i shërbimeve kërkon një riformatim efektiv në kohën e pranisë së virusit. Një riformatim i menduar strategjik dhe i përgjegjshëm që do të minimizonte rastësitë, anomalitë dhe improvozimet. Përpara qeverisë së re nuk ka sfidë më të madhe se kjo. Nuk ka sfidë më të madhe në këtë kohë se ridimensionimi i sistemit të shërbimeve, ekonomisë dhe mbrotjes sociale të njerëzve. Pandemia do të zgjasë ndërkohë që projeksionet duhet të jenë afatgjate dhe të qëndrueshme dhe jo aksidentale.

Të fundit