Qeveria e re LSDM-BDI pritet të votohet të shtunën pasi dy partitë politike kanë arritur të harmonizojnë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Burime të besueshme i thanë KDP se ekipet e ekspertëve, ai i LSDM-së dhe i BDI-së, kanë dakorduar agjendën qeverisëse, e cila së bashku me përbërjen e pushtetit të ri ekzekutiv do të gjendet të shtunën në duart e deputetëve.
Emrat e kandidatëve të BDI-së mbeten të njëjtë, siç edhe i kumtoi ditë më parë lideri i partisë, Ali Ahmeti.
Kështu, Fatmir Besimi do të drejtojë Ministrinë e Financave, Bujar Osmani të Punëve të Jashtme, Artan Grubi zv/kryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik, Naser Nuredini i Ekologjisë, Kreshnik Bekteshi i Ekonomisë dhe Jeton Shaqiri i Ministrisë së Administratës dhe Shoqërisë Informatike.
“Kjo skuadër gëzon mbështetjen e gjithë grupit tone parlamentar”, ka thënë Ahmeti në një prononcim për televizionin Klan Maqedonia, duke lënë të nënkuptohet se janë hekurosur dallimet që kishin degë të Shkupit lidhur me përzgjedhjen kadrovike.
Kreu i BDI-së Ahmeti ka thënë për Televizion Klan Maqedoni se debatet edhe për formacionin qeverisës janë pjesë e asaj që ai e quajti funksionim i demokracisë së brendshme partiake.
Zaev, ndërkaq, për Ministër të Punëve të Brendshme ka propozuar Oliver Spasovski, të Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, të Drejtësisë Bojan Mariçiq, të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Bocvarski, Jagoda Shahpaskan për ministre të Punës dhe Politikës Sociale, Irena Stefkovskën për Ministre të Kulturës, Venko Filipçe për ministër të Shëndetësisë, Milla Carovska në Ministrinë e Asimit dhe Shkencës, Nikolla Dimitrov për zëvendëskryeministër i angazhuar për Çështje Evropiane, Fatmir Bytyçi për zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, ndërsa Ljupço Nikollovski për zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit.
Ndërkohë që Ministri i Vetëqeverisjes Lokale do të caktohet nga radhët e PLD-së, BESA Bilall Kasamit do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, ku është kandiduar Arjanit Hoxha.
Një javë më parë lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së Ahmeti njoftuan se është arritur marrëveshje për formimin e shumicës parlamentare, formimin e qeverisë së re dhe ndarjen e ministrive. Marrëveshjen e arritur për koalicionin qeveritar ndërkohë e konfirmuan organet më të larta të të dyja partive.
Sipas marrëveshjes qeveria do të drejtohet edhe nga një shqiptar në fund të mandatit, në 100 ditët e fundit para mbajtjes se zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Qeveria e Përzhinës më nuk do të funksionojë për shkak të problemeve në të kaluarën. Por kur vijnë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM-ja do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDI-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, është shpreh Zaev.
Në zgjedhjet e 15 korrikut LSDM-ja e Zoran Zaevit (42) në koalicion me BESA-n e Bilall Kasamit (4) ka fituar 46 deputetë në kuvend, BDI-ja 15, koalicioni ASH-AAA i Ziadin Selës dhe Afrim Gashit 12, Levica e Dimitar Apasievit 2 dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit 1 deputet.