Nga “ultimatumet” për heqje dorë nga “retorikat nacionaliste” dhe deri te “selame” numrash për postin e kryeministrit. Kështu duken porositë e para politike të liderëve partiak para fillimit të bisedave “serioze” për formimin e qeverisë. Loja sapo ka filluar, ndërkohë që duket se do të vazhdojë interpretimi mbi “nacionalzimin” nga dioptritë partiake dhe nga liderë që brenda kohës vetë kanë promovuar nacionalizëm të tërthortë. Debati politik dhe bisedimet për formimin e qeverisë me gjasë do të njohin një gjendje të dyzuar: nervozë dhe durim.
Analizë e KDP-së
Menjëherë pas konstituimit të parlamentit kanë pasuar deklaratat e para politike për formimin e qeverisë. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, ka theksuar se numrat që kanë dalë nga zgjedhjet, i mundësojnë koalicionit “Mundemi” që të formojë qeveri edhe me Bashkimin Demorkatik për Integrim edhe me koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativës. Se me cilën parti do të koalicionojë, Zaev ka theksuar se varet se cila do të largohet nga retorika nacionaliste.
Ai ka kërkuar nga subjektet politike shqiptare të heqin dorë nga siç i ka quajtur retorika nacionaliste, ndërkohë që gjatë fushatës vlerësohet se ka nxitur edhe vetë një lloj nacionalizmi të tërthortë. Ky ndryshim toni është vërejtur pas idesë për kryeministrin shqiptar të lansuar nga BDI, ndërkohë që në një “bombë” përgjimesh që doli gjatë fushatës, ai, dëgjohet të ketë thënë se “shqiptarët nuk vlejnë pesë pare”. Brenda fushatës, Zaev ishte arsyetuar se këtë nuk e ka thënë përs shqiptarët, por BDI-në.
Duket se këto retorika parazgjedhore partitë politike i kanë ruajtur edhe në deklarimet pas konstituimit të parlamentit. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, gjithashtu ka deklaruar se “kryeministrin e ka ai i cili i ka numrat. Nuk mundet të ketë kryeministër me 15 deputetë“, që ka ardhur si përgjigje ndaj idesë së partisë së Ahmetit për të pasur kryeministrin shqiptar. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. “As me 46 deputet, prapë nuk bëhet kryeministri. Në këtë situatë të gjitha palëve u duhet qetësi, urtësi dhe të mendojnë për interesa të larta të shtetit. Unë një mund të them se BDI është faktor stabiliteti në vend”, ka theksuar Ahmeti.
Duket se hendeku mes partisë së Ahmetit dhe Zaevit po bëhet gjithnjë e më i madh për formimin e qeverisë. Ndërkohë që Zaev ka deklaruar se do të ketë një qeveri të shpejtë brenda 10 ose 15 ditësh, Ahmeti ka theksuar se bisedimet mund të fillojnë dhe se është ende herët të flitet për formim të qeverisë.
Zaev në përpjekjen për të krijuar shumicën parlamentare dhe bashkë me këtë edhe qeverinë e re është takuar menjëherë pas konstituimit të parlamentit me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi. Nga kjo parti kanë bërë të ditur se Zaev i ka ftuar në qeveri dhe ata janë pajtuar që të jenë pjesë e saj. Brenda kohës bëhet e ditur se Zaev është takuar me të gjithë liderët shqiptarë në përpjekjen për të siguruar numrat për formimin e qeverisë.
ASH dhe Alternativa kanë theksuar se do të bisedojnë me të gjitha partitë për formimin e qeverisë, ndërkohë që kanë përjashtuar mundësinë që në çfarëdo forme të bisedojnë me BDI. Sipas tyre, BDI duhet të shkojë në opozitë.
Në anët tjetër edhe partia tjetër e bllokut politik maqedonas, VMRO-DPMNE, ka theksuar se është në bisedime për formimin e qeverisë së re. Nga kjo parti nuk kanë shpaluar detaje nga bisedimet, por më herët kanë theksuar se do të bëjnë koalicion me atë parti më të cilën do t’i përputhen platformat.
Brenda kohës në media është liferuar lajmi se është arritur marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për formim të qeverisë dhe se kanë rënë dakord për kryeministrin shqiptar.
Ndërkohë, zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, ka mohuar të ketë një marrëveshje me VMRO-DPMNE. Ai ka theksuar se këto informacione nuk janë të sakta dhe se nuk ka asnjë marrëveshje me VMRO-DPMNE, por nuk ka asnjë marrëveshje as me LSDM-në.
Me gjasë brenda kohës në opinion do të qarkullojnë dendur gjysmë informacione, spine për bisedime dhe për arritje marrëveshjesh, që në një farë mënyre mund të kuptohet edhe si pjesë e lojës për të ruajtur pozicionet e bisedimeve. Tashmë është thënë që të gjitha variantet për formimin e qeverisë mbeten të hapura dhe ajo parti që do të sigurojë shumicën e merr mandatin për formimin e qeverisë.
Mbase për liderët në shikim të parë është dukur se formimi i qeverisë mund të ishte i lehtë, por prononcimet parazgjedhore dhe vazhdimi i retorikave të forta mund të krijojë situate të paparashikueshme bisedimesh dhe paktesh që qëndrojnë poshtë “majës së Ajsbergut” politik.
Nuk do të jetë e lehtë është refreni që përsëritet gjatë tërë kohës në media nga analistë të shumtë. Brenda kohës mund të lëvizin polet politike varësisht nga përafrimi i pozicioneve dhe varësisht nga synimet politike, por edhe nga kapaciteti koalicionues i partive. Me gjasë formimi i koalcionit nuk do të varet vetëm nga epërsia e numrave të subjekteve më të mëdha, por edhe nga aftësia dhe kapacitet politike dhe demokratike për harmonizuar pretendimet fillestare të partive tjera, mandatet e të cilëve mund të jenë vendimtare për krijimin e shumicës parlamentare.
Shtetet e Bashkuara presin një partner të mirë dhe të fortë në qeverinë e re të Maqedonisë Veriore, ka theksuar përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Mattheë Palmer.
”Tani është një periudhë e negociatave për të formuar një koalicion, i cili është një proces i natyrshëm në sistemet parlamentare demokratike. Nga këndvështrimi amerikan, ajo që është e rëndësishme dhe ajo që duam të theksojmë se ne presim një partner të mirë dhe të fortë në qeverinë e Maqedonisë Veriore, qeveri e cila është e angazhuar për të shfrytëzuar sa më shumë anëtarësimin në NATO, një qeveri që është e angazhuar për të udhëhequr vendin përpara në rrugën për në Bashkimin Evropian” ka theksuar Palmer.
Ditët në vazhdim do të jenë të ngjeshura me bisedime dhe secila parti sheh mundësinë që të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Me gjasë durimi dhe kapaciteti politik për të harmonizuar qëndrime të kundërta do të jetë vendimtar në përcaktimin e mandatarit të ardhshëm. Dhe kjo nuk do të varet vetëm nga partitë që llogaritet se kanë më tepër mandate, por edhe nga partitë tjera që janë në lojë dhe që kanë një rol vendimtar në krijimin e shumicës.