E shtunë, 22 Mars, 2025

AHMETI TAKON ZAEVIN, LE HAPUR BASHKËPUNIM ME MICKOVSKIN

Pasi që takoi kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe binomin e ASH-së, Ziadin Sela e Arben Taravari, lideri i LSDM-së ka kërkuar për sot takim me kreun e BDI-së Ali Ahmeti.

Informacionin për takimin e publikoi Tv Klan Maqedonia, ndërkohë që ky hap i Zaevit vjen pas informacioneve se BDI tani më ka arritur marrëveshje me VMRO-DPMNE-në për formimin e qeverisë, njofton KDP.

“Pas akuzave të ndërsjella, në distancë, të ditëve të fundit, duket se Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka bërë një hap prapa nga retorika e deridjeshme: gjatë ditës, këtë të enjte, pritet një takim mes kreut të kësaj partie, Zoran Zaev, dhe liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti. Lihet të kuptohet se biseda do të jetë në funksion të sheshimit të dallimeve me qëllim të krijimit të koalicionit qeverisës”, raporton Tv Klan Maqedonia, duke u thirrur në burime mirë të informuara.

Mirëpo, burime nga integristët kanë thënë për televizionin se në këtë fazë kanalet e komunikimit nuk janë të mbyllura as me VMRO-DPMNE-në e Hristijan Mickoskit.

Pas spekulimeve të mbrëmshme për arritjen e gjoja një marrëveshjeje koalicioni mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së me të cilën integristëve të Ahmetit do t’ju jepej posti i kryeministrit, spekulime këto që përgënjeshtrohen nga këta të fundit, socialdemokratët e Zoran Zaevit duket se kanë rishikuar retorikën anti-BDI: Kumtesa e fundit e kësaj partie, lëshuar mëngjesin e sotëm, hiq punën e kryeministri shqiptar, të debatueshëm për të, është në një vijë me angazhimin e kreut të BDI-së për vendosjen e shtetit të së drejtës, për luftimin e korrupsionit dhe aplikimin e vetingut për çdo funksionar, madje edhe për drejtuesit.

Për më tepër, burime nga socialdemokratët thonë se në mbledhjen e udhëheqjes së kësaj partie, natën që lame pas, nuk është se nuk janë shprehur mospajtime me mënyrën se si kreu i tyre ka komunikuar me të parin e integristëve.

Sidoqoftë, bëhet e ditur se gjatë ditës do të ketë një takim të dytë, pas atij të së martës, mes Ali Ahmetit e Zoran Zaevit, takim ky i kërkuar nga ky i fundit. Mësohet se biseda ka për të qenë në funksion të sheshimit të dallimeve dhe, nëse ato tejkalohen, edhe për krijimin e koalicionit qeverisës.

Në të njëjtën kohë, burime nga selia e BDI-së thanë paraditën e së enjtes për TV Klan se dyert e komunikimit mbeten të hapura edhe me VMRO-DPMNE-në, ndonëse tërheqin vërejtjen se do të parapëlqenin vazhdimin e qeverisjes me socialdemokratët për të çuar deri në fund proceset e nisura.

Nga ana tjetër, Zaev në një prononcim për gazetën KOHA, thotë se në vazhdë janë konsultimet me partitë politike për formimin e shumicës së re parlamentare, përfshirë këtu edhe BDI-në e Ali Ahmetit.

“Në vazhdë janë konsultat në formate të ndryshme, nëse ka ndonjë progres në bisedime, do ta informojnë opinionin. Për momentin mund të themi vetëm këtë – derisa po zhvillohen bisedimet, që mos vëmë në pikëpyetje suksesin e tyre”, deklaroi për gazetën KOHA, Zaevi.

Të fundit