E diel, 16 Mars, 2025

Hartat e mëdha të popujve të vegjël – Pse i trazoi shpirtërat Dua Lipa?

Autor: Rilind Dauti

Këngëtarja britanike me prejardhje shqiptare Dua Lipa në profilet e saj sociale e shpërndau një fotografi të posterit të famshëm që fluturoi mbi stadiumin në Beograd ku luhej ndeshja Serbi-Shqipëri. Posteri i përmban fotografitë e kryeministrit të parë të Shqipërisë, Ismail Qemal bej Vlorës, dhe luftëtarit të madh për liri Isa Boletinit, por pjesa kontraverse e posterit është që në mes qëndron harta e një Shqipërie të zgjeruar, ku përfshihen shumë territore të shteteve përreth Republikës së Shqipërisë.

Se çka e shtyu Dua Lipën në një gjest të tillë më së miri e din ajo. Nga një e njohur e imja e cila që moti e ndjek Dua Lipën në Twitter dhe Instagram kam dëgjuar që Dua Lipa rregullisht merr komente denigruese nga serbë, që siç duket janë xhelozë me suksesin e një šiptareje nga Kosova që famën e saj botërore e shfrytëzon për promovim të shqiptarëve, në veçanti Republikën e Kosovës, me territorin e së cilës serbët ende mendojnë se iu takon të sundojnë përkundër të gjitha monstruoziteteve që pushtetet serbe nga 1912-1999 i kanë bërë mbi popullsinë shumicë shqiptare. Postimi i asaj fotografie nga Dua Lipa në njëfarë mënyre do të ishte gisht i mesëm kundër trollëve të tillë.

Dhe gjithsesi, komentet më të shpeshta kundër atij postimi të Dua Lipës me Shqipërinë e zgjeruar erdhën pikërisht nga serbët, edhe pse pikërisht ata s’janë fare në pozitë për tu ankuar për hartën e Shqipërisë Etnike kur dihet që Serbia e Madhe e tyre është shumë më e madhe se pretendimet territoriale të shqiptarëve!

Dhe kjo na sjellë te problemi i përgjithshëm me hartat e mëdha në Ballkan: Shqipëria Etnike, Serbia e Madhe, Maqedonia e Bashkuar, Bullgaria e Shën Stefanit, dhe Megali Idea greke.

Të gjitha këto harta vuajnë nga të meta të ngjashme.

Të nisemi nga harta e Shqipërisë Etnike. Në pjesën më të madhe kjo hartë përbëhet nga territore që me të vërtetë kanë qenë dhe janë të banuara me shqiptarë, por përkundër cilësimit “etnike”, në këtë “version” të Shqipërisë janë përfshirë edhe territore që asnjëherë s’kanë qenë të banuara me shqiptarë etnikë, siç është ishulli grek karshi bregut shqiptar, Korfuzi; ndërkaq janë të përfshira edhe territore ku me të vërtetë ka patur shqiptarë por ku që moti ata nuk janë më aty, siç është rasti me fshatrat e Sanxhakut të dikurshëm të Nishit nga ku shqiptarët janë dëbuar qysh në vitin 1877! Një palogjikshmëri tjetër te harta e Shqipërisë Etmike është se që të arrihet një territor kompakt pa enkllava dhe zgjatime territoriale, në të janë përfshirë edhe vendbanime ku asnjëherë ose që shumë kohë më parë nuk ka shqiptarë, dhe kjo më së shumti vlen për disa vendbanime në Maqedoninë e Veriut.

Por Shqipëria Etnike është shumë modeste kur krahasohet me Serbinë e Madhe. Ajo i përfshin Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën, dhe rreth gjysmën e Kroacisë. Me qëllim të realizimit të kësaj ideje vetëm në periudhën 1991-1995 ka ndodhur vrasja dhe spastrimi etnik i qindra mijë njerëzve në Kroaci dhe BeH, ndërsa për tu mbajtur nën kontroll Kosova me shumicë shqiptare, Beogradi zyrtar ushtroi terror shtetëror mbi shqiptarët e Kosovës përgjatë tërë viteve 1990, që kulminoi me krimet në luftën e viteve 1998-1999. Ndërsa sa i përket Maqedonisë së Veriut, përderisa Shqipëria Etnike e përfshin vetëm gjysmën e saj, Serbia e Madhe e gëlltitë Maqedoninë e Veriut të tërë! Por përkundër kësaj, maqedonasit tipik prapëseprapë më shumë ia vret syrin harta e Shqipërisë Etnike sesa harta e Serbisë së Madhe!

Por edhe vet maqedonasit ëndërrojnë për një shtet më të madh. Tek ata është ngulitur miti që atyre u është bërë padrejtësi me ndarjen e Maqedonisë me Marrëveshjen e Bukureshtit të vitit 1913. Por hajde ta shohim realitetin demografik të “rajonit gjeografik” të Maqedonisë që atë kohë ka qenë nën Perandorinë Osmane. Ky shtet nuk ka mbajtur regjistrime në bazë etnike por të gjithë dëshmitarët vendas dhe të huaj kanë qenë të vetëdijshëm se Maqedonia është ekstremisht e përzier etnikisht. Prandaj ekziston teoria se sallata franceze “Maqedonia” e ka marrë ashtu emrin sepse në të janë të përziera fruta të llojllojshme, njëjtë si në Maqedoni që janë të përziera shumë grupe etnike. Kështu, sipas një llogarie të Encyclopedia Britannica, në Maqedoni jetojnë 1.15 milionë sllavë, 500 mijë turq, 250 miijë grekë, 120 mijë shqiptarë, 93 mijë vllehë, 75 mijë hebrenjë, dhe 50 mijë romë. Në një rrethanë të këtillë ku sllavët e Maqedonisë mezi arrijnë në 51% të popullsisë së përgjithshme, çka iu jepka të drejtë maqedonasve sllavë të sundojnë me gjysmën tjetër të popullsisë?! Por ajo që e bën edhe më të pakuptimtë ëndrrën për Maqedoni të Bashkuar të disa ëndërrimtarëve maqedonas, është se pasqyra e sotme demografike është totalisht e ndryshme nga statistika e lartpërmendur e vitit 1911. Më saktë, me shkëmbimin e popullsisë në mes Greqisë dhe Turqisë, dhe në masë më të vogël midis Greqisë dhe Bullgarisë, në “rajonin gjeografik” të Maqedonisë më nuk janë sllavët komuniteti më i madh por grekët. Që do të thotë se sikur të realizohej ëndrra e maqedonasve etmikë për Maqedoni të Bashkuar, në një shtet të tillë maqedonasit etnikë do të ishin pakicë prej 27% në krahasim me 51% grekë!

Por shumë më shumë se tre shembujt e lartpërmendur, si harta me ndikim më të madh në Ballkan (e që ishin më së afërmi realizimit) janë Bullgaria e Shën Stefanit që përfshin territore që sot janë nën sovranitetin e republikave të: Greqisë, Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë, madje dhe Kosovës; dhe Megali Idea greke që synonte territore shqiptare, bullgare, dhe turke, dhe që në përqindje më të madhe se të tjerat është realizuar.

Për të përmbyllur, të gjitha hartat e mëdha i kanë disa tipare të përbashkëta. Të gjitha janë të vizatuara në bazë të principit “e imja mbetet e imja, e jotja është e diskutueshme”. Të gjitha hartat janë egoiste: “unë do të sundoj me tjerët ndërsa në shtetin tim ata do të jenë minoritete”. Të gjitha hartat pretendimet e tyre i vendosin në gjoja padrejtësi historike dhe të gjitha përfshijnë territore ku që moti nuk jetojnë njerëz të grupit etnik që ato territore i pretendon si të vetat!

 

* Autori është politolog i diplomuar dhe magjistrant i diplomacisë

Të fundit