Autor: Sefer Selimi Jr.
Kur BDI hodhi idenë për Kryeministrin e parë shqiptar në fushatën zgjedhore, ashtu si sot isha i bindur që kjo është vetëm një truk për PR që i shërbente strategjisë politike të BDI-së për të fituar edhe një herë mandatin për të qenë në qeveri. Dhe kjo funksionoi për mrekulli, duke e ndryshuar plotësisht rrjedhën e debatit në kampin politik shqiptar por edhe debatin e përgjithshëm parazgjedhor. BDI arriti të imponoj me mjeshtri këtë temë duke përdorur çdo mjet nga arsenali propagandistik dhe duke investuar çdo energji politike për të lënë plotësisht nën hije të gjitha diskutimet tjera, posaçërisht llogaridhënien ndaj punës së saj 18 vjeçare. Debat për programin e ardhshëm qeverisës pothuajse nuk pati aspak, ose thënë më mirë ishin sa për sy e faqe e sa për të mos thënë se nuk kemi çka ofrojmë. Edhe sot, mendoj që kërkesa për kryeministër është kërkesa më e ulët politike e cila pasqyron më së miri dështimin e qeverisjes së BDI-së, parti e cila është më shumë e fokusuar në ndryshime simbolike se sa cilësore. Votuesit u mjaftuan edhe një herë me ide gjysmake, plot folklor dhe populizëm ndërkaq ftesa për bashkërendim mes partive politike shqiptare nga BDI me të drejtë merret me skepticizëm nga liderët tjerë sepse në të kaluarën është vërtetuar se ajo ka qenë e pasinqertë dhe gjithmonë pas kapitalizimit të interesave të BDI-së partitë tjera janë flakur anësh.
Koalicioni gjysmë-opozitar që sfidonte drejtpërdrejtë BDI-në dështoi të dalë nga mentaliteti i opozitës së vjetër për tu vendosur në skenë si fituesi i ardhshëm. Thuajse të gjitha tubimet dhe debatet parazgjedhore fillonin dhe mbaronin duke u marrë me BDI-në dhe Ali Ahmetin. Kjo mendësi dhe ky opozitarizëm e mbajti BDI-në 18 vite në pushtet, ndërsa të gjithë sfiduesit e saj në opozitë. Opozita dështoi të akumuloj vota të mjaftueshme përtej aktivistëve të saj, atyre që drejtpërdrejtë u janë prekur interesat personale nga qeverisja e BDI-së dhe atyre që pretendonin të ishin klientët e ardhshëm potencial të partisë. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nuk arritën që BDI-në ta nxjerrin jashtë zonës së saj të komfortit, por luajtën në fushën e tyre duke u munduar ta kopjojnë veprimin dhe organizimin politik të BDI-së. E ripërsëris edhe një herë këshillën time të dhënë para fillimit të fushatës për koalicionin ASh-AAA: ‘’ Të jesh kundër BDI-së nuk është program zgjedhor. Të jesh kundër Ali Ahmetit nuk të bën lider. Të flasësh për të kaluarën nuk të bën vizionar. Të numërosh gabimet nuk është zgjidhje e problemeve. Qytetarët e këtij shteti, e në veçanti shqiptarët kanë kohë që kërkojnë ndryshim por ata nuk duan zëvendësim.’’ Sa për akuzën e vonshme për manipulime zgjedhore (shumica prej tyre legjitime) ajo nxjerr në pah se mosreagimi i tyre në momentin e duhur, në vendin e duhur dhe në formën e duhur është për shkak të mungesën së kapaciteteve njerëzore dhe partiake për të ndjekur dhe reaguar institucionalisht për probleme serioze ose pas saj fshihet nevoja për tu arsyetuar dhe ikja nga përgjegjësia e ‘’humbjes’’. Cilado të jetë arsyeja, kjo ‘’betejë’’ në afatgjatë do të sjell më shumë dëm se sa dobi për ta.
LSDM dhe Lëvizja BESA u nisën nga pritshmëri dhe këshilla të gabuara. Zgjedhjet e 2016 nuk janë pikë reference por një precedent që ndodhi si pasojë e një varg trazirash dhe momentesh traumatike politike të akumuluara për 10 vite me radhë. Ata që e këshilluan liderin e LSDM-së për të hyrë në konfrontim të drejtpërdrejtë me BDI-në e vërtetuan tezën që as nuk përfaqësojnë por aq më pak i njohin vërtetë shqiptarët. Lëvizja Besa duke dashur të kopjoj LSI-në e Ilir Metës harroi të merr parasysh se potencialin e tyre për klientelizëm politik e ka në dorë partneri më i madh i koalicionit dhe klientët gjithmonë kërkojnë të bëjnë pazar drejtpërdrejtë me pronarin, dhe jo me shitësin. Theksi i fushatës së tyre u vendos mbi atë se Lëvizja Besa është ‘’pjesëmarrëse e sigurt në qeveri’’ në vend të që të vendoset tek ajo se ata do të jenë ‘’garanca e funksionimit të drejtë dhe të barabartë të qeverisë në raport me shqiptarët’’.
VMRO-DPMNE vazhdon luftën e saj të brendshme për identitetin ideologjik në mes të kaluarës së largët, asaj të viteve të 90-ta, të kaluarës së afërt dhe konceptit mbi të ardhmen e shtetit. Për sa kohë që akuzat dhe kritikat për korrupsion i drejton nga ‘’pallati i bardhë’’ që është simboli i korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit, gjëja e vetme që do të ndryshoj është madhësia e saj në opozitë. Kjo parti duhet të filloj me shitjen e selisë së saj dhe pastaj me një riformatim të plotë ideologjik duke filluar nga pranimi i realitetit faktik të shtetit, regjionit dhe alternativave të vërteta për të ardhmen. Kjo u reflektua plotësisht në fushatë, në rezultatet zgjedhore dhe e shohim edhe sot kur liderit të tyre ia kanë veshur parzmoren e Don Kishotit për të themeluar qeverinë e re.
Partitë e vogla e kryen misionin e tyre për të djegur votat e të pakënaqurve. Përjashtim bëri Levica, parti e ekstremit të majtë me prirje fashiste. Fatin e tyre për të nxjerr 2 deputet e ndihmoi dalja e ulët në votime dhe në përbërjen e re parlamentare do të jemi dëshmitar të ideve absurde dhe çmendurive gjeniale, shumica prej tyre të dëgjuara deri më tash por jashtë parlamentit. Menduh Thaçi e fitoji betejën për mbijetesën e tij politike edhe për një mandat parlamentar, me shumë gjasë edhe të fundit.
Negociatat ende nuk kanë filluar zyrtarisht, por fundi i tyre duket larg – aq sa shpresat se kjo qeveri do të ketë potencialin dhe kapacitetin për të na rikthyer në normalitet pas krizës së pandemisë dhe për të pasur suksesin e dëshiruar në negociatat me BE-në.