Shefi i kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh këshilltari kryesor politik i presidentit, Bekim Çollaku, thotë se qëllimi i dialogut me Serbinë, duhet të jetë marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke dhe jo rinisja e një dialogu teknik të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Rinisja e dialogut teknik të udhëhequr nga BE-ja nuk është në interesin e Kosovës. Ai është dizajnuar për të justifikuar hapjen e më shumë kapitujve për pranimin e Serbisë në BE, teksa e lë Kosovën të izoluar dhe në status quo. Qëllimi duhet të jetë marrëveshja përfundimtare politike me njohje reciproke”, tha Çollaku përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Resumption of EU led technical dialogue is not in Kosovo’s interest. It is designed to justify opening more accession chapters for Serbia while leaving Kosovo isolated under the current status quo. The aim should be a final political deal with mutual recognition.
— Bekim Çollaku (@bcollaku1) July 18, 2020
Ky reagim i Çollakut vjen pasi më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takua në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Pas kësaj, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.
Ndërkaq, kryeministri Hoti pas takimit të Brukselit se Kosova dhe Serbia janë shumë afër arritjes së marrëveshjes përfundimtare.
“Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, tha Hoti, duke shtuar se në këtë takim kanë folur për personat e zhdukur dhe ekonominë.
Ndryshe, Hoti kur u pyet në Bruksel nga gazetarët nëse për dialogun ka koordinim me presidentin Thaçi, deklaroi:
“Unë përfaqësoj Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, bashkë me partnerët e koalicionit, duke e mbajtur plotësisht të informuar të gjithë spektrin politik në Kosovë”.
/REL