E martë, 18 Shkurt, 2025

ZIGZAG: PËR HUMBËSIT DHE FITIMTARËT

Që në krye të herës ta them pa dilemë: Si kurrë më parë këto zgjedhjet e së mërkurës e bënë atë prerjen e shumëdëshiruar mes humbësve dhe fitimtarëve. Tek kampi politik shqiptar. Në atë maqedonas, po ashtu! Fituesi absolut rezulton të jetë Ali Ahmeti, vargani i humbësve nis me Zoran Zaevin e përfundon me – Albin Kurtin!

 

Shkruan: Seladin Xhezairi

 

Dhanë shumë deri të martën e morën pak – të mërkurën! Bënë një fushatë kryekëput në funksion të spostimit të Ali Ahmetit nga froni i të parit të shqiptarëve këtu. Nuk ia dolën, të gjithë liderët e partive shqiptare, po as Zaevi e deri diku as Mickoski. Nuk ia doli as ish-kryeministri i Kosovës, kreu i VV-së, Albin Kurti! Të parët, për të, thanë e ç’nuk thanë, ndërkohë që ky i mbrami, me sejmanë që me myhyrin e tij erdhën e u bënë pjesë e fushatës, edhe ky, ëndërroi largimin që s’do mend do t’i hapte rrugë instalimit të filialit të paralajmëruar për të bërë ndryshimin në skenën e organizimit partiak ndër ne.

Po! Investuan shumë e morën pak!

Dikush do të thoshte se votuesi megjithatë vlen më shumë se pesë para, përkatësisht se nuk ha bar! Këtë e treguan më së miri rezultatet e zgjedhjeve të së mërkurës. Analiza e tyre ndërkaq duhet lexuar si një mësim shtesë nga mënyra se si bënë, të gjithë, fushatën: Edhe humbësit edhe fitimtarët. Për shkak se të parëve arsenali anti-BDI apo ‘anti – DUI’ – u doli ‘barut i lagur’, të dytëve rezultati duhet t’ju shërbejë për të vënë gishtin në kokë se, nuk është se edhe votuesit e tyre nuk u çuan selam – ditën e zgjedhjeve. Për listat kandiduese. Nejse, në përgjithësi, duket se në këto zgjedhje votuesit e LSDM-së, votuesit maqedonas, sikur e kthyen borxhin – duke votuar kandidatë shqiptarë. Kjo rezulton edhe nga një lexim-krahasues mes këtyre dhe zgjedhjeve të parafundit.

Çka tash?

Duhet pritur rrumbullakimin e procesit zgjedhor. E para. E dyta, ndonëse liderët partiak thonë se do kalojnë ca ditë pushimi (në kushte pandemie!), duket se pikërisht tani janë në ankthin më të madh: Kujt do t’i shkojë përdore krijimi i shumicës parlamentare: LSDM-së, VMRO-DPMNE-së apo BDI-së. Kjo konform përcaktmeve kushtetuese. Qeverinë do ta bëjë ai i cili ka për të siguruar të paktën votën e të paktën 61 deputetëve.

Të mos harrojmë: politika do të duhej të jetë art’i së mundshmes, por të gjithë e pranojnë atë përkufizimin se – politika është kurvë! Nga zgjedhjet e fundit, pra, mësime duhet të nxjerrin të gjithë: këta – këtu dhe ata – atje. Pa harruar Menduh Thaçin!

Të fundit