Autor: Sefer Selimi Jr.
Zgjedhjet në Republikën e Maqedonisë së Veriut mbaruan. Sipas rezultateve preliminare në daljen më të ulët historike të votuesve, shqiptarët janë historikisht më të përfaqësuar në Kuvendin e Republikës. Shqiptarët përfaqësohen me 33 deputet dhe ky numër i atribuohet daljes së vogël në votime të votuesve të LSDM dhe VMRO-DPMNE, ku të dyja kanë nga 100.000 vota më pakë se në vitin 2016, në ndërkohë që votuesit tradicional shqiptar shprehën vullnetin e tyre. Përveç pandemisë dhe situatës së jashtëzakonshme në të cilat u zhvilluan këto zgjedhje, kjo tregon se një pjesë e madhe e qytetarëve kanë humbur besimin në partitë politike dhe kampanja e zezë ndikoi në demotivimin e tyre për të votuar këto parti. Nga këto zgjedhje fituesi absolut është BDI e Ali Ahmetit e cila mori 15 deputet dhe tani është partia kyçe në ndërtimin e qeverisë së re, në ndërkohë që opozita në kampin shqiptar ka shënuar një rezultat i cili e sfidon për herë të parë seriozisht BDI-në.
Çka tani?
BDI garoi me kërkesën për kryeministrin e parë shqiptar dhe është në pozicion për të diktuar seriozisht një kërkesë të tillë. Nëse nuk ka rokada brenda mandateve nga VMRO-DPMNE në LSDM dhe opozita shqiptare nuk bëhet pjesë e këtyre pazareve duke pritur pas derës për të hyrë në qeveri, çelsi kryesor në formimin e qeverisë është tek Ali Ahmeti. Por a ka hapësirë për kompromis? Nëse BDI do të hiqte dorë nga kjo kërkesë, atëherë kompromisi për këtë duhet të jetë në interes të çështjeve që mundet të avancojnë edhe më tej statusin juridik të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
- Gjuha shqipe në kushtetutë – Paralajmërimet për bashkëpunim me opozitën e partive shqiptare nga ana e BDi-së tregojnë potencë serioze që mund të bëj edhe ndryshime kushtetuese dhe të përmbyllin përgjithmonë çështjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, duke e saktësuar atë si ‘’gjuha shqipe’’ dhe jo si ‘’gjuha të cilën e flasin 20% e popullatës që flet gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase’’. Nëse numrat do të ngelin siç janë, kësaj kërkese i mungojnë 6 deputet por ky është një shans serioz edhe për VMRO-DPMNE për të rritur kapacitetin koalicionues me partitë shqiptare për qeverinë e ardhshme dhe të ndryshoj imazhin e saj negativ tek popullata etnike shqiptare ku ka 0% pëlqyeshmëri.
- Presidenti të zgjidhet në kuvend – Një kërkesë tjerët e rëndësishme është edhe zgjedhja e presidentit. Konsensualiteti i vërtetë për presidentin e vendit mund të arrihet në parlament dhe është rruga më e sigurt që në të ardhmen e afërt të kemi shanse serioze për të pasur presidentin e parë shqiptar, por edhe për tu siguruar që në krye të këtij institucioni nuk do të kemi individ të cilët mund të vendosin në rrezik marrëdhëniet ndëretnike dhe qëllimet strategjike të shtetit.
- Decentralizimi i plotë fiskal dhe administrativ – roli i drejtpërdrejtë në nevojat e përditshme të qytetarëve nga ana e qeverisë qendrore duhet të jetë minimal. Pushteti qendror duhet të luaj rol kryesor në politikat e sigurisë, energjetikës, infrastrukturës nacionale dhe regjionale, arsimin, shëndetësinë dhe politika tjera të cilat ruajnë karakterin unitar të shtetit por edhe kujdesen që shërbimet të jenë cilësore në të gjithë territorin. Rritja e përqindjes së kthimit të TVSH-së në pushtetin lokal (aktualisht është 4.5%) ishte pjesë premtimeve zgjedhore, por ka hapësirë që kjo kërkesë nga 10% të bëhet në deri në 15% që do të rriste dukshëm potencialin e pushtetit lokal për të bërë investimet e duhura dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
- Lista të hapura – Shumica absolute e qytetarëve kërkojnë lista të hapura zgjedhore. Kjo kërkesë shpesh herë është humbur në labirintet e interesave partiake. Është momenti që kjo të realizohet në një dialog më të gjerë edhe me opozitën por që do të reflektoj edhe pritshmërinë e votuesve për të pasur zgjedhje më të drejtpërdrejtë për përfaqësuesit në parlament dhe këshillat komunal. Modeli i ndarjeve të njësive zgjedhore është çështje që kërkon debat serioz, më të gjatë dhe gjithëpërfshirës.
Nuk përjashtohet edhe mundësia e pasjes së një qeverie të gjërë në të cilën do të marrin pjesë edhe koalicioni i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës dhe Partia Demokratike Shqiptare. Kështu do të sigurohet një shumicë stabile e cila duhet të përballet me pasojat shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë, por edhe do të siguroj një konsensus më të gjerë për negociatat me Bashkimin Evropian. Këtu konkurrenca politike do të tregohet në menaxhimin e institucioneve në ndërkohë që të gjitha partitë do të jenë në të njëjtën kohë edhe pozitë edhe opozitë e njëra tjetrës.
Cilat do të jenë lëvizjet e ardhshme të partive politike mbetet të shihet, por një gjë është e sigurt, vendin e presin negociata të vështira për ta kthyer votën në qeveri.