- Unë i besoj kësaj aftësie, që në esencë duhet të jetë lakonike (less is more!), prandaj dhe pragmatike. Ajo çka është tip vlere arkaike tek gruaja në familje, në shoqëri sipas Tiffany Shlain është aftësia e saj për të thënë JO
- Padyshim, më 15 korrik do votoj, dhe do doja të votoja për JO-në që e ka thënë gruaja më e zëshme në këtë garë partish! Pyetja ime do përgjigjen, cila ishte ajo? E vërteta e vrojtimit tim bërë garës së grave për pushtet në këto zgjedhje parlamentare nuk dëgjoi zëshëm jehonën organike të mohuesit ‘’JO’’! Jo-ja ishte ende shumë partikulare, simbolike, e zbehtë, shpërthente pa i besuar mjaftueshëm!
- I përkas shkollës së lidershipit të Joseph Nye, prandaj dhe nuk besoj në ekskluzivitetet maçoiste ose feministe që përbëjnë teorinë e ‘’big man’’ ose ‘’big woman’’ si teori për lidership
Autore: Adelina Marku
Si edhe në shumë vende të rajonit, por edhe më gjerë, po organizohen zgjedhje parlamentare në Maqedoninë e Veriut në kohë pandemie nga virusi Covid 19. Në një shikim të përgjithësuar vendi ka pësuar ndryshime, simbolike në pamje të parë, por që përbëjnë peshë gjeostrategjike thelbësore prandaj dhe janë të rëndësishme për t’u bluar e ndjerë madje edhe vetëprojektuar. Kjo, ngase vendi po hyn në zgjedhje parlamentare me emër të ri shteti, ne njihemi tani botërisht si Maqedonia e Veriut, vendi tanimë është bërë anëtar e NATO-s dhe po përafron veten buzë një procesi jo dhe aq të ditur e në kërkim përvetësimi të materialit, pra, atë të hapjes së negociatave me BE-në. Në dukje afirmative, vendi ka shkëlqyer në politikën e jashtme! Gjë e rrallë, por e mirë, do kishte thënë një sy vetëkritik!
DEPRESIONI DHE TRAUMAT E PASPANDEMISË
Qytetarët e këtij vendi nuk dallohen për lumturi. Nuk do kisha gabuar të vlerësoja se shtetasit në vend janë të hidhëruar ose letargjikë. Avangarda për besim sikur po zhbëhet dhe po humb identitet! Në lojë është partiokratia ende, larg nuri i meritokracisë. Kjo nuk flet për mirë, padyshim! Me gjasë traumat që i shkakton politika ditore këtu, por edhe me trajta vulgaromane, nuk arrijnë edhe të pastrojnë njëra-tjetrën. Ato shtresohen e si pasojë. Sipas një raporti të Organizatës Botërore e Shëndetësisë – zyra rajonale në Shkup, bazuar në gjetjet dhe statistikat e Health Insurance Fund të vitit 2016 antidepresantët ishin të pozicionuar si ilaçi i tretë më i kërkuar nëpër farmacitë e vendit. Ky numër rritet në vitin 2017 me çka vendi kap një shifër alarmuese e për më shumë, kërkimi i mëtejshëm i kësaj organizate tregon se nga 1200 të intervistuarit , 70 për qind nuk ishin të vetëdijshëm për simptomat e depresionit. Nuk do shumë mend e të kuptohet se qytetarët e vendit janë të mërzitur, e për më shumë janë mësuar të jetojnë me mërzinë prandaj nuk krijojnë vetëdije të mjaftueshme për ta luftuar atë. Mërzia padyshim tregon përqindje rritjeje në vend sidomos e posaçërisht në këtë kohë pandemie.
Trauma e paspandemisë, do e lëndojë shoqërinë edhe më shumë! Prandaj, paspandemia , çfarë trajta traumash të shëndetit mental do krijojë e si do përballet qeveria e re me këtë rrezik? Kjo mërzi luksoze a do transformohet në energji të mjaftueshme për të energjizuar administratën shtetërore në rrugëtimin e gjatë të negociatave me B
E? Kjo mërzi luksoze a do i ndihmojë ndërmarrësisë me çka dhe mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës? Na mbetet ta shohim padyshim! Gratë në garë, sikur nuk u morën shumë me strategjinë paspandemisë. Logjikë skematike shqetësuese kjo! Fatkeqësisht, institucionet e vendit nuk shkëlqejnë shumë në analiza të këtij lloji e të karakterit prevenues ose të karakterit strategjiko- futurist, prandaj dhe shprehja ‘’Le bëhet çka të bëhet, gjallë të jemi!’’ në Maqedoninë e Veriut është bërë një si tip moto mbijetese! Po sikur të fillojmë t’i themi JO kësaj motoje?
DHUNA NË FAMILJE ME PËRMASA GALOPANTE
Një raport i Komitetit të Helsinkit i publikuar në shtator të 2019 e që është rezultat i projektit “Parandalimi i diskriminimit dhe ballafaqime me krimin nga urrejtja dhe gjuhën e urrejtjes’’ tregon se në periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2018, Komiteti i Helsinkit ka regjistruar gjithsej 123 incidente dhe vepra nga urrejtja. Incidentet janë regjistruar menjëherë pasi ato janë paraqitur nga mediat apo Ministria e Punëve të Brendshme. Nga numri i përgjithshëm i veprave/incidenteve të regjistruara, 60 incidente (49%) janë vërtetuar, kurse 60 incidente (51%) mbeten të pavërtetuara. Për pjesën më të madhe të incidenteve të pakonfirmuara dhe akteve të urrejtjes, në përputhje me indikatorët e tjerë (vendndodhja, mënyra e ekzekutimit, përfshirja e të miturve dhe nxënësve të shkollave të mesme etj) ka besim të arsyeshëm se ato janë kryer për shkak të etnicitetit të viktimës apo të kryerësit. Në raport, posaçërisht vëmendjesh në këtë formulim, thotë : “Pavarësisht nga kërkesa jonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të konfirmuar nëse treguesi etnik është i pranishëm në këto incidente dhe akte, nuk kemi marrë asnjë vërtetim të tillë nga atje’’. Gjuha e urrejtjes, sidomos ajo që përdoret nëpër rrjetet sociale nga qytetarët e vendit, po nxit trajta vulgare të evoluimit në shoqërinë tonë. Konsumues potencialë të kësaj gjuhe të urrejtjes janë padyshim fëmijët në një moshë formimi të karakterit. Prandaj dhe Ambasada e fëmijëve Megjashi në Shkup doli me një raport mbi sjelljen e dhunshme të fëmijëve nëpër shkolla ndërsa treguesit janë shqetësues, ose më mirë – shumë shqetësues! Dhuna në familje, kjo kaptinë e vrazhdë e jetës sonë, kafshon me përmasat galopante në rritje kurbe! Gratë në garë sikur u turpëruan të flasin hapur se ka dhunë në shoqërinë tonë. Nuk më duhet një grua politikane, e cila ka trajtesë politikisht korrekte ndaj dhunës nëpër shkolla! Jo këtij narrativi! ‘’Në vend që të jetë e sigurt në shtëpi, ndonjëherë rreziku më i madh për një grua vjen nga atje’’, thotë një raport i Komitetit të Helsinkit, zyra në Shkup, për dhunë ndaj gruas , seksizmin dhe mobinugun në punë.
Në vendin tonë, vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2019 janë raportuar 709 krime në fushën e dhunës në familje, nga të cilat 610 ishin gra viktima. Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave prekin në mënyrë disproporcionale më shumë gratë, pikërisht sepse ato janë gra, thotë Komiteti i Helsinkit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dënimi i një gjuhe të këtillë të urrejtjes, dhunës në familje e mbi gratë nga ana e institucioneve shtetërore, ministrive , prokurorisë e gjyqësisë me sa duket është ende në dimension cinik të diskursit trivial politik. Po aq cinizëm përdorën gratë në garën elektorale kësaj radhe. Ato nuk PISKATËN, JO DHUNËS NDAJ TYRE! Të jetë vetëflijim ky, trajtë e re sadomazohiste e grave tona në garë? Kultura për ‘’lejim antikulture’’ka rrezik të shndërrohet në trend subkulturor në shoqërinë tonë ndaj dhe format e radikalizimit të narrativit politik dhe atij religjioz ndoshta edhe nuk duhet të na habisin më, ose të na mbajnë vetëm gojëhapur e të mërzitur, por të na ndërgjegjësojnë e të veprojmë me JO! Aty ku ekziston vullnet politik për zhvillim e ndryshim, aty ka edhe matje të së mirës dhe progresit. Ose, aty ku ka hapësirë për ndërgjegjësim, aty zë farë ndryshimi, thonë!
Vendosja strukturore e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut në fund të vitit 2018, sipas një raporti analitik të Komitetit të Helsinkit për diskriminimin në vendin e punës tregon se numri i të punësuarve kap 45,1 për qind, ndërsa i të papunëve 20,8 për qind. Sigurisht që sa më e lartë të jetë shkalla e papunësisë aq më pak të drejta kanë punëtorët, për më shumë reflektimi i letargjisë në shoqëri si rezultat i traumave politike kanë shkaktuar edhe organizim përçarës të sindikatave nëpër organizata e institucione shtetërore. Studimi tregon se 73,8 përqind prej të anketuarve ishin shprehur se aspak nuk janë të kënaqur nga puna e sindikatave. Mos ka të bëjë kjo përçarje e fuqisë së punës me të vjetrën latine ‘’përça e sundo’’? Sikur matësit intelektualë të bindnin për prova që dëshmojnë këtë filozofi të vjetër latine , atëherë lidershipi politik në vend edhe gjatë kohë ka rrezik të ketë përçarje të thella në idetë se si duhet zhvilluar shteti. Me apo pa gratë në garë, munguaka eliksiri ngjitës, unifikuesi, ose më mirë do kisha thënë, të bësh dashuri me shtetin në kërkim e rehatim kënaqësie qenka një rrugëtim i vështirë.
Por, më lejoni, përse gratë që garojnë për deputete në këto zgjedhje parlamentare të 2020 nuk i kanë lexuar këto raporte ( e shumë të tjera që hapësira e këtij teksti nuk të mjafton për t’i numëruar), para se të marrin mbi shpinën e tyre të njomë ose të moshuar përgjegjësinë piedestale për të dashuruar shtetin e për ta fisnikëruar shoqërinë në të? Më ndjeni, por të dashurosh shtetin ose të bësh dashuri me shtetin qenka njësoj sikur të dalësh nga zona e komforit nga një martesë e dërmuar ekonomikisht, ku harmonia mes partnerëve është thellësisht e stigmatizuar dhe paragjykuar nga vetë partnerët! Një familje e përçarë me gra plot në politikë! Ironi padyshim!
MUNGESA JO-SË SË GRUAS PËR DEFEKTET E SHUMTA
I përkas shkollës së lidershipit të Joseph Nye, prandaj dhe nuk besoj në ekskluzivitetet maçoiste ose feministe që përbëjnë teorinë e ‘’big man’’ ose ‘’big woman’’ si teori për lidership. Mësimi nga kjo shkollë mendimi më ka bërë të evitoj stereotipat gjinore prandaj dhe të gjykoj se në epokën informacionit e të digjitalizimit të shpejtë, një lider/e efektiv/e duhet të posedojë tre aftësitë e fuqisë së butë (1. inteligjenca emocionale, 2. vizioni, 3.komunikimi) e me dy të aftësisë së fortë ( 1. makiavelizëm 2. aftësi organizimi e menaxhimi me politikat). Aftësia për të kombinuar këto dy lloje fuqish, krijon të ashtuquajturën “fuqi të mençur” dhe padyshim, nëse je grua e garon për të qeverisur të nevojitet ‘’paskrupullësia’’ e aftësisë hermafrodite për të ndërtuar vizionin e së ardhmes më të mirë për fëmijët e tu, përmes fuqisë së mençur. Unë i besoj kësaj aftësie, që në esencë duhet të jetë lakonike (less is more!), prandaj dhe pragmatike. Ajo çka është tip vlere arkaike tek gruaja në familje, në shoqëri sipas Tiffany Shlain është aftësia e saj për të thënë JO! Padyshim, më 15 korrik do votoj, dhe do doja të votoja për JO-në që e ka thënë gruaja më e zëshme në këtë garë partish! Pyetja ime do përgjigjen, cila ishte ajo? E vërteta e vrojtimit tim bërë garës së grave për pushtet në këto zgjedhje parlamentare nuk dëgjoi zëshëm jehonën organike të mohuesit ‘’JO’’! Jo-ja ishte ende shumë partikulare, simbolike, e zbehtë, shpërthente pa i besuar mjaftueshëm ! Gratë në politikë vazhdojnë të garojnë me dembellëkun e lehtësisë së fjalës : ‘’NE DO TË…!’’ Por gratë tona në garë, edhe kësaj here menduan besnikërisht për partinë dhe liderin per se’, e jo për vizionin mbi shtetin, i cili ka bërë lëvizje galopante në skenën ndërkombëtare padyshim! Nëse rreth gruas, për gruan, gruas dhe ndaj gruas sillet shoqëria prisja gruaja të piskatte GAMËN GALAKTIKE: JO prokrastinimit në politikë, JO korrektësisë politike ndaj zgjedhjes së problemeve, JO tolerancës ndëretnike prandaj PO respektit ndëretnik, JO korrupsionit, JO zhvatjes së realizimit të projekteve të liberalizimit të mësimdhënies dhe modernizmit të kurrikulave mësimore, JO prokrastinimit që vjen nga mosaftësia për të dalë nga zona e komforit, JO ikjes së të rinjve, JO ndasive etnike që reciklojnë shëmtinë e humnerës ekonomike në vend , JO ndaj të qenit e verbër dhe papërgjegjësi para bukurive dhe pasurive mahnitëse që i ka ky vend, JO dhunës në familje, JO gjuhës së urrejtjes, JO radikalizmit religjioz e atij politik, JO ndaj konceptit të zgjedhjes së problemeve në shtet përmes reciklueses gjuhë politikisht korrekte ( NO to political correctness!) , JO-frikës për të dalë nga zona e komforit, JO mungesës së politikanit/es me integritet, JO politikës pa integritet, JO politikanit/es që nuk i besojmë, por prapë e votojmë, JO cinizmit elektoral!…Jo…pafund JO!
Miq, mikesha fushata e gruas në politikë e ka alfën dhe omegën tek aftësia e saj për të thënë JO. Jo-ja e gruas në këtë garë më ishte e nevojshme më shumë se herëve të tjera, ngase na duhet të vetëprojektojmë veten dhe qytetarinë tonë tanimë sipas standardeve të NATO-s dhe brenda standardeve të BE-së. Pa këtë vetëbesim, vetëprojektim, gara politike e humb kuptimin, vulgarizohet, dhe banalizohet në reciklimin e dështimit deri në denigrim dhe thyerje të rënda identitare dhe përkatësie. Qytetarët reagojnë ndaj dështimeve të demokracisë në një mënyrë të ngjashme siç reagojnë kur janë të pakënaqur me tregun. Ata ikin, thotë Ivan Krastev në librin e tij ‘’ I besojmë mosbesimit!’’, e vazhdon ky: ikin duke u larguar nga vendi , ose duke mos votuar më, ose edhe duke votuar me fletëvotimi të bardha. Cila nga gratë në këtë garë foli vetëm për të rinjtë që na ikën ?!
Të nderuara mikesha deputete të ardhshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jua dua JO-në kritike kësaj here ta argumentoni me individualizëm të ushtruar nga dashuria për veten dhe shtetin. Po-të e shpejta janë politikisht hajvane prandaj dhe me strategji brutale e vulgare . Na nevojitet Jo-ja juaj e mençur të gjitha devijimeve në shoqërinë tonë, sepse demokracia nuk mund të ekzistojë pa besimin dhe politika si menaxhim i mosbesimit do të jetë fundi i hidhur i reformës demokratike sërish*(*Ivan Krastev , fq. 98, titulli‘’ I besojmë mosbesimit’’!). padyshim , ju uroj fat në këtë garë! Me ju jam, e na duan më të mira se sa që jemi! Prandaj…guxo!
(Analiza është shkruar enkas për KDP-në)