Kandidati i BDI-së për kryeministër, Naser Ziberi dhe Menduh Thaçi për zv.kryeministër, në nivelin e strategjisë parazgjedhore kanë synim kthimin e votës shqiptare në taborin e partive shqiptare. Disi ashtu dhe janë ndarë edhe rolet tjera, përderisa BDI dhe koalicioni ASH-Alternativa, PDSH-ja luftojnë t’i kthejnë votat shqiptare në taborin e tyre, Lëvizjes Besa i ka rënë hise ato t’i çojë te LSDM-ja.
Autor: Daut Dauti
BDI-ja ia ka vënë syrin kryeministrit, kurse Menduh Thaçi e ka ofruar veten si lider partie për postin e dytë…
Këto janë ndoshta dy risitë më interesante të garës zgjedhore që duhet të finalizohet më 15 korrik, në një datë ku të shpresojmë të arrijmë me më pak raste infektimesh ditore me Covid 19. Zgjedhje në kushte jo normale, që pandeminë vetëm mund ta shtojnë dhe t’ia lënë “jadec” qeverisë së ardhshme politike, meqë kjo e arnuara pak pushtet, e pak opozitë, e “përskiti” krejt(kërkoj falje për këtë shprehje jo tipike për shkrimet e mia!). Në këtë situatë, edhe një autor si unë që ishte kundër zgjedhjeve në këto kushte pa kushte, u dorëzua për të thënë: Aman, mbani zgjedhjet, qoftë vetëm 20-30 për qind dalje.
Tashmë jemi në dy javët vendimtare të fushatës, që përveç anëtarësisë dhe simpatizantëve partiakë, të binden edhe ata të luhatshmit dhe të papërcaktuarit. Ajo që do ta shënojë aktin vendimtar, si duket, do të jenë edhe një herë votat shqiptare, për të cilat nuk pretendojnë vetëm partitë shqiptare, por edhe LSDM-ja. Përplasjet verbale shkojnë asaj rruge. Nga këndvështrimi i fushatës parazgjedhore, pretendimet më të drejtpërdrejta për t’i kthyer votat që dikur shkuan te LSDM-ja, ka shfaqur BDI-ja me “kohën për kryeministrin e parë shqiptar”, por që në të njëjtën vijë është edhe Menduh Thaçi, që e ka ofruar veten si zv.kryeministër. Nëse Menduh Thaçi synon ikanakët PDSH-istë te Aleanca për Shqiptarët dhe partitë tjera t’i kthejë te PDSH-ja, Ali Ahmeti ka “targetuar” votuesit shqiptarë që në zgjedhjet e kaluara kanë shkuar te LSDM-ja.
Dikush thotë 40, dikush 50 e dikush madje 70 mijë votues që ishin vendimtarë që LSDM-në ta afrojnë me VMRO-në, dhe ta kthejnë në pushtet. Sigurisht që strategët e BDI-së e kanë parë të udhës që në mënyrë indirekte t’ia bëjnë me dije LSDM-së e cila ndërkohë jo pak u punoi pas shpine, se boll i pate një herë gjithë ato vota shqiptare, me të cilat i arrite disa qëllime shtetërore dhe partiake, dhe tash është koha ato të kthehen “aty ku përkasin”, në kutitë votuese të partive shqiptare. Një operacion i tillë nuk është me të thënme, por me të bëme, pra me ofertë konkrete, ndaj dhe me idenë për kryeministrin shqiptar, në kohën kur janë realizuar shumë nga objektivat shqiptare, mund të jetë ai karremi i vërtetë, i pasprovuar deri tash. Natyrisht, duke qenë se partitë tjera tashmë ishin pozicionuar kundër saj, përmes dy koalicioneve parazgjedhore ASH-Alternativa dhe LSDM-Besa, si dhe PDSH-së, është pak e pritshme që t’i shkojnë pas idesë së kryeministrit shqiptar.
Ali Ahmeti ndoshta tejkaloi kufijtë e realizmit kur thotë se jo vetëm që beson në një gjë të tillë por dhe se “do të bëhet”, ose siç thotë bartësi i listës, Izet Mexhiti, adresa e Zaevit dhe Mickovskit për qeverinë e ardhshme është “në Reçicë te Ali Ahmeti” që lë të hapur mundësinë që edhe si parti jo fituese, pas zgjedhjeve edhe të provohet fati përnjëmend. Këtu në Maqedoni do të ishte baras me herezi dhe tradhti kombëtare për partitë maqedonase që ta pranojnë këtë, por fatit nuk i dihet.
Se është një strategji për ta kthyer votuesin shqiptar, dëshmojnë deklaratat e kreut të LSDM-së kundër BDI-së, i cili, fitohet përshtypja se më pak merret me rivalin e taborit maqedonas, Mickovskin, e më shumë me BDI-në. Është pak e panatyrshme kaq haptas dhe kaq zëshëm të bësh fushatë me partnerin e deritashëm të koalicionit, me të cilët i ke arritur objektivat më të larta shtetërore. Pikërisht për këto arsye, fushata kundër BDI-së po zhvillohet paksa jashtë parimeve të bashkëpunimit të deritashëm, sepse ishte BDI-ja ajo që në momentin e fundit hyri në qeveri me LSDM-në dhe jo me VMRO-në, me çka partinë jo fituese e bëri që të marrë drejtimin e qeverisë. Këtë vendim, BDI-ja e pat marrë duke shkelur në parimin që vetë e kishte promovuar “fituesi me fituesin”, që herdokurdo mund t’i kushtonte shtrenjtë.
E qartë, në pyetje janë votat që LSDM-së mund t’i ikin e që kanë qenë vendimtare për ta kthyer në pushtet. Pikërisht ato vota edhe mund ta vendosin fituesin edhe kësaj radhe, sepse në disa anketa, maqedonasit më shumë i japin përkrahje partisë së Mickovskit. Tash, matematika thotë se nëse do të iknin nga LSDM-ja vetëm gjysma e atyre votuesve të zgjedhjeve të kaluara, kjo parti rrezikon të shkojë në opozitë, sepse duket se marrëveshja me Greqinë për ndërrimin e emrit(jo aq) dhe ajo me Bullgarinë për fqinjësi të mirë(më tepër), si dhe disa afera korruptive, në sytë e maqedonasit mund të peshojnë më shumë se sa meritat për hapjen e dyerve të BE-së dhe NATO-s, si suksese të pakontestueshme. Relativizimi vjen nga indoktrinomi me sentimentin anti-NATO që e kanë mbjellë qarqe të caktuara në të kaluarën.
Kjo situatë i ka vënë në sprovë partitë, saqë pozicionimi i lideri të LSDM-së kundër idesë së “kryeministrit shqiptar”, është paksa gabim taktik edh për të.
Prandaj dhe nga tabori i simpatizantëve të BDI-së dhe në komente në rrjetet sociale, ku poashtu zhvillohet një betejë e pakompromis, shpesh është shtruar dilema se cila është logjika që votuesit shqiptarë të rrinë me një parti, ku thonë haptas se nuk do të lejojnë një kryeministër shqiptar. Edhe ky “incidenti” brenda fushatës dhe pandemisë që ministri Filipçe të ndërrojë Drejtorin e Shëndetit Publik të Shkupit, e shohin në këtë dritë, sepse e ndëshkoi praktikisht familjarin e Naser Ziberit, kandidatit të BDI-së për kryeministër. Ky gjest u kritikua edhe nga një gazetar i cili njihet si i afërt me LSDM-në, i cili në një status në facebook tha se i ka bërë reklamën më të mirë këtij kandidati!
Nëse në hyrje të tekstit lexuesit mund të kenë hetuar ndonjë dozë humori analiza më e thellë na shpie në njohjen e një strategjie jo naive nga këto dy parti, të cilat deri para disa vitesh, ishin rivale serioze ndaj njëra tjetrës. Qysh vitin e kaluar Menduh Thaçi kishte paralajmëruar se do të luftonte që zv. kryeminsitër i qeverisë së ardhshme të ishte ai, pra, për herë të parë, një lider partie shqiptare të marrë një pozicion të tillë, ndryshe nga praktika tri dekadëshe kur liderët partiakë “delegonin” kuadrot në poste ministrore e zv.kryeministrore, por vetë duke ndenjur përherë larg ekzekutivit. Pikërisht kjo risi në strategjinë e Menduh Thaçit sigurisht në nëntekst kishte qëllim strategjik: ta mobilizojë elektoratin e PDSH-së i cili është derdhur në partitë tjera shqiptare, dhe duke e ofruar veten për këtë, edhe ta ngjallë motivin e fjetur të PDSH-istave të flaktë që për Menduhin bënin be.
Një parti së cilës askush nuk i jep shanse për fitore, kjo ofertë është mënyra e vetme për ta rikthyer pozitën “e opozitës së vetme shqiptare”, me çka është kënaqur në zgjedhjet e kaluara. Shumëkush do të vë bast se as kjo strategji nuk mund t’ia kthejë Menduh Thaçit shkëlqimin e dikurshëm(as rikthimi te akuzat ndaj Ali Ahmetit, kur dihet se më së shumti votat i kanë ikur te pjesa e shkëputur e PDSH-së). Ideja e Thaçit është origjinale, sepse nuk është ide e keqe që liderët partiakë edhe të marrin përgjegjësitë e drejtpërdrejta, e jo ato t’i realizojnë nëpërmjet kuadrove të tjera.(Kuptohet, ka edhe anën praktike pse rrinë larg, por për këtë tjetër herë).
Kështu, në këto dy javë të mbetura, gjithkush hyn me strategjinë e veta në gjah pas votuesve: përderisa BDI dhe koalicioni ASH-Alternativa, PDSH-ja luftojnë t’i kthejnë votat shqiptare në taborin e tyre, Lëvizjes Besa i ka rënë hise votat shqiptare t’i çojë te LSDM-ja.
Në anën tjetër, edhe përplasja e partive maqedonase është interesante, sepse në njërën anë e ke LSDM-në me Zaevin krejt vetëbesim në vete se me gjithë atë që ka bërë, ka kapital të mjaftueshëm politik kundrejt VMRO-së, e cila mund të ketë më shumë çorientim programor dhe krizë liderizmi. Njëra ende i synon votuesit shqiptarë, si një “teg” në “kantarin” e fitores, kurse e dyta, shpreson në kombinatorikat pas zgjedhjeve, ku poashtu do të jenë determinuese “numrat” e partive shqiptare. Kam pas shkruar se një VMRO nacionaliste e pareformuar edhe po të fitojë në zgjedhje, nuk mund të bëjë qeveri pasi asnjë parti shqiptare nuk do të donte të bëjë koalicion me të, mirëpo, mu në prag të zgjedhjeve, fryni një puhi e lehtë ndryshimi, kur në një emision debutues një përfaqësues i saj tha se për të nuk është e papranueshme që shqiptarët dhe gjuha shqipe të shkëputen nga “20 përqindëshi”! Pra, me këtë, Mickovski nuk do të kërkojë votues shqiptarë, duke e ditur se s’ia jep kush, por do t’u ofrojë partive shqiptare heqjen e 20 përqindëshit si kategori kushtetuese! (Mund të vë bast që tani se nëse vjen në situatë për të bërë qeveri, kjo parti pikërisht këtë mund t’ua ofrojë partive shqiptare!)