E shtunë, 11 Maj, 2024

Deputetët e ri kanë përgjegjësi të reja

Autor: Sefer Selimi Jr. 

 

Tranzicioni politik, social dhe ekonomik në shtetin tonë vazhdon të mbaj për fyti zhvillimin e përgjithshëm. Jemi peng i një politike 30 vjeçare që nuk mund të bëj shkëputjen përfundimtare prej mentalitetit të instaluar nga sistemi paraprak. Ngritja dhe rënia e figurave të ndryshme politike ka krijuar suksesshëm mitin e liderit, por çdo ditë e më shumë rrënon besimin tek politika dhe politikanët. 

Fatkeqësia jonë dhe fati i politikanëve është që në një ambient politik të kontaminuar me shpifje, ofendime dhe nënçmime personale qëndrojnë larg individë të cilët mund të bëjnë ndryshimin. Konsistenca politike që nuk ndërtohet mbi parime por mbi pazare momentale politike krijon kriza morale dhe konfuzion ideologjik tek anëtarët, votuesit dhe mbështetësit duke i bërë jehonë këngës së Jerichos me tekst të Ali Podrimjes ‘’Tomlin e Nonës’’.   

Zgjedhjet janë gjithmonë një mundësi e re për të sfiduar politikën e vjetër, të ndërtuar mbi figura, mite dhe demagogji politike, të ndërtuar mbi kauza të mëdha të cilat krijojnë iluzionin e zgjidhjes së shpejtë të problemeve me të cilën përballen qytetarët. Nuk duhet të lejojmë që politika të vazhdoj të mbetet streha e të dështuarve që dinë të përvidhen me lajka e lavde në kupolat e partisë. 

Kjo fushatë politike, posaçërisht në kampin politik shqiptar vjen me një numër të konsiderueshëm të fytyrave të reja në garë për të qenë përfaqësuesit e qytetarëve. Beteja e tyre nuk është e lehtë për tu shkëputur nga hija e liderëve, madje disa me ngulm mundohen të rrethohen me ‘’nurin’’ e tyre por ata kanë një përgjegjësi para gjeneratës së tyre, shpresat dhe ambiciet e të cilëve janë shtypur dhe po mbahen peng nga politika e vjetër. 

Kjo është një mundësi për të vendosur një standard të ri, larg traditës së përplasjeve dhe goditjeve të ulëta. Mos na tregoni se ç’kanë bërë paraardhësit tuaj politik, realitetin e politikës së tyre e jetojmë çdo ditë, me të mirat dhe të këqijat që kanë sjellë. Na tregoni ç’do të bëni ju, si do ta ndryshoni pejsazhin e zymtë të politikës që nuk njeh fre e nuk njeh kufi moral dhe etik. Pse jeni ju një vlerë e shtuar e partisë suaj dhe jo partia vlera juaj e vetme. Dijeni që shpresa nuk kthehet me premtime të vjetra, të mbetura peng nga koha e kaluar. Na tregoni pragmatizmin tuaj për të qenë përfaqësues të denjë edhe në institucionet ndërkombëtare, atje ku do të përballeni me kolegët tuaj që vinë nga universitet më të mira botërore. 

Gjenerata e re ka përgjegjësi të reja. Në qoftë se Ju do të vazhdoni me mendësinë e vjetër, kjo politikë do të kthehet në tokë pjellore për politikanë edhe më të këqij, më populist dhe më ekstremist. Atëherë as ju nuk do të keni më vend në politikë.  

 

Të fundit