E premte, 21 Mars, 2025

ZIGZAG: UJKU DO MJEGULL E ARUSHA NUK TREMBET ME SHOSHË!

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se bashkia e qytetit suedez Uplands Bro, në kuadrin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19 ka filluar përdorimin e robotit për intervistimin e të interesuarëve për punë. Bashkiakët thonë se ky model nuk është i leverdishëm vetëm për luftiminin e pandemisë, por edhe të diskriminimit dhe nepotizmit! Merrnie me mend: shqetësimi ngritet në një Suedi, e ku mbeti tek ne!?

 

Autor: Seladin Xhezairi 

1. Ujku, kanë thënë urtakët, don mjegull! Fundjavën që lamë pas, në Tiranë autoritetet, në një atmosferë mjaft të tensionuar, prishën godinën e Teatrit Kombëtar. Raportohet se e gjithë zona ishte bllokuar nga policia, e cila edhe kanë ndërhyrë forcërisht duke shpërndarë grupet e artistëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës. Tensionet kanë vazhduar për orë të tëra ndërsa mësohet se disa dhjetra persona, mes tyre artistë që kundërshtojnë prej gati dy vitesh projektin për prishjen e Teatrit, si dhe drejtuesja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, por edhe gazetarë, janë shoqëruar në polici. Presidenti Meta duke dënuar shembjen e Teatrit tha se kjo, si dhe dhunimi i artistëve dhe gazetarëve, është një damkë e zezë për ‘mafien në pushtet’. Ideatori i shembjes, kryeministri Rama, këtë të martë, duke iu referuar kundërshtive të zëshme ka thënë se ‘Skenat e reja kombëtare, kjo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash, do t’i ndihmojnë edhe disa të rinj që gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë nesër pse sot ia fusin krejt kot, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet’. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërkaq ka mbrojtur vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar duke theksuar se “dhe 100 herë të tjera po të më kërkohej, do të merrja këtë vendim”. Përkundër këtij zelli të pushtetarëve shqiptarë, Komisioni Evropian në një reagim të tij nuk e ka fshehur zhgënjimin: ‘Ne i kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet në terren dhe në veçanti vërejmë se u përdor forca. Kjo e fundit duhet gjithmonë të mbetet proporciale, në përputhje me rrethanat dhe ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje”, u shpreh zëdhënësja Ana Pisonero. Komisioni Evropian rikujton se kishte kërkuar ‘dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm’ dhe se ‘ndjehej i keqardhur që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore’. Në qofsh bektesh e merr vesh, – thotë populli.

2. Të hënën, në takimin ke Presidenti Stevo Pendarovski, paria partiako-politike nuk ia doli të gjejë gjuhë të përbashkët për caktimin e dates së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të shtyra për shkak të pandemisë së koronavirusit. Thellimi i mospajtimeve partiake përkon me zbutjen graduale të masave kufizuese të vendosura për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Në mungesë të arritjes së konsensusit çështja që shtrohet është: Prej ku gjithë kjo dëshirë për zgjedhje, nga njëra anë, dhe gjithë kjo kundërshti, nga ana tjetër kur praktikisht vazhdojmë të jemi në karantinë, kur janë ndërprerë aktivitetet ekonomike dhe kur vazhdojmë të kemi shifra të larta të të prekurve nga Covid 19? Mbajtja e zgjedhjeve nëpër terr do të ishte ‘pushtet pa lavdi’ kushdo qoftë fituesi. Apo jo? E di se do më thuash se ‘ujku do mjegull’, se ‘arusha nuk tutet me shoshë’, ama e do puna, e do situata, që këta të parisë sonë të na e mbushin kokën me veprime të të mirëpeshuara se kur duhet mbajtur zgjedhet – për të mirën e të gjithëve. Sa për argument, nga paraqitja e pandemisë, zgjedhjet janë shtyrë në mbi 50 vende të botës. Të kuptohemi, nuk jam për logjikën se ‘nëse shtyhen, nuk bëhet nami’, se kjo mund të përsëdytet sa herë që ta duan ‘të fortët’, por të gjendet një zgjidhje nga e cila përftues do të jemi ne, qytetarët. Për të ruajtur shëndetin. Kjo është kryesorja!

3. Agjencitë e lajmeve njoftojnë se bashkia e qytetit suedez Uplands Bro, në kuadrin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19 ka filluar përdorimin e robotit për intervistimin e të interesuarëve për punë. Roboti është shpikur në Institutin Mbretëror të Teknologjisë dhe sipas Hava Ihan, drejtoreshë e departamentit për resurset njerëzore në këtë komunë, ai qysh vin e kaluar ka intervistuar kandidatët e parqitur për punë. Kjo arritje e teknologjisë shkencore, ka thënë zonja Ihan, është e mirëseardhur jo vetëm në luftën kundër koronavirusit, por edhe për të penguar diskriminimin e nepotizmin gjatë punësimeve! Kur këtë na e thotë një skandinave, me shtet social e të së drejtës – për lakmi, çdo të thonim ne ballkanasit ku akraballëku të lipset sapo të kapërcesh pragun e derës!

Të fundit