E hënë, 29 Prill, 2024

TRI MARRËVESHJET HISTORIKE

Njëjtë sikur Maqedonia e Veriut, edhe Kosova as ka fuqi që ta shtyjë për më tutje marrëveshjen me Serbinë, e as ta heqë nga agjenda ndërkombëtare. Ajo që mund të bëjë është të mësojë nga gabimet e fqinjit jugor, ku procesi i arritjes dhe zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë gati sa nuk kulminoi me luftë civile shkaku i polarizimit të shoqërisë.

Autor: Xhelal Neziri

Kosova duket se po kalon nëpër periudhën më të vështirë të shtetësisë së saj. Nëpër të njëjtën fazë të një kompromisi të rëndë kaloi edhe Maqedonia e Veriut në vitin 2018, kur u detyrua të ndryshojë edhe në Kushtetutë emrin e shtetit për shkak se një rajon në veri Greqisë e mban të njëjtin emër. U vlerësua se nga kjo marrëveshje fituese doli Greqia si shtet më i fortë, anëtar i NATO-s dhe i BE-së. Në realitet, përvoja tregon se vetëm 20 për qind e zgjidheve të çështjeve ndërshtetërore janë të bazuara në ligjin ndërkombëtar, apo kanë qenë të drejta. Në pjesën më të madhe të rasteve ka fituar shteti më i fuqishëm dhe me pozicione më forta në skenën ndërkombëtare.

RAPORTI ASIMETRIK DHE PËRPLASJA E PRITSHMËRIVE

Kosova, njëjtë si Maqedonia e Veriut, është në një proces ku është në raport asimetrik me palën në dialog. Serbia është anëtare e OKB, nga viti 2013 ka filluar bisedimet për anëtarësim në BE kurse pritet të jetë anëtare në vitin 2025. Potenciali ekonomik, i sigurisë dhe diplomatik, si dhe pozita gjeostrategjike, e bëjnë një palë edhe më të rëndë në dialog.

Nga ana tjetër, Kosova është një shtet i ri, me një shtetndërtim të pambaruar, me njohje të pamjaftueshme, që nuk është anëtare e OKB, e papranuar nga të gjitha shtetet e BE-së, me potencial më të dobët ekonomik, të sigurisë dhe diplomatik dhe me një pozitë jo dhe aq atraktive gjeostrategjike.

Është miqësia e fuqishme me Washingtonin, Londrën, Berlinin e Brukselin që i ka barazpeshuar deri diku raportet, gjë që ka sjellë marrëveshje të njëpasnjëshme si një proces deri te shtetësia e Kosovës.

A janë pezmatuar këto raporte së fundmi?

Kriza politike e shfaqur tash në Kosovë buron nga përplasja e dy pritshmërive krejtësisht të ndryshme nga qeveria e re që doli nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2019: ndërkombëtarët prisnin një qeveri të aftë për të menaxhuar procesin dhe fleksibile në arritjen e marrëveshjes me Beogradin, kurse shumica e votuesve në Kosovë kërkonin shtet ligjor, luftë kundër korrupsionit dhe zhvillim ekonomik.

Kjo mospërputhje e pritshmërive shkaktoi konfuzion te qeveria Kurti, e cila prodhoi frustrime brenda koalicionit që çuan deri te prishja e tij. Qeverisja e shpresës e udhëhequr nga dyshja emblematike Albin Kurti – Vjosa Osmani si duket ishte e hershme. Në një kohë kur kërkohet konstruktivitet realpolitik e jo moralizim dhe teoretizim, në skenë kërkohen lojtarë që marrin përsipër rrezikun e humbjes në zgjedhjet e ardhshme shkaku i pranimit të kompromisit të rëndë. E nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës janë ngopur nga korrupsioni, nepotizmi, mungesa e shpresës, izolimi dhe nga premtimet që kanë dëgjuar në çdo palë zgjedhje në 20 vitet e fundit. Rritja e popullaritetit të LVV nga viti 2014, kur ishte forcë e tretë, e deri në vitin 2019, kur rezultoi e para, është rezultat i dëshpërimit të madh të votuesit kosovar nga fytyrat e njëjta politike.

PROCESI I NORMALIZIMIT TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Në definimin e krizës në Kosovë si duket dominon teza se është i deleguari i presidentit amerikan në dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell, ai i cili ka bërë presion që kjo qeveri të bjerë me qëllim që një tjetër të finalizojë marrëveshjen historike. Është fakt se në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kandidatit të Republikanëve dhe presidentit aktual Donald Trump i duhet një marrëveshje historike Prishtinë-Beograd. Por, në thelb është vetëm vazhdimësi e një procesi të filluar shumë më herët që kishte të bëjë me normalizimin apo stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo nënkuptonte zgjidhjen e tri çështjeve të rënda me peshë historike: problemi i emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, i Kosovës në raport me Serbinë dhe i Bosnjë e Hercegovinës.

Pas marrëveshjeve Slloveni-Kroaci dhe Shqipëri-Greqi për kufijtë detar, zgjidhja e këtyre kontesteve përfundimisht do të mënjanonte pengesat për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.

Këto dy struktura (BE dhe NATO) shpesh duken të përçarë në mosmarrëveshjet ndërmjet tyre apo brenda tyre. Kanë divergjenca e mospajtime të mëdha, por qëllimi i tyre ngelet i njëjtë, sidomos në Ballkan. Shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s janë si anëtarët e një familjeje, të cilët tërë ditën grinden, por në mbrëmje të gjithë flenë nën një kulm.

Brukseli dhe Washingtoni janë të njëzëshëm kur bëhet fjalë për mbrojtjen e këtij kulmi nga rreziqet e jashtme, e kjo bëri që sërish t’i kthehen rajonit problematik të Ballkanit. Rreziku nga ndikimet malinje u bë alarmant sidomos pas vitit 2008, kur Shkupi mori veton greke për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit, edhe pse nga presidenti i atëhershëm i SHBA George W. Bush paralajmëroi se Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Shqipëria do të jenë tre anëtaret e reja të Aleancës. Kjo datë shënon edhe fillimin e forcimit të pozicionit të presidentit të Rusisë, Vlladimir Putin, në skenën ndërkombëtare. Mosrealizimi i planit që edhe Maqedonia e Veriut të ishte pjesë e NATO-s dhe pamundësia që të vazhdojë projekti për anëtarësim e Gjeorgjisë në Aleancë, i dhanë një shtytje edhe më të fortë Putinit në politikën globale. Në rastin e parë ishte Athina që i kreu favorin Moskës me veton e saj, kurse në rastin e dytë – invazioni ushtarak i Rusisë mbi ish-republikën sovjetike. Gjashtë vite më pas Rusia përsëriti intervenimin ushtarak për të mbajtur NATO-n sa më larg kufijve të saj, kësaj radhe në Ukrainë. Si në Gjeorgji, ku aneksoi rajonet me shumicë etnike ruse – Abkhasinë dhe Osetinë Jugore – në Ukrainë ka shkëputur Krimenë dhe Donbasin, pjesë të dominuara poashtu nga etnia ruse.
Me këto veprime Rusia bëri të ditur se është e gatshme të futet në luftë me Perëndimin po qe se NATO vazhdon të zgjerohet në drejtim të saj.
Vetëm si i trazuar, i ndarë, me një armiqësi të përhershme Ballkani do të vazhonte të mbetej jashtë strukturave euro-atlantike. Pikërisht nëpërmjet gjendjes së një konflikti të ngrirë midis shteteve dhe etnive Moska dhe qendrat tjera të ndikimit malinj do të ruanin dhe përforconin praninë e tyre në rajon.

Së këndejmi, vazhdimi i procesit të arritjes së marrëveshjes së dytë historike në rajon (Prishtinë-Beograd) edhe në kohë pandemie tregon për përkushtimin e madh të Perëndimit në zgjidhjen e problemit. Njëjtë sikur Maqedonia e Veriut, edhe Kosova as ka fuqi që ta shtyjë për më tutje marrëveshjen me Serbinë, e as ta heqë nga agjenda ndërkombëtare. Ajo që mund të bëjë është të mësojë nga gabimi i fqinjit jugor, ku procesi i arritjes dhe zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë gati sa nuk kulminoi me luftë civile shkaku i polarizimit të shoqërisë. /KDP

Të fundit