E enjte, 16 Maj, 2024

XHELAL NEZIRI: PAS ANËTARËSIMIT NË NATO, INTENSIFIKOHET PËRHAPJA LAJMEVE TË RREME NË MAQEDONINË E VERIUT

Në Maqedoninë e Veriut në kulmin e pandemisë u shfaq një valë e re e lajmeve të rreme kryesisht kundër NATO-s, BE-së dhe Perëndimit në përgjithësi. Lajme si për shembull, BE dështoi të ndihmojë Italinë, të cilën po e ndihmon Rusia dhe Kina.

Eksperti i medias në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri, shprehet për Euronews Albania se ky nuk është një fenomen i ri për vendin.

“Nuk janë të reja, bëhet fjalë për një intensifikim më të madh të këtyre përhapjeve të lajmeve të rreme. Gjatë një referendumi të vitit 2018, gjatë zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë edhe gjatë procesit të integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike, sidomos në NATO, kanë ndodhur episode të tilla. Pra janë të gjithë këto operacione që ndërmerren me qëllim që të zbrapsin vendin drejt këtyre synimeve që janë strategjike për të gjitha forcat politike, për shtetin dhe që janë qëllimi kryesor për funksionimin politik të shumë partive këtu në Maqedoninë e Veriut. Në këtë kohë, të pandemisë, kur pjesa më e madhe e njerëzve janë brenda, kur ka frikë nga ajo se çfarë është virusi dhe si është prodhuar dhe si është përhapur, shtohen lajme të tilla. Çdo njeri ka qasje në internet që të kërkojë të vërtëtën në lidhje me këtë pandemi. Pandemia krijon një bazë të fuqishme për përhapjen e lajmeve të rreme”, tha Neziri.

Ai cilësoi Rusinë si vendin nga ku kanë origjinën lajme të tilla.

“Rusia, si vend ku kanë origjinën lajmet e rreme e sheh Malin e Zi dhe Maqedoninë si dy anëtare të reja të NATO-s, të cilat ende nuk kanë mënyrat e duhura të mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike, si pjesën më të prekshme të aleancës. Maqedonia, Mali i Zi, por edhe Shqipëria pritet të jenë pre e këtyre sulmeve kibernetike hibride, kësaj lufte hibride që zhvillohet nga ana e Rusisë dhe që ka për qëllim të çorganizojë dhe të çinformojë opinionin publik të shteteve anëtare të NATO-s”, u shpreh Neziri.

Të fundit