E hënë, 29 Prill, 2024

PSE KËRKOHET TË MBLIDHET PARLAMENTI NË KOHË PANDEMIE?

Ajo që shihet në horizont është një reshtim në një vijë i LSDM-së me partitë shqiptare në pushtet e opozitë, me përjashtim të BDI-së. Së këndejmi, disa arsye mund të kenë nxitur këtë tollovi në skenën politike në një kohë kur vlerësohet se qeveria teknike, deri diku, ka menaxhuar mirë situatën me pandeminë.

 

Autor: Xhelal Neziri

Ish-kryeministri dhe kryetar i Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, më 3 janar të këtij viti dha dorëheqje nga posti për t’i hapur vendit rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Data e zgjedhjeve ishte caktuar të jetë më 12 prilli, kurse vendimi ishte marrë në një takim liderësh të partive kryesore, i mbajtur në tetor të vitit të kaluar te presidenti i vendit, Stevo Pendarovski. Vendimin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme e kishte nxitur vetoja franceze dhe holandeze në Këshillin Evropian, të cilët pamundësuan Maqedoninë e Veriut që të marrë datën e premtuar për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE). Në përputhje me normat e Marrëveshjes së Përzhinës, të cilat tani më janë pjesë e Ligjit të qeverisë, zgjedhjet në vend i zbaton një qeveri teknike, e cila formohet njëqind ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve.

Neni 43 i Ligjit thotë: “Njëqind ditë para zgjedhjeve për deputetë, dhe pas dorëheqjes së mëparshme të Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do të zgjedhë një qeveri të re, kalimtare për të organizuar zgjedhjet. Kryeministri emërohet nga partia me numër më të madh i deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”.

Më tej, Neni 44 thotë: “Për të organizuar zgjedhjet e parakohshme për deputetë të Republikës së Maqedonisë që do të mbahen në vitin 2016, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me propozimin e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, njëqind ditë para ditës së zgjedhjeve për deputetë në Kuvendi i Republikës së Maqedonisë zgjedh Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Punës dhe Politikës Sociale, me sugjerimin e opozitës me një mandat i cili zgjat deri në ditën e shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve shtetërore nga Komisioni për zgjedhjet e zhvilluara të parakohshme për deputetë të Republikës së Maqedonisë, pas së cilës mandati i tyre pushon me ligj.”

 

QEVERI TEKNIKE APO POLITIKE

Shkurtë e qartë, nga 2016-ta zgjedhjet i organizon një qeveri e formatit të zgjeruar, ku partia më e madhe opozitare merr Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), kurse emëron zëvendësministra me të drejtë vetoje në ministritë tjera. Kjo zgjidhje u imponua para katër viteve, kur Maqedonia e Veriut u gjet në një krizë të thellë politike dhe të sigurisë pas publikimit të materialeve të përgjuara nga LSDM-ja, atëherë në opozitë, ku ekspozoheshin veprimtari korruptive të VMRO-DPMNE-së që kishte ushtruar një pushtet të fortë për dhjetë vite me radhë nën udhëheqjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ajo që nuk ishte parashikuar gjatë caktimit të këtyre zgjedhjeve ishte virusi corona, i cili deri në fillim të marsit ishte një problem i izoluar në Kinën e largët. Kur rastet e para me virusin u shënuan edhe në Maqedoninë e Veriut, krerët politik e shtetërorë më 17 mars u mblodhën sërish te kabineti i presidentit Pendarovski që të anulojnë 12 prillin si datë kur qytetarët duhej të votonin. Marrëveshja u arrit me konsensus – zgjedhjet të anulohen derisa të përfundojë pandemia me virusin corona. Krerët u morën vesh që procesi i ngrirë zgjedhor të vazhdojë menjëherë pas krizës me atë që zgjedhjet të mbahen 21 ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme tridhjetë ditore, e cila ishte shpallë nga presidenti Pendarovski me amin të të gjitha partive.

Mirëpo, gjërat nuk ishin parashikuar si duhet. Më 16 prill Pendarovski e vazhdoi gjendjen e jashtëzakonshme edhe për tridhjetë ditë tjera, gjë që hapi edhe shumë dilema lidhur me tejzgjatjen e mandatit të qeverisë teknike. Më 12 prill përfunduan ditët ligjore të saj, në pajtim me Ligjin e qeverisë dhe Marrëveshjes së Përzhinës, por nga ana tjetër mbetet në fuqi shkaku i anulimit të zgjedhjeve. Përveç kësaj, jashtë zyrës kryeministrore mbeti edhe Zaevi. Në fillim të majit do të mbushen plot katër muaj, apo afër 120 ditë, që qeverinë teknike e udhëheq Oliver Spasovski, një bashkëpartiak i Zaevit, kurse policia është në duart e Naqe Çulev të VMRO-DPMNE-së. Me vendimin e ri të Pendarovskit për shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 17 maj, i bie që zgjedhjet të mbahen diku kah mesi i qershorit, me kusht që rreziku nga virusi corona të jetë i shkuar.

 

MATEMATIKAT PARTIAKE

Duke marrë parasysh paralajmërimet nga qendra të besueshme shkencore e politike, duket se gjatë vitit nuk do të ketë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Vaksina ende duket e largët, ndërkohë që ka një disonancë të paparë në botën shkencore lidhur me atë se si mund të kurohet virusi COVID-19. Kjo duket se ka ndezur alarmin te rrethi i ish-kryeministrit Zaev, të cilët tani e shohin qeverinë teknike të pakuptimtë dhe uzurpuese të legjitimitetit zgjedhor që përfaqësohet nga shumica parlamentare. Mbase duke u nisur nga kjo, deputetë të LSDM-së dhe partnerëve shqiptarë të koalicionit – Alternativa dhe PDSH – nënshkruan iniciativën për thirrjen e një  mbledhjeje të Parlamentit për, siç u tha zyrtarisht, të shqyrtuar vendimin e fundit të presidentit Pendarovski për shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Iniciativa u mbështet edhe nga partitë shqiptare në opozitë BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, por nuk u përkrah nga BDI-ja e Ali Ahmetit. Kundër nismës është VMRO-DPMNE, e cila thotë se nuk ka bazë për të kthyer prapë deputetët në sallë pasi me vet-shpërbërjen e Parlamentit ka mbaruar edhe mandati i deputetëve.

Çfarë thotë Kushtetuta dhe Ligji i Parlamentit? Në nenin 63 të Kushtetutës, midis tjerash thuhet: “Mandati i deputetëve mund të vazhdohet vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme apo të luftës”. Ndërkohë, neni 5 i Ligjit të Parlamentit precizon se “mandati i deputetëve të Parlamentit zgjat nga dita e verifikimit të tij deri në ditën e verifikimit të mandatit të deputetëve të rinj të zgjedhur, por jo më gjatë se katër vjet.” Pra, me 20 nënshkrime deputetët mund të thirrin seancë pasi këtë të drejtë ua garanton ligji e kushtetuta në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme. Për ta realizuar këtë nevojitet që kryeparlamentari Talat Xhaferi, i cili është nga radhët e BDI-së, ta caktojë mbledhjen. E ky i fundit ende nuk është deklaruar, edhe pse partia e tij nuk e ka përkrahur nismën.

Pak njohës të skenës politike në Maqedoninë e Veriut i besojnë arsyes zyrtare të nismës për thirrjen e seancës. Ajo që shihet në horizont është një reshtim në një vijë i LSDM-së me partitë shqiptare në pushtet e opozitë, me përjashtim të BDI-së.

Së këndejmi, disa arsye mund të kenë nxitur këtë tollovi në skenën politike në një kohë kur vlerësohet se qeveria teknike, deri diku, ka menaxhuar mirë situatën me pandeminë.

E para, anulimi i vendimit të presidentit të shtetit për gjendjen e jashtëzakonshme dhe mbajtjen e zgjedhjeve 21 ditë më vonë, pra kah fundi i majit. Kjo më tepër afrohet me qëllimin që zyrtarisht e kanë proklamuar nismëtarët, e që është pak i besueshëm pasi kriza me pandeminë duket se do të pamundësojë edhe më tej zgjedhjet.

E dyta, prishja e qeverisë teknike dhe kthimi i Zaevit në krye të saj. Kjo është më e besueshme duke marrë parasysh situatën kur nuk kemi datë të caktuar për zgjedhje, por kemi qeveri teknike. Kjo qeveri, në kohën kur kemi Parlament të shpërbërë e gjendje të jashtëzakonshme, ka kompetenca të mëdha të qeverisë me dekrete që kanë fuqi ligjore përderisa zgjat kriza. Pra, kemi një kryeministër teknik të fuqishëm dhe një kryetar partie bartëse e pushtetit, që është në pritje të zgjedhjeve të reja që nuk dihet se kur do të ndodhin.

E treta, formimi i një koalicioni të ri qeverisës ku LSDM do të ndante pushtetin me të gjitha partitë parlamentare shqiptare, por pa BDI-në. Një qeveri e tillë do të udhëhiqte shtetin deri në zgjedhjet e ardhshme, të cilat rëndë se do të mund të organizoheshin brenda vitit. Kjo ka shkaktuar dyshime te partia e Ahmetit andaj është rëndë të pritet që kryeparlamentari Xhaferi të caktojë mbledhje të Parlamentit dhe sërish të sjellë deputetët në sallë.

Cilido qoftë motivi i vërtetë, i bazuar ose jo, në këtë moment duhet të jetë parësor shëndeti i qytetarëve e jo fati politik i individëve. Është kohë armëpushimi politik, i cili kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe zhdukje të të gjitha dallimeve ne bazë politike, etnike, gjinore apo religjioze. Përndryshe, një krizë e re politike mbi këtë krizë të rrezikshme shëndetësore e ekonomike, do të kishte një epilog të paparashikueshëm.

 

Të fundit